LAJMI I FUNDIT:

Evropë, hajde te na se u kënaqëm

Evropë, hajde te na se u kënaqëm

Mes problemeve lokale e globale (rritjes enorme të çmimeve; krizës energjetike, agresionit rus në Ukrainë që po rrezikon paqen në botë), pak i duhet këtij populli t’i harrojë brengat. Dhe, t’i kthehet lumturisë, si vlerë emocionale e nacionale.

Shkoi Ramazani. Erdhi Bajrami i Madh që rastisi të vijë ngjitur me 1 Majin dhe pas tre javësh me nga katër ditë pune, hop e katër ditë pushim.


Kur e do, e do.

Festuam e pushuam për Ditën e Kushtetutës, për Pashkë Katolik, Pashkë Ortodoks, për Fitër Bajram dhe 1 Maj dhe ia vumë kapakun me Ditën e Evropës.

Brenda një muaji (9 prill – 9 maj) rrumbullak gjashtë festa, prej tyre pesë në festa në fundjave (në ditë jo pune), por ne e bëmë pushim të hënën, sepse festa s’bëhet “kabull” në fundjavë.

Pikërisht, për shkak të anomalisë së bartjes së ditë së pushimit në ditë pune, kur festa bie në ditë vikendi, tash e sa vjet është përmendur ndryshimi i Ligjit për festat zyrtare. Por, jo more s’ndodh kjo. Nuk i kemi qeveritarët e deputetët aq të pamençur që t’ia mohojnë popullit të vet kënaqësinë e të pushuarit.

Shumë zhurmë bëhet sa herë vjen 9 Maji – Dita e Evropës, ditë të cilën e festojnë, por nuk pushojnë as vet vendet e BE-së …

Çfarë lidhje ka more a pushojnë gjermanët, zviceranët, austriakët a francezët në Ditën e Evropës? Ne nuk jemi në BE dhe pse të mos festojmë e pushojmë në Ditën e Evropës. Çka ka lidhje që BE po e mban të izoluar popullin e Kosovës. Fundja gjeografikisht edhe ne jemi Evropë.

Nejse.

Rëndësi ka që tek ne për pesë vikende u testua java katërditëshe dhe treditëshe e punës. Kosova mund të mos jetë në BE dhe në mesin e vendeve të zhvilluara ekonomikisht, por nuk guxon të mbetet mbrapa tyre me eksperimentime.

Islanda para shtatë vjetëve, për pesë vjet (2015-2019) zbatoi programin më të madh pilot në botë të javës së punës katërditëshe, pa asnjë ndryshim në pagë. Edhe në Suedi, java me katër ditë punë me pagesë të plotë u testua në vitin 2015. Në Skoci, një provë e tillë do të fillojë në vitin 2023.

Në Japoni është në rritje numri i kompanive që po aplikojnë javën me katër ditë pune.

Pse mos ta provojmë edhe ne! Të gjithë ata që për një muaj ishin pjesë e testit të javës katërditëshe të punës u ndanë të kënaqur.

Veç sikur t’i kishim edhe rrogat, pensionet dhe socialat … sikur në Gjermani e Zvicër, e (mos)punën si në Kosovë.

Ne edhe mund të jemi në mesin e vendeve të varfra dhe me papunësinë më të madhe në Evropë, por kjo nuk do të thotë që të punësuarve duhet t’iu mohohet naltmadhnia e tij, pushimi.

Nejse.

As mungesa e liberalizimit të vizave, minimumi i asaj që ia ka borxh Bashkimi Evropian Kosovës, nuk e zbehu kënaqësinë festës së Ditës së Evropës.

Të lodhur nga kriza ekonomike, ngritja e çmimeve, pagat e ulëta … mijëra kosovarë “të dëshpëruar” fundjava i gjeti në bregdetin shqiptar e malazez, Bjeshkë të Rugovës, Brezovicë e gjetiu.

“Tybe nuk i kemi pas qaq renet me shkue, por hatri i djalit. Erdh prej shkollës e më tha: ‘Mam, krejt shokët e shoqet e klasës po shkojshin me prindërit e tyre në Shqipëri për vikend’. Mu dhimt djali e i thashë burrit, shkojmë edhe na. Po e llogarisim sikur mos me i pas marr qato 100 euro të Kurtit”, pak a shumë ky do të ketë qenë muhabeti i së martës mes kolegeve nëpër sallat e arsimtarëve dhe zyrat e institucioneve tona.

Shumë zhurmë u bë edhe për ato 100 euro të pakos së ringjalljes ekonomike. Dikush e quajti një përpjekje të kryeministrit për mashtrim të pakënaqurve me paga në sektorin publik. Meqë u ndanë në vigjilje të festës së Bajramit 100 eurot u konsideruan edhe si lëmoshë e sadaka…

Njëmend çka janë sot 100 euro?

Por, nëse i bëjnë bashkë burrë e grua mësimdhënës, a nëpunës shtetëror, bëjnë 200. Boll sa për me mbush gjysmë rezervuari benzinë dhe me ia mësy ndonjë bjeshke, Durrësit, Shëngjinit e në rastin më të mirë Vlorës a Ulqinit. Mjaft sa për t’i kaluar tri ditë dhe me qenë IN.

Veç sikur t’i kishim ne festat e Kamboxhias (28) dhe Shri Lankës (25) bashkë dhe qe java katërditëshe e punës.

Punë e madhe që s’po na i hap dyert Evropa dhe nuk i kemi pagat si atje. Për shumë pare, kërkohet edhe shumë punë e pak kohë për kënaqësi.

Prandaj, askush s’po brengoset se pse (me shumë sakrificë për të ardhur deri te viza e punës) po na ikin të rinjtë (mjekë e kuadrat e tjera).

Nejse.

Ata edhe mund të shkojnë në Perëndim e të fitojnë dhjetëfish më shumë se këtu dhe, të kenë jetë më të mirë, por “lumturinë” si në Kosovë s’e gjejnë dot.

Evropës mund t’ia dhurojmë djersën dhe profesionalizmin e të rinjve tanë mjekë, inxhinierë, sportistë … por jo edhe lumturinë.

A e dini more që veç 31 vende të botës i kanë popujt më të lumtur se Kosova.

Me pak pare dimë të kënaqemi e lumturohemi shumë.

E për festa e pushime na mjaftojnë 3-4 ditë në Bjeshkët e Rugovës, Brezovicë, Durrës, Vlorë e Ulqin …

Për fund, një pyetje:

A u kthyen krejt mësimdhënësit nga Shqipëria e Mali i Zi, sepse të enjten (12 maj) jemi në grevë? (Rrahman Jashari jam!).