LAJMI I FUNDIT:

Emancipimi shpirtëror dhe intelektual është derivat i emancipimit ekonomik dhe material

Emancipimi shpirtëror dhe intelektual është derivat i emancipimit ekonomik dhe material
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Në komunikim me miq dhe kolegë, jo rrallë kemi debatuar rreth diskursit publik që mbizotëron sot ndër shqiptarë. Ky diskurs vërtet është i banalizuar. Shumë tema debati imponohen nga politikanët populistë, nga pseudo-gazetarët, e në mënyrë të veçantë nga analistët që janë mercenarë politikë. Por, e keqja është tek përshtypja ime se ne sikur vet po i kemi në qejf këto debate triviale. Mbase se stisja e debateve të shpifura, për të mos thënë perverse, është çështje kulture!

Përse diskursi jonë të mos jetë ndryshe. Ta zëmë, të dominohet nga temat shumë më me vlerë që e determinojnë thelbin e qenies sonë. Për shembull, përse të mos debatohet rreth shkaqeve të shumta të prapambeturisë sonë ekonomike, apo rreth shkaqeve të nivelit të ulët të ndërmarrësisë? Kurrë nuk do të mund të emancipohemi si shoqëri, nëse nuk emancipohemi ekonomikisht. Kjo sepse emancipimi shpirtëror dhe intelektual është derivat i emancipimit ekonomik dhe material.


Mirëqenia materiale rritet veç kur vijnë në shprehje njerëzit me talent ndërmarrësie. Vetëm kështu rritet mirëqenia dhe niveli i punësimit, e pastaj edhe vetëdija qytetare. Punësimi mund të rritet në kushte pandemie, por ky nuk është punësim i vërtet. Është thjesht punësim fiktiv. Ndaj, nuk duhet bërë lajm. Ndërmarrësit hipokritë, demagogë e me mendësi hajdutërie, edhe mund të regjistrojnë më shumë të punësuar tek organet e shtetit. Por, këtë e bëjnë jo sepse kanë nevojë për më shumë punëtorë. Kjo është absurde në këtë kohë. E bëjnë sepse duan të përfitojnë nga pakoja e qeverisë dhe t’i marrin nga 170 euro. Oportunizëm tipik shqiptar. Ky është një absurd në vistrën e absurditeteve shqiptare.

Emancipimi ekonomik vjen kur kemi qeveri të emancipuar. Kam qenë njëri nga ata që ka shpresuar tek gjenerata e re e politikanëve nga radhët LDK-së, por edhe të VV-së. Kam besuar se të dy partitë kanë përbrenda vetes vajza dhe djem të emancipuar, profesionalisht dhe politikisht, që duan dhe dinë t’u japin udhë problemeve të kësaj shoqërie. Kam besuar shumë se në ato takimet e tyre në Prevallë, i kanë strukturuar qartë objektivat qeverisëse.

Prandaj, shkaqet e krizës qeveritare më janë dukur absurde, duke pasë parasysh që qeveria ka strukturuar objektivat e veta katërvjeçare. Si njeri që edhe praktikisht ka pasur poste menaxheriale, por edhe si njohës i kësaj fushe, e di që hallka kryesore e menaxhimit të suksesshëm është kontrolli. Njerëzit duhet të dinë se nëse nuk ka performancë, mund të shkarkohesh edhe nëse je ministër. Por, shkarkimi duhet të lidhet për përformancë, për mosrealizim të objektivave e jo për tjetër gjë. Duket absurd hedhja poshtë e krejt programit qeverisës për shkak të deklaratave politike triviale të kujtdo qoftë.

Duhet ditur se ne do bëjmë progres shoqëror dhe ekonomik, atëherë kur qeveritarët do të bëhen përgjegjës për punën dhe mos punën e tyre. Gabojmë rëndë nëse mendojmë se emanicipimi vjen nëse një grupim politik rritet, e tjetri zvogëlohet. Kështu rriten vetëm premisat për vazhdim të agonisë politike.

Për fund, vlen të përsëritet se vetëm rritja e investimeve private e rrit mirëqenien tonë. Ndaj, indikacionin se ky vend do të bëhet i jetueshëm, do ta shohim tek atëherë kur shqiptarët e kamur e të shpërndarë anembanë botës, do të kthehen të investojnë në vendin origjinës.