Operacioni ajror i Turqisë në Irakun verior dhe Sirinë “për të pastruar rajonet nga terroristët është vetëm fillimi”, ka thënë presidenti Recep Tayyip Erdogan, duke shtuar se vendi i tij do të nisë një operacion tokësor në Siri “kur të jetë e përshtatshme”.

“Operacionet tona me aeroplanë, artileri dhe UCAV (mjete ajrore luftarake pa pilot) janë vetëm fillimi”, citohet të ketë thënë Erdogan në takimin e grupit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në kryeqytetin Ankara.

“Ne do t’i luftojmë terroristët me një operacion tokësor në momentin më të përshtatshëm”, ka thënë më tej ai.

Të dielën herët, Turqia nisi një fushatë ajrore ndërkufitare kundër “grupit terrorist YPG/PKK”, i cili thuhet se “ka strehë të paligjshme përgjatë kufirit të Irakut dhe Sirisë, ku planifikojnë sulme në tokën turke”.

Reklama
Reklama

Operacioni ajror i vendit pasoi një sulm terrorist më 13 nëntor në rrugën e mbushur me njerëz Istiklal të Stambollit që vrau gjashtë persona dhe la 81 të plagosur.

Në këtë drejtim, Erdogan tha se Turqia ka fuqinë “për të kapur dhe ndëshkuar terroristët brenda dhe jashtë kufijve të cilët janë të përfshirë në sulme kundër vendit dhe kombit” dhe theksoi se “Ankaraja është më e vendosur se kurrë për të siguruar kufirin e saj jugor”.

Ai shtoi se administratat irakiane dhe siriane nuk duhet të ndjehen të shqetësuar me operacionin pasi qëllimi i vetëm i vendit është të mbrojë sigurinë e kombit të tij, si dhe të njerëzve të vendeve fqinje. /Telegrafi/

Reklama