Trupi i ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Serbe, Ratko Mlladiq, i dënuar për krime lufte, ka arritur në Beograd nga Haga. Mlladiq vdiq në Hagë, ndërsa po vuante dënimin e përjetshëm me burg për krime të rënda të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Aeroplani që transportonte trupin e tij u ul rreth orës 18:00 në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd.


Trupi u prit me nderimet më të larta ushtarake, ndërsa arkivoli ishte i mbuluar me flamujt e Serbisë dhe Republikës Serbe.

Varrosja e Mlladiqit është planifikuar të zhvillohet të hënën, më 7 shtator, në varrezat Topçider në Beograd. Sipas bashkëshortes së tij, Bosiljka Mlladiq, ai do të varroset pranë vajzës së tyre, Anës.

Një ceremoni përkujtimore do të mbahet të shtunën, më 5 shtator, në Shtëpinë e Ushtrisë në Beograd.

Trupi i tij do të ekspozohet në kishën e Shën Lukës, në lagjen Skojevsko në Çukaricë, nga ora 09:00 deri në 12:30.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi se autoritetet serbe e kanë marrë trupin e Mlladiqit nga Haga. Ai tha se shteti do të ofrojë mbështetje logjistike dhe transportuese për të garantuar rendin, paqen dhe sigurinë gjatë ceremonive.

Ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, kishte deklaruar më herët se Mlladiq do të varrosej në Serbi me nderimet më të larta shtetërore.

Mlladiq u dënua me burgim të përjetshëm nga mekanizmi ndërkombëtar i drejtësisë në Hagë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë përgjegjësinë për masakrën e Srebrenicës.

Vendimi i Serbisë për t’i bërë nderime shtetërore ka shkaktuar reagime të ashpra nga zyrtarë evropianë. Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, ka theksuar se Mlladiq është një kriminel lufte i dënuar, i cili po vuante dënimin e përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Kos deklaroi se glorifikimi i Mlladiqit është në kundërshtim me vlerat themelore evropiane dhe nuk ka vend në Bashkimin Evropian apo në vendet që synojnë anëtarësimin në të. /Telegrafi/