LAJMI I FUNDIT:

Erdogan shpall fitoren, këto janë fjalët e tij

Erdogan shpall fitoren, këto janë fjalët e tij

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka shpallur fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale.

“Populli turk më ka mandatuar si president sipas rezultateve jozyrtare”, tha Erdogan, shkruan The Guardian, përcjell Telegrafi.


“Unë shpresoj se askush nuk do të dëmtojë demokracinë duke hedhur hije në këto zgjedhje dhe rezultatet e saj për të fshehur dështimin e tyre”, citohet të ketë thënë tutje ai.

Agjencia shtetërore Anadolu Agency raporton se me 95.5% të votave të numëruara, Erdogan fitoi 52.72% të votës kombëtare, me 30.75% të kandidatit kryesor të opozitës CHP, Muharrem Ince.

Ndërkohë, siç shkruan AA, më tej, duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare, Erdoğan tha: “Qytetarët i dhanë përgjegjësi të madhe Aleancës Popullore dhe AK Partisë duke ua besuar shumicën në kuvend”.

“Turqia gjithë botës i dha leksion mbi demokracinë me pjesëmarrje e cila arrin deri në 90 për qind”, deklaroi presidenti turk.

Ai shtoi se siguria e vendvotimeve dhe liria e votimit është tregues i fuqisë së demokracisë së Turqisë.

Presidenti turk tha se do të vazhdojnë me përpjekjet që Turqia të ecë para në çdo fushë, duke shtuar se, “Qëllimi ynë në këtë periudhë është ta çojmë Turqinë drejt synimeve të vitit 2023”.

Por, siç raporton tutje BBC, opozita po i kundërshton këto shifra, duke thënë se shumë vota ende duhet të numërohen.

Në Turqi sot janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe parlamentare në të cilat afër 60 milionë votues zgjodhën presidentin e shtetit dhe përbërjen e re të Kuvendit të Madh Popullor të Republikës së Turqisë. /Telegrafi/