LAJMI I FUNDIT:

Escobar: Diskutimet për Asociacionin duhet të nisin menjëherë, propozimi evropian nuk është për njohje reciproke

Escobar: Diskutimet për Asociacionin duhet të nisin menjëherë, propozimi evropian nuk është për njohje reciproke
Foto: Arkiv

( I PËRDITËSUAR) I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim që duhet të zbatohet.

“Kjo kërkesë paraqitet në marrëveshjen e Brukselit. Ka pritje që do të formohet. Pozicioni ynë është që të formohet në një mënyrë që përbën fitore për të dyja palët”, ka thënë Escobar në një bashkëbisedim virtual me gazetarë më 28 shkurt.


I pyetur nëse Kosova ka afate për formim të Asociacionit, Escobar ka thënë se pyetja është se sa shpejt do të formohet.

“Besoj qe me këtë marrëveshje bazë, Kosova e ka kuptuar që duhet ta formojë [Asociacionin]. Nuk dua të vendos afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë”.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të Brukselit, kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Gjykata Kushtetuese ka gjetur se marrëveshja e fundit nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia insiston në themelimin e Asociacionit, por Qeveria e Kosovës e kundërshton një asociacionin njëetnik, që thotë se do të mund të krijonte një nivel të ri të pushtetit.

Këto janë 11 pikat e propozimit evropian për marrëveshjen Kosovë-Serbi
Lexo po ashtu Këto janë 11 pikat e propozimit evropian për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Zyrtarët e lartë amerikanë më herët kanë deklaruar se nuk do të lejojnë formimin e një Republike Sërpska në Kosovë.

Përballë presionit të bashkësisë ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në shkurt të këtij viti paraqiti gjashtë kushte për formimin e këtij organi.

Ai ka kërkuar që Asociacioni të mos jetë njëetnik, ta ndryshojë emrin dhe të mos ketë pushtet ekzekutiv.

“Shpresojmë që Kosova dhe Serbia të zbatojnë propozimin evropian”

Escobar ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia do ta zbatojnë marrëveshjen për të cilën kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel.

“Shpresojmë të mos përdorim shkopinj, por karota. Dhe ato janë të qarta. Jo vetëm që ato i afrohen marrëdhënies paqësore, por edhe u hapet rruga drejt integrimeve evropiane. Shpresojmë që të dyja palët do të zbatojnë obligimet”, ka thënë Escobar, transmeton REL.

I pyetur për sfidat e mundshme në zbatim të marrëveshjes, Escobar ka thënë se disa janë politike, të tjerat administrative.

“Nuk dua të komentoj për diskutimet e së ardhmes, por marrëveshja bazike i parasheh hapat drejt normalizimit. Ka pengesa, por ka edhe mundësi. Shpresoj që do të gjejmë mënyra për ta zbatuar në tërësi, përfshirë edhe atë për Asociacionin, dhe disa çështje tjera siç janë ato për targat, diplomat, e të tjera”.

Në propozimin e pranuar, Kosova dhe Serbia konfirmojnë se do të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dialogut që janë arritur më parë.

Escobar ka thënë se SHBA-ja e mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, por nuk është pjesë e saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e 27 shkurtit, u pajtuan se nuk kanë më nevojë të diskutojnë për propozimin evropian për normalizimin e raporteve.

Blloku evropian ka thënë se palët kanë shprehur gatishmëri që të punojnë në zbatimin e propozimit evropian, që synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve.

BE-ja ka thënë se zbatimi i propozimit do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Brukseli pret që puna për zbatimin e marrëveshjes të finalizohet para takimit të radhës të Këshillit Evropian, që mbahet më 23-24 mars.

Njohja reciproke, “qëllim përfundimtar”

Përgjatë bisedës, Escobar është pyetur se pse në letrën e presidentit amerikan, Joe Biden, për 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kur është përmendur njohja reciproke është përdorur shprehja “qëllim përfundimtar”.

“Propozimi evropian nuk është për njohjen reciproke, por për normalizim. Pse ne e mbështesim këtë propozim tani, nuk nënkupton se ne nuk besojmë në idenë që për të qenë një rajon i shëndetshëm dhe që të lirohet nga incidentet e viteve ’90, ne besojmë që të gjitha shtetet e rajonit duhet ta njohin njëra-tjetrën për të pasur raporte të plota dhe pozitave”, ka thënë Escobar.

“Prandaj e kemi përdorur shprehjen ‘përfundimtare’, pra që njerëzit ta kuptojnë që ne nuk po synojmë ndryshimin e draftit të propozimit të BE-së, por edhe që nuk kemi lëvizur nga qëndrimi ynë për synimet përfundimtare për Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ai.

Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të këtij propozimi shkruan se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

SHBA-ja ka mbështetur propozimin evropian, që fillimisht u ishte dorëzuar palëve në shtatorin e vitit të kaluar.

Escobar ka thënë se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet për SHBA-në dhe ajo dëshiron të shfrytëzojë lidhjet e mira me këto shtet për të krijuar raporte të mira mes këtyre shteteve të rajonit.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë negociata për të arritur normalizimin e plotë. Megjithatë, palët kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket marrëveshjes përfundimtare. Kosova insiston në njohje reciproke, e Serbia në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Në trend Lajme

Më shumë
Numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, por jo për shkak të “terrorit shqiptar”, Knaus: Pretendimet e tilla të Vuçiqit janë mashtrim

Numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, por jo për shkak të “terrorit shqiptar”, Knaus: Pretendimet e tilla të Vuçiqit janë mashtrim

Lajme
Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Siguri
Po kërkoheshin nga Interpoli – policia në Ferizaj sekuestron katër vetura me targa franceze

Po kërkoheshin nga Interpoli – policia në Ferizaj sekuestron katër vetura me targa franceze

Kronika e Zezë
Biseda telefonike ndërmjet presidentit francez Macron dhe kryeministrit Kurti, anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe

Biseda telefonike ndërmjet presidentit francez Macron dhe kryeministrit Kurti, anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe

Lajme
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni - gjithçka që duhet të dini

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni - gjithçka që duhet të dini

Politikë
Kalo në kategori