LAJMI I FUNDIT:

Fejzi nga Forumi Ekonomik Mbarë-Shqiptar: Mbështesim vendosjen e reciprocitetit me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se do ta largojë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake për ta zbatuar reciprocitetin, që sipas tij kjo do të jetë masë mbrojtëse për prodhuesit.

Lidhur me këtë, përfaqësues të biznesit thonë se do ta përkrahin vendosjen e reciprocitetit.

“Do të zëvendësojmë tarifën 100 për qind dhe do të zbatojmë reciprocitetin e plotë tregtar me Serbinë sikurse me secilin shtet. Ne nuk jemi për tarifa si masë ndëshkuese ndaj konsumatorit, por për reciprocitet si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve. Produktet që prodhohen në Kosovë e të cilat i nënshtrohen praktikave dhe konkurrencës jo lojale do të mbrohen”, kishte thënë Kurti në Konventën e Dytë të Prodhuesve.

Kryetari i Forumit Ekonomik Mbarë-Shqiptar, Nagip Fejzi në një intervistë për Telegrafin ka thënë se, mbështesin vendosjen e reciprocitetit.

“Ne mbështesim heqjen e taksave dhe vendosjen e reciprocitetit, për shkak se një Mini-Shengen në këtë situatë se ku gjendemi ne – Shqipëri, Kosovë dhe pjesa shqiptare në Maqedoni të Veriut – është e pamundur të arrihet. Reciprociteti do të jetë i pashmangshëm për shkak se një prodhues duhet të ketë një reciprocitet, e në rast se nuk e ka, atëherë nuk do të jetë i barabartë”, tha Fejzi.

Sipas tij, qeveritë duhet të janë më konkrete kur ato bëjnë marrëveshje ndër rajonale.

“Deklaratat nuk mjaftojnë, bashkëpunimi duhet të jetë më i thellë dhe Forumi Ekonomik Mbarë-Shqiptarë ka një detyrë të bëjë takime me të gjithë liderët e rajonit për të krijuar situata më të favorshme për bashkëpunimin e bizneseve. Qeveritë duhet të janë më konkrete kur ato bëjnë marrëveshje ndër rajonale, të mos janë vetëm fjalë në tavolinë e mosrealizim i atyre planeve. Kemi besim të politika rajonale, e cila ka filluar të na dëgjojë dhe ne do t’i dëgjojmë, ku shkëmbimin e mendimeve reciproke”, përfundoi ai.

Kujtojmë se qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj në muajin nëntor 2018, kishte vendosur taksën doganore për mallrat serbe dhe boshnjake që vijnë në drejtim të Kosovës. /Telegrafi/