LAJMI I FUNDIT:

ETHET E DETIT

ETHET E DETIT

Poezi nga: John Masefield
Përktheu: Kolec P. Traboini

Duhet të zbres përsëri në dete, në detin e vetmuar nën qiell,
Gjithçka që kërkoj është një anije e gjatë dhe për ta drejtuar një yll;
Goditjen e timonit, këngën e erës dhe dridhjet e veles së bardhë,
Një mjegull e hirtë në fytyrën e detit dhe një agim gri duke ardhë,


Duhet të zbres përsëri në dete, ku dallgë e harbuar buçet
Me thirrje të egër me thirrje të qartë që gjegje prej meje pret;
Gjithçka që kërkoj është një ditë me erë, me retë e bardha në qiell,
Përplasje e stërkalash, shkumën e detit që kuisje pulëbardhash ndjell.

Duhet të zbres përsëri në dete, në jetën prej cigani, të beftë
Në rrugën e çafkave e të balenave ku era është si një thikë e mprehtë;
Gjithçka që kërkoj është një histori çakërrqejf e buzëqeshje e një miku pirat,
Një gjumë i qetë e ëndërr pa makthe kur vetëmashtrimi më tej nuk zgjat.