LAJMI I FUNDIT:

Edi Rama kishte për të qenë kryeministër në Sodoma dhe Gomorra

Edi Rama kishte për të qenë kryeministër në Sodoma dhe Gomorra

Kur dëgjon Edi Ramën që citon Librin e Shenjtë, mendja më shkon tek historia e Sodomës dhe Gomorrës.

Të dyja qytetet qenë të zhytura në korrupsion të plotë moral dhe politik. Udhëheqësit e tyre për vite me radhë e lëshuan pa fre babëzinë e pushtetit, perversionit, kurvërisë, hajnisë sa për 14 vjet rresht “britma e ankimit për ligësinë e Sodomës dhe të Gomorrës u bë aq e fortë, sa Jehovai dërgoi engjëjt që të hetonin gjendjen në ato qytete, e pastaj t’i shkatërronin me një shi zjarri e squfuri…”


Nuk di përse dy qytetet famëkeqe që mendohet se janë të mbuluar nga Deti i Vdekur më ngjajnë si dy pika me Tiranën a Durrësin. Profeti Isaia do të lajmëronte në at’botë: “Dëgjoni se çfarë thotë Jehovai, o tiranë të Sodomës! Vërini veshin ligjit të Perëndisë tonë, o banorë të Gomorrës!”

Mërisë së Hyjit i shpëtoi veç Loti me të tijtë (Luti në Islam), këta njerëz të përkorë që nuk lejuan të pabesët të përdhunonin engjëjt mysafirë në shtëpinë e tij.

Është pak, por e sigurt që Loti nuk është Edi Rama, i cili “mahnit” me recitimet e vargjeve të Librit të Shenjtë sulltanët e Orientit, por sa vjen e zbret në Durrës me Gjushin në krah përbuz, përçmon, fyen të vobektin, skamnorin, atë që tundja e themeleve të tokës e la pa strehë, bashkë me fëmijët në qiell të hapur.

Nëse do të ishim fanatikë fetarë si e shet veten Edi Rama me sulltanët e Orientit, patjetër që do e shihnim fatkeqësinë natyrore si ndëshkim hyjnor që na vjen si kambanë paralajmërimi për hukubetet që pushtetarët kanë mbjellë në këtë tokë.

Korrupsion, miti i parasë, adhurimi i idhujve të rremë si janë ngrehinat qiellgërvishtëse, grykësi për të marrë dhe dromzat e fundit që kanë mbetur në këtë tryezë të mjerë që quhet Shqipëri.

Perversion, molepsje, brekë që bëhen flamur në zyra, gra që bëhen parì pasi ngrohin shtratin e dikujt, burra që ofshajnë në ekstazë për burra, tek mbushin hundët.

Njerëz që turbullojnë mendjen me ide ogurzeza dhe vrastare, se prodhojnë, shesin, vrasin për drogë.

“Farisej” predikues që kanë qenë dhe mbeten banditë.

Kriminelë që bëjnë ligjin.

Profetë të rremë që thërrasin Librin e Hyjit.

Sodoma dhe Gomorra ndoshta kishte më pak se kaq dhe nuk është më në faqe të dheut.

Kurrë nuk është e vështirë të mësosh, të thuash, madje në gjuhë të vjetra sa bota vargje të shenjta. E pamundur është të jetosh sipas tyre, por të paktën mos t’i përdorësh, pasi fyen Lotin dhe të tijtë që po ta lajmërojnë për zezonën që të pret…