ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Presidenti amerikan, Donald Trump ka refuzuar të caktojë një takim me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, pas kritikave publike të liderit izraelit ndaj planit të Uashingtonit për t’i shitur Turqisë aeroplanë luftarakë F-35.

Sipas mediave amerikane, deklaratat e Netanyahut shkaktuan zemërim në Shtëpinë e Bardhë. Një zyrtar amerikan tha se Trump ishte "shumë i irrituar", ndërsa një tjetër deklaroi se presidenti besonte se Netanyahu "nuk kishte të drejtë" të ndërhynte në strategjinë amerikane të mbrojtjes.


Përplasja bëri që një takim i mundshëm në Zyrën Ovale të mos realizohej. Zyrtarët amerikanë thanë se takimi nuk ishte autorizuar dhe nuk ishte vendosur në agjendën presidenciale, pavarësisht se pala izraelite kishte nisur përgatitjet për udhëtimin në Uashington, shkruan axios.

Tensionet mes dy aleatëve u shtuan edhe para udhëtimit të Trumpit në samitin e NATO-s në Ankara. Një pretendim i inteligjencës izraelite për një kërcënim të mundshëm iranian ndaj presidentit amerikan u vlerësua nga zyrtarët amerikanë si spekulativ dhe jo si një plan konkret.

Mosmarrëveshjet vijnë në një kohë kur mbështetja për Netanyahun në Uashington po dobësohet. Zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë zëvendëspresidentin, JD Vance, kanë kritikuar disa anëtarë të qeverisë izraelite për qëndrimet ndaj politikës së SHBA-së për Iranin.

Ndërkohë, edhe në Kongres amerikan po rriten zërat kundër ndihmës ushtarake për Izraelin. Më shumë se 100 demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve votuan për shkurtimin e 3 miliardë dollarëve ndihmë ushtarake, në një shenjë të rritjes së përçarjeve mbi politikën amerikane ndaj qeverisë së Netanyahut. /Telegrafi/