Kosova ka mbi njëzet vjet që përballet me mungesë të furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike dhe nivel të lartë të ndotjes nga termocentralet.

Një prej arsyeve besohet të jetë vjetërsia e këtyre termocentraleve, që djegin thëngjill.

Për t’i zgjidhur këto probleme dhe të tjera në fushën e sektorit të energjisë, Qeveria e Kosovës ka publikuar më 7 qershor Draftin e Strategjisë së Energjisë për vitet 2022-2031.

Në këtë dokument përcaktohen drejtimet dhe veprimet kryesore për zhvillimin e sektorit të energjisë në dekadën e ardhshme.

Për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe për uljen e nivelit të ndotjes nga termocentralet, rëndësi e posaçme u jepet burimeve të ripërtërishme të energjisë.

Aktualisht, rreth 94 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6 për qind nga burimet e ripërtërishme, si: hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet me diell.

Nevojat e Kosovës për energji elektrike arrijnë në ditë dimri deri në 1,300 megavat në orë.

Kapacitetet e prodhimit nga burime të ripërtërishme janë 244 megavat.

Me Draft-Strategjinë e Energjisë parashihet që këto kapacitete të arrijnë në 490 megavat në vitin 2024 dhe deri në 1,300 megavat në vitin 2031.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka thënë se synimi është që pas dhjetë vjetësh, 35 për qind e konsumit të energjisë elektrike të gjenerohet nga burimet e ripërtërishme.

Çeku: Strategji skandinave

Për ish-ministrin e Energjisë, Ethem Çeku, njëherësh ekspert në këtë fushë, Draft-Strategjia e Energjisë është një dokument i domosdoshëm, por “nuk përkon me realitetin, në të cilin është sektori i energjisë në Kosovë”.

“Ky dokument më shumë do të ishte për vendet skandinave, sesa për Kosovën, sepse i gjithë koncepti i strategjisë për furnizim të qëndrueshëm me energji, për periudhën 10-vjeçare, është bazuar në energji të pastër. Në Kosovë, fatkeqësisht, është gati e pamundur të gjenden të gjitha ato resurse”, thotë Çeku.

Ai shton se zhvillimi privat i burimeve të ripërtërishme të energjisë ka hasur në shumë burokraci që e kanë ngadalësuar. As klima në Kosovë, thotë ai, nuk është në favor të këtyre burimeve.

“Bazimi vetëm te energjia solare, e ujit apo e erës do ta bënte Kosovën të varur nga tregu i jashtëm”, thotë Çeku.

Nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.

Sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, në vitin 2021 janë importuar 1,311,461 megavat rrymë.

Shala: Kosova duhet të zbusë varësinë nga thëngjilli

Ambientalistët thonë se Kosova nuk ka burime të mjaftueshme për energji të ripërtërishme, por se duhet t’i zhvillojë ato.

“Kosova nuk ka potencial për hidro-energji, mirëpo ka potencial për energji solare dhe të erës”, thotë Egzona Shala, nga organizata “EcoZ”.

“Rreth 200 ditë me diell ekzistojnë mesatarisht [në vit] në Kosovë, që mund të shfrytëzohen për energji solare. Kapacitetet e erës, po ashtu, janë të mjaftueshme për gjenerim të energjisë – vetëm se varet nga sipërfaqja dhe vendi ku vendosen burimet”, shton ajo.

Thëngjilli – burim i energjisë që nuk rigjenerohet – prodhon ndotje toksike kur digjet.

Bashkimi Evropian – blloku ku Kosova mëton të integrohet – ka caktuar disa afate për mbylljen graduale të termocentraleve me thëngjill, meqë djegia e tij ndikon negativisht edhe në ngrohjen globale.

Strategjia e energjisë, brenda tri viteve planifikohet prodhimi i 500 MW nga energjia e ripërtëritshme Strategjia e energjisë, brenda tri viteve planifikohet prodhimi i 500 MW nga energjia e ripërtëritshme

Me anë të nënshkrimit të Marrëveshjes së Samitit të Sofjes, Kosova është zotuar se deri në vitin 2050 do të dekarbonizohet apo do të zvogëlojë varësinë nga thëngjilli.

Shala thotë se problemi i vetëm me energjinë e ripërtërishme është ruajtja e saj, por, siç shton, ka bateri që shërbejnë për këtë qëllim.

Në muajin maj, Qeveria e Kosovës dhe Korporata amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit kanë finalizuar një marrëveshje në vlerë prej më shumë se 230 milionë dollarësh – mjete këto që pritet të shfrytëzohen edhe për sigurimin e këtyre baterive.

Energjia e prodhuar nga burime të ripërtërishme akumulohet në këto bateri dhe shfrytëzohet varësisht nevojave.

Po linjiti?

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe, si e tillë, është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij burimi.

Mihja e thëngjillit dhe nxjerrja e linjitit përdoren për termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, që gjenden në Obiliq.

Draft-Strategjia e Energjisë nuk parasheh ndonjë impiant të ri linjiti, por vetëm rinovimin e dy njësive të Termocentralit “Kosova B” dhe së paku një njësie të Termocentralit “Kosova A”, deri në vitin 2024.

Sipas Çekut, kjo nuk mjafton për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. Ai thotë se burimet natyrore është dashur të futen në funksion të zhvillimit të sektorit të energjisë.

“Nëse është folur se Kosova mund të bëhet shtet dhe mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm, një gjë e tillë është bazuar në pasuritë natyrore. Ku janë pasuritë natyrore të Kosovës në këtë draft-strategji? Nëse i shohim vendet e BE-së, Gjermaninë, Poloninë e të tjera, ato e kanë linjitin në përdorim si burim të domosdoshëm për momentin”, thotë Çeku.

Një mundësi, edhe gazi natyror

Draft-Strategjia për Energji përmend edhe gazin natyror si burim energjie. Vitin e kaluar, Kosova e ka refuzuar një projekt të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit, i cili sjell gazin nga Azerbajxhani në Greqi, për ta shpërndarë më pas edhe në vende të tjera.

Kosova ka hequr dorë nga gazsjellësi i njohur si TAP, me arsyetimin se është i pafavorshëm ekonomikisht dhe i shtrenjtë.

Institucionet evropiane e mbështesin TAP-in, pasi e shohin si një mundësi reale për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të diversifikuar me gaz tregjet evropiane.

Sipas Draft-Strategjisë së Energjisë, përfshirja e Kosovës në këtë projekt do të bëhej përmes terminalit në Vlorë të Shqipërisë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për rritjen e bashkëpunimit me Shqipërinë në sektorin energjetik.

Draft-Strategjia për Energji është nxjerrë tashmë në konsultim publik në disa komuna të Kosovës dhe më pas do të dalë në Kuvend, ku edhe duhet të miratohet./rel/