Eurodeputeti gjerman kritikon Serbinë për Mlladiqin: Beogradi nderon një kriminel lufte, kjo është e turpshme

Eurodeputeti gjerman, Michael Roth ka reaguar ashpër ndaj nderimeve shtetërore që Serbia planifikon t’i bëjë Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Serbe, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje-Hercegovinë.
Roth tha se nuk e kishte menduar kurrë se do të shihte një person të dënuar për krime lufte, të cilin e cilësoi si përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës, të marrë nderime shtetërore në Beograd.
Sipas tij, një veprim i tillë tregon se sa larg është Serbia nga pajtimi për të cilin, siç u shpreh ai, ka nevojë urgjente Ballkani Perëndimor.
“Faleminderit të gjithë serbëve që e kundërshtojnë publikisht këtë turp”, shkroi Roth, duke shprehur mirënjohje për qytetarët serbë që kanë dalë kundër nderimit të Mlladiqit.
Ndërkohë, komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi, duke kritikuar glorifikimin e një personi të dënuar për krime lufte.
Ratko Mlladiq u dënua përfundimisht me burgim të përjetshëm nga mekanizmi gjyqësor i OKB-së për krime, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë, ku në korrik të vitit 1995 u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.
Krimineli vdiq më 27 gusht në Hagë, në moshën 84-vjeçare, ndërsa vuante dënimin e përjetshëm. /Telegrafi/


































