LAJMI I FUNDIT:

Edi Hila udhëton si një pinjoll i Erazmit

Edi Hila udhëton si një pinjoll i Erazmit

Nga: Luan Rama

Para dy ditësh, në një rreth të ngushtë u takuam me Edi Hilën dhe galeristin Jean-Gabriel Mitterand në galerinë e tij pranë qendrës kulturore “Georges Pompidou”, ku bashkë me të ishin dhe dy vëllezërit e tij: ish-ministri i Kulturës Frederic Mitterand, aq shumë i lidhur me Shqipërinë, si dhe Oliver Mitterand, një intelektual i njohur. Ishte rasti për të parë ekspozitën e piktorit të njohur Hila, bashkë me ambasadorin tonë në Paris, Dritan Tole, duke zbuluar kështu veprat më të reja të kësaj ekspozite që rastisi të hapej në kohë pandemie. E, megjithatë, asnjë pandemi nuk mund t’i pengojë veprat të flasin kur bëhet fjalë për artin e fuqishëm. Jo më kot, plot entusiazëm, galeristi francez na thoshte se “Edi Hila është tashmë një figurë madhore e skenës pamore ballkanike, si një artist që krijon mbi natyrën tranzitore të historisë së vendit të tij…”


Tema e kësaj ekspozite cilësohej “Prince of the Lake”, meqë dhe një nga veprat e para të kësaj serie gjatë vitit 2020 kishte të njëjtin titull. Janë vepra të viteve 2018-2020 të ekspozuara më parë nën titullin “The Sound of the Tuba”, në galerinë e madhe “Secession” të Vjenës, pas ekspozitës së tij të madhe restrospektive të hapur në Varshavë e të mirëpritur nga kritika. Është pra një artist para të cilit arti i tij i ka hapur të gjitha kufijtë, duke u përshëndetur kështu nga kritika evropiane. Ja pse galeristi francez, i cili e ka ekspozuar për të tretën herë brenda gati një dhjetëvjeçari thotë për Hilën se “gjatë këtyre 20 vjetëve, piktura e tij është bërë një referencë në Evropë. Përdorimi i fotografisë si bazë e krijimit të tij, subjektet historike trajtohen me ironi e melankoli, tablo në dukje të ashpra, me një paletë ngjyrash të pakta e shpesh monokromatike, duke e kthyer atë në një pjesëtar të ngushtë të artistëve më të shquar bashkëkohorë…” Madje, ai nuk mungon të citojë dhe një nga historianët e njohur të artit, francezin Eric Chassey i cili e konsideron Hilën shumë të afërt me piktorin e shquar belg Luc Tuymans.

Duke parë tablonë “Princi i liqenit” si dhe tablotë e tjera në vijim të saj, ne përvijojmë atë udhë të hapur këto 20 vjetët e fundit nga Hila (kam parasysh pamjet e bregdetit me anijen e mbetur në rërë dhe të tjera të këtij lloji) e ku nisur nga arkitektura, ai dëshmon me forcë vetë kohën, statuset sociale, politike, historike dhe ekonomike të një shoqërie që hedh hapat drejt një ekonomie liberale mbështjellë me grinë e kaosit. Por, ajo që të ngacmon është se këto imazhe, shpesh abstrakte, të bëjnë të reflektosh për atë çka ndodhur në shoqërinë totalitare shqiptare. “Madje”, na thotë Jean Gabriel Mitterand, “këto tablo kanë një karakter të fortë psikologjik.” Dhe kjo është mëse e vërtetë.

“Piktura në themel ka mendimin”, i thoja piktorit Gustavo Urrutya, mik i afërt me galeristin, por dhe me Edi Hilën, të cilin ai e çmon shumë. Përsërisja kështu një thënie të Leonardo da Vinci nga Traktati i Pikturës të mjeshtrit të madh ku gjen thelbin e vet artit. Piktura nuk është vetëm ngjyrë apo refleks i diçkaje që shikojmë. Së pari është një mendim që përcjell artisti e që të bën të reflektosh, të mendosh, të shqetësohesh e të zbulosh një mesazh të madh. Dhe, ngasja për ta thënë këtë më erdhi padyshim tek shihja ato tablo që në dukje duken të shplara, me pak ngjyrë, por kur afrohesh dhe depërton në to zbulon grinë e trishtit, përmbysjet, shkretinë dhe dhimbjen për atë çka ndodhur. Në serine “Shtëpi të Korçës, 1945” spikasin tablotë “Books”, 2019, “Table”, 2020, “In the Basement”, 2019, “Lampshade Outside the House”, 2020, apo “Morning” të cilat sëbashku të krijojnë atë tablo të madhe historike që i mungonte pikturës shqiptare.

Ajo çka rezulton nga arkitektura është së pari dehumanizimi i peizazhit njerëzor e po kështu i dekorit ku jeton njeriu, i atmosferës që na rrethon. Bëhet fjalë për një periudhë të pas luftës dhe konkretisht për vitin 1945 kur shumë pronarë shpronësoheshin me përdhunë duke u përzënë nga shtëpitë e tyre, nga trojet ku kishin jetuar brez pas brezi. Dhe kjo ishte një e vërtetë historike e përjetuar me dhimbje të mëdha. Ç’ndodh vallë me një familje që dëbohet dhe detyrohet të largohet për arsye politike? Ku shkuan këta njerëz dhe cili ishte fati i tyre pas një ndëshkimi të tillë? Këto tablo më kujtuan një histori të familjes time kur në vitin 1945, gjyshen time, meqë shtëpia e saj ishte djegur gjatë luftës në Tiranë dhe meqë ishte një nënë Heroi i Popullit, fitimtarët e çuan në një shtëpi në qendër të qytetit duke i propozuar që këtej e tutje të banonte në të. Ishte një shtëpi luksoze dhe plot pasqyra, kujtonte nëna ime adoloshente e cila e shoqëronte dhe unë pa ditur u lumturova. Por, gjyshja kërkoi të largohej menjëherë duke mos pranuar të jetonte në shtëpinë e dikujt tjetri. Ndoshta e trembën dhe pasqyrat, tregonte nëna ime. Dhe, kështu ajo preferoi të merrte me qera një shtëpi të thjeshtë tiranase në rrugën “Skënderbe”. Përzënia e ish-kolaboracionisteve apo kundërshtarë të regjimit vazhdoi në masë ku njerëzit hidheshin në rrugë, në mëshirë të fatit. Një temë e veçantë dhe e patrajtuar më parë nga arti pamor që Hilën e frymëzoi për të krijuar një risi ë re dhe për të thelluar nismën e tij ku imazhi arkitektural ngarkohej me një mesazh social-politik.

“Këto shtëpi bosh”, shkruan galeristi Mitterand, “të braktisura me nxitim, janë dëshmi e një të kaluare tashmë. Tablotë e kësaj serie i ofrojnë vizitorit një vizion shkretues e fantomatik të shtëpive. Përmes trajtimit të ambienteve interiore, Edi Hila i transformon skenat e zakonshme të interierit në një vazhdimësi peizazhesh mendimi, melankolike e meditative”. Ky është padyshim dhe thelbi i kësaj ekspozite, ku një seri tjetër është dhe ‘Open Museum’, me ngasje nga atentatet e terrorizmit që hapërthyen gjatë viteve 2015-2017 nëpër Evropë. Imazhe tronditëse dhe figura me pazmore mesjetare çka na kujtojnë asasinët e viteve 1200 dhe rikthimin e tyre në kohën moderne. Pikërisht këto tablo do të marrin rrugën drejt Milanos për tu ekspozuar dhe atje. Edi Hila udhëton si një mesazher i vërtetë, ashtu si një pinjoll i Erazmit, për të cilin kufijtë nuk ekzistonin dhe ku Evropa ishte një bashkësi e mendimit, e krijimit të vlerave, e ndërtimit të një harmonie për të ndërtuar një Evropë të re”.