LAJMI I FUNDIT:

Edukatoret thonë se kishin frikë të denonconin administratoren e kopshtit

Edukatoret thonë se kishin frikë të denonconin administratoren e kopshtit

Anjeza Shabani, administratorja e kopshtit pa licencë që dhunoi fëmijën 3 vjeç ka pranuar krimin.

Nga ana tjetër, janë marrë në pyetje edhe edukatoret e këtij kopshti, të cilat kanë pranuar dhunën e administratores. Ende nuk është vendosur, se çfarë qëndrimi do të mbahet për edukatoret e këtij kopshti, të cilët kanë parë dhunën e shefës së tyre dhe nuk e kanë denoncuar.


Të pyetur për këtë fakt, ato janë shprehur se kishin frikë të denonconin pasi do largoheshin nga puna.

Veç administratores dhe edukatoreve të kopshtit, policia ka marrë në pyetje edhe prindërit e fëmijës 3 vjeç, të cilët kanë treguar dhunën fizike që administratorja ushtronte ndaj fëmijës së tyre.

Për këtë dhunë, mësohet se policia i ka vënë në dispozicion një vendim ekspertimi prindërve të fëmijës 3 vjeç, duke i kërkuar ta dërgonin pranë Mjekësisë Ligjore për të kryer ekzaminimin e dëmtimeve në trupin e fëmijës së vogël.

Përgjigja e këtij ekspertimi, bëhet me dije se do të përdoret nga prokurorët për ti kërkuar gjykatës caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për administratoren e kopshtit Anjeza Shabani, transmeton ABC News.

Gjithashtu mësohet se prokurorët kanë urdhëruar sekuestrimin e pamjeve bbruto të filmuara nga kamerat e emisionit investigative “STOP” në TV KLAN, pamje të cilat do të administrohen me cilësinë e provës materiale.

Sipas këtyre pamjeve, të transmetuara në emisionin e mbrëmjes së hënë, shfaqet administratorja e kopshtit Shabani duke dhunuar fëmijën 3 vjeç.

Mbi Shabanin rëndojnë dy akuza për momentin, ajo e Shpërdoriit të detyrës dhe keqtrajtimit të të miturve që rrezikon një dënim deri në 7 vjet burg.

Ndërkohë në ditët në vazhdim, pritet edhe ngritja e akuzave të tjera pasi kopshti funksiononte pa dokumentacionin përkatës.