Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani kanë nënshkruar të premten një marrëveshje të re trepalëshe të mbrojtjes, e cila zyrtarisht është quajtur “Marrëveshja e Mekës”.

Marrëveshja synon të rrisë koordinimin në fushën e sigurisë, përfshirë bashkëpunimin ushtarak, shkëmbimin e inteligjencës dhe zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes. Detajet e plota të paktit ende nuk janë bërë publike.


Tre vendet kanë thelluar lidhjet e tyre në një kohë kur Lindja e Mesme po përballet me tensione të shtuara.

Pakti bashkon Turqinë – vend anëtar i NATO-s me një nga ushtritë më të mëdha në aleancë, Arabinë Saudite – një fuqi kryesore ekonomike dhe politike në Gjirin Persik, si dhe Pakistanin – i vetmi shtet me armë bërthamore në botën myslimane, raportojnë mediat.

Sipas raportimeve, marrëveshja vjen pas shqetësimeve në rritje për sigurinë rajonale dhe sulmet ndaj infrastrukturës saudite.

Burime rajonale thanë se pakti synon të krijojë një kornizë më të fortë bashkëpunimi mes tre vendeve.

Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani kanë pasur prej vitesh marrëdhënie ushtarake dypalëshe, përfshirë bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, trajnime ushtarake dhe projekte teknologjike.

Marrëveshja e re shihet si një hap drejt një partneriteti më të gjerë strategjik.

Analistët thonë se pakti mund të ndikojë në ekuilibrat e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore, megjithëse mbetet e paqartë se sa të gjera do të jenë detyrimet konkrete ushtarake të secilit vend. /Telegrafi/