Pas suksesit të madh me këngën “Falma një jetë” të cilën e solli në bashkëpunim me Sinan Vllasaliun, grupi Etnon do të vijë me projekte të reja.

Veç videoklipit me Sinanin, Etnon gjatë qëndrimit në Turqi kanë realizuar edhe videon e një kënge tjetër, e cila është gati për publikim.


Në një bisedë për Telegrafin, anëtari i grupit, Etnon, Genc Prelvukaj pohoi se janë shumë të kënaqur me këngën “Falma një jetë”, e cila është shndërruar në hitin e momentit dhe kjo ka qenë arsyeja për shtyrjen e këngëve të tjera.

“Ne kemi të realizuara tri këngë,por për shkak se kjo me Sinanin ka shpërthyer në të gjitha anët, kemi vendosur që të shtyjmë publikimin e projekteve të tjera”,u shpreh Genci duke shtuar se ende nuk dihet se cila nga tri këngët do të publikohet e para.

“Ende nuk e dimë, po presim ende për me vendosë se cilën këngë do ta publikojmë të parën sepse edhe jemi në fazën e koncerteve të shumta”, shtoi artisti duke zbuluar se njëra nga këto këngë është bashkëpunim, por do të mbetet befasi deri në publikimin e saj. /Telegrafi/