Eurodeputeti slloven Vladimir Prebiliç i ka bërë thirrje komisioneres evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të rishikojnë vizitën e planifikuar në Beograd muajin e ardhshëm, duke vlerësuar se për një vizitë të tillë “nuk ka asnjë justifikim”.

Sipas Prebiliç, vizita e tyre në kryeqytetin serb mund të krijojë një “ndjenjë të rreme normaliteti”, në një kohë kur ndaj Serbisë janë ngritur akuza për spiunimin e studentëve dhe aktivistëve përmes softuerëve spiunë.


“Ka qenë vetëm një hap i vogël nga përdorimi i topit zanor në mars të vitit 2025 deri te një fushatë plotësisht operative e softuerëve spiunë kundër aktivistëve kryesorë të opozitës dhe studentëve në Serbi”, shkroi Prebiliq në rrjetin social X.

“Nuk ka asnjë justifikim që Marta Kos dhe Ursula von der Leyen ta vizitojnë Beogradin gjatë muajit të ardhshëm dhe të krijojnë një ndjenjë të rreme normaliteti”, shtoi eurodeputeti.

Sipas artikullit, studentët në protestë njoftuan se më shumë se dhjetë studentë dhe pjesëtarë të opozitës në Serbi kanë qenë objektiv i softuerëve spiunë që nga fillimi i këtij viti.

Rastet e mëparshme të spiunimit

Në fund të vitit 2024, Amnesty International zbuloi për herë të parë një softuer të panjohur më parë për spiunimin e pajisjeve Android, të cilin e quajti NoviSpy.

Sipas analizave forenzike, ai ishte përdorur kundër gazetarëve dhe aktivistëve në Serbi dhe mund të nxirrte të dhëna nga telefonat, si dhe të aktivizonte në distancë mikrofonin dhe kamerën. Amnesty tha se, me një shkallë të lartë sigurie, NoviSpy mund t’i atribuohej BIA-s, Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë.

Në mars të vitit 2025, Amnesty publikoi prova se dy gazetarë të BIRN-it në Serbi ishin shënjestruar me softuerin spiun Pegasus në shkurt të po atij viti.

Po ashtu, një analizë forenzike e telefonit të një aktivisti studentor serb tregoi se ishte përdorur teknologjia Cellebrite për të anashkaluar mbrojtjen e telefonit Android dhe për të marrë qasje të avancuar në pajisje. Më pas ishte tentuar instalimi i një aplikacioni të panjohur Android, në një mënyrë që përputhej me rastet e dokumentuara më herët të NoviSpy-t.

Fondacioni SHARE deklaroi se kishte identifikuar të paktën 14 persona të shënjestruar me forma të avancuara të softuerëve spiunë në fillim të vitit 2026. Sipas tyre, shumica e objektivave ishin pjesëtarë të lëvizjes studentore, aktivistë dhe këshilltarë lokalë nga partitë opozitare.

Ndërkohë, BIA i ka cilësuar pretendimet për spiunimin e studentëve dhe aktivistëve si “sensacionalizëm banal”, duke mohuar akuzat. /Telegrafi/