LAJMI I FUNDIT:

EUROPOL-i konfirmon fillimin e bashkëpunimit me Kosovën

EUROPOL-i konfirmon fillimin e bashkëpunimit me Kosovën

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka pritur sot në takim delegacionin e nivelit të lartë të BE-së, i udhëhequr nga Pedro Serrano, zëvendës sekretar i përgjithshëm për politikat e përbashkëta te sigurisë, dhe mbrojtjes dhe reagimit ndaj krizave, në takim ishin prezent, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, znj. Nataliya Apostolova dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm për siguri në BE, Olivier Onidi në këtë takim njoftoi zyrtarisht ministrin Sefaj, se në mbledhjen e djeshme të bordit menaxhues të EUROPOL-it është vendosur që Kosova të jetë në listën prioritare nga shtetet anëtare të EUROPOL-it.


Vendosja dhe aprovimi i Kosovës në listën e prioritare nga shtetet anëtare dhe aprovimi nga ana e Bordit Menaxhues të EUROPOL-it ka ardhur edhe si rezultat i punës së vazhdueshme që MPB në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ILEC-un, MPJ-në dhe Zyrën e Kryeministrit.

Gjithashtu në këtë takim u diskutua për zbatimin e strategjisë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ministri Sefaj shprehi përkushtimin e tij për të luftuar në çdo formë të mundshme terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm si dhe çdo lloj kërcënimi për sigurinë shtetërore, krimeve të të gjitha llojeve e posaçërisht atyre trans-kufitare.

Gjithashtu u prezantuan nga ana e Policisë së Kosovës, të arriturat e tyre në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm.

Anëtarësimi i institucioneve të sigurisë së Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar ka qenë prioritet i ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, që nga dita e parë e marrjes së detyrës së ministrit. /Telegrafi/