LAJMI I FUNDIT:

Edita Tahiri në samitin ekonomik euroaziatik në Stamboll

Edita Tahiri në samitin ekonomik euroaziatik në Stamboll

Ministrja për Dialog e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri mori pjesë në Samitin Ekonomik Euroaziatik me temën “Dialog për rrugën e mëndafshtë”, ku pjesëmarrës ishin liderë të vendeve të ndryshme nga dy kontinentet. Kjo konferencë u organizua nga Fondacioni prestigjioz i Turqisë Marmara Group, prej 5 deri më 7 prill 2016 në Stamboll.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin Ali Hasanov, zëvendëspresident i Azerbajxhanit, Bamir Topi, ish-president i Shqipërisë, Emil Constantiescu, ish-president i Rumanisë, Mustafa Akinci, president i Qipros Veriore, Gjeorge Ivanov, president i Maqedonisë, Mladen Ivanić, kryesues i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Mehmet Şimsek, zëvendëskryeministër i Turqisë, Tugrul Turkes, zëvendëskryeministër i Turqisë, Natiq Aliyev, ministër i Energjisë së Azerbajxhanit, Viktor Ponta, ish-kryeministër i Rumanisë, Radu Princi i Rumanisë, Alenka Bradusek, ish-kryeministre e Sllovenisë, Asaf Hajiyev, Sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, Yusuf Sag, zv.patriak i kishës katolike turko-siriake, Vasip Şahin, Guvernator i Stambollit, etj.

Ministrja Edita Tahiri falënderoi presidentin e Fondacionit Marmara Group, Dr.Akan Suver për ftesën që të marrë pjesë në këtë Samit të rëndësishëm. Ajo theksoi se ky samit euroaziatik ofron një mundësi të mirë për të diskutuar se si mund të punojmë së bashku për një ardhmëri më të mirë ekonomike, të sigurisë, duke luftuar së bashku terrorizmin ndërkombëtar dhe gjetur zgjidhje për çështjen e refugjateve dhe sfida të tjera të kohës së sotme.
Ajo tha se integrimi sa më i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian krijon stabilitet në rajon dhe i mundëson rajonit të përballojë sfidat që i kemi të përbashkëta. Ajo po ashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes BE-së dhe Turqisë dhe vendeve tjera në angazhimet për gjetjen e zgjidhjeve paqësore për krizën në lindjen e mesme.

Ministrja Tahiri në fjalën e saj potencoi rëndësinë e përfshirjesh së grave në proceset paqësore, duke thënë se kapacitetet tona do të rriteshin për pesëdhjetë për qind sikur të kemi vendosmëri të heqim barrierat për fuqizimin e grave. Na duhet një filozofi e re që e sheh shoqërinë në mënyrë gjithëpërfshirëse të grave dhe burrave, një shoqëri të mirëfilltë demokratike. Na duhet kapitali njerëzor i tërësishëm andaj nuk guxojmë t’i injorojmë gratë dhe fuqinë e tyre. Gratë janë një kapital njerëzor strategjik dhe shekulli në të cilin jemi kërkon që këtë kapital ta investojmë për zhvillim dhe demokratizim të shteteve dhe shoqërive tona.

Gjatë punimeve të Samitit, ministrja Tahiri ka zhvilluar takime dhe bashkëbisedime me pjesëmarrës të konferencës ku theksi i bisedave u fokusua në njohjen e shtetit të Kosovës dhe thellimin e marrëdhënieve me vende të ndryshme. /Telegrafi/