LAJMI I FUNDIT:

Eshtrat e Sali Vuçitërnit

Eshtrat e Sali Vuçitërnit

Nga: Kastriot Dervishi

“Si ndenji një copë herë me sytë mbërthyer nga dera e dhomës së burgut, më shtrëngoi dorën fort dhe m’u drejtua përsëri: Ti e sheh që po shuhem për ditë. Kur të vdes, more bir, mos harro atë lutjen fetare që të kam mësuar. Përsërit ato fjalë tri herë. Atëherë shpirti im do të pushojë i qetë. Një pasdite vjeshte të vitit 1949, Sali Vuçiterni dha shpirt në shtratin ku lëngonte. E mora në krahë dhe me kokën drejt qiellit u luta si më kishte mësuar: Allahun me Salih Allah Seid …! Kur dola në orarin e banjës në korridor, m’u afrua Kudret Kokoshi e Abdurrahim Kreshpa. Si u bë Sali efendiu, më pyetën. Heshta një çast dhe duke i parë në sy u thashë se na la uratën. U dëshpëruan shumë. Aty për aty u përlotën dhe përmendën atë shprehjen që përdoret rëndom në të tilla raste. Na pastë lënë uratën! Sakaq e morën vesh edhe të burgosurit e tjerë. E gdhiva gjithë natën pranë trupit të tij …” (Kjo pjesë është sipas kujtimeve të Petrit Velajt).


Ish-ministri Sali Vuçitërni (1881-1949), figurë e shquar dhe me kontribute e politikës shqiptare, vdiq më 4 tetor 1949 në Burgun nr. 3 në Burrel. Bashkëshortja e Saliut, zonja Fetije Muka, sapo mori vdekjen shkoi në Burgun nr. 3 Burrel. Atje foli me drejtorin e burgut. Një Zot e di si ia trazoi mendjen dhe si rrallë herë mundi t’i marrë kufomën e të shoqit. Gjeti rastin me një makinë malli, gëlqere a qymyri, mundi ta nxjerrë nga Burreli.

Në Tiranë, shtëpinë e Vuçiternës e kishin marrë njerëz të “pushtetit popullor”. Fetija i kërkoi një javë kohë sa të varroste të shoqin. Poseduesit nuk kundërshtuan. E varrosi te Varri i Bamit. Kur kjo varrezë u prish, në vitin 1964, i çoi eshtrat e të shoqit dhe të familjarëve të tjerë, në Tufinë, aty ku janë edhe sot.

I biri i Saliut, Nazifi, i emigruar para vitit 1944, erdhi nga jashtë shtetit pas rënies së regjimit komunist. As në shtëpi nuk hyri dot. Pavarësisht se me vendim gjyqësor e mori të drejtën, nuk hyri kurrë në shtëpinë e vet.