Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se është i shqetësuar për marshin e paralajmëruar në Prishtinë më 12 shtator, në mbështetje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe krerëve të tjerë të UÇK-së.

“Jam veçanërisht i shqetësuar sepse shqiptarët kanë caktuar një ‘Marsh për Liri’ të madh më 12 shtator, duke pritur që Thaçi të lirohet. Paralajmërojnë dhunë nëse kjo nuk ndodh”, tha Vuçiq gjatë një vizite në veri të Serbisë.


Ai shtoi se do të presë deri më 16 shtator dhe më pas, sipas tij, do të flasë për atë që e konsideron si veprime të komunitetit ndërkombëtar ndaj Serbisë gjatë viteve të fundit.

Vuçiq deklaroi gjithashtu se do të ketë mundësi të flasë për këtë çështje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila mbahet më vonë gjatë këtij muaji.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.

Çitaku ka thënë se Vuçiqit dhe kundërshtarëve të Kosovës nuk u shkakton frikë vetë marshi, por verdikti që pritet të dalë në Hagë.

“Vuçiq paska thënë se e frikëson Marshi për Liri. Deksha n’lloç. Ty, Serbinë e armiqtë e Kosovës nuk ju frikëson marshi. Ju frikëson verdikti në Hagë”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka deklaruar se Serbia, sipas saj, përballet me faktin se Kosova ka arritur të bëhet shtet i pavarur dhe sovran, pavarësisht përpjekjeve për ta penguar atë.

Çitaku e ka cilësuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si luftë për liri dhe mbijetesë, ndërsa ndërhyrjen e NATO-s si përpjekje për t’i dhënë fund katastrofës humanitare.

“Këtë histori nuk e zhbëni dot. As me propagandë, as me viktimizim, as me frikë nga marshet tona. Kosova është e lirë”, ka shkruar ajo./Telegrafi/