eBay refuzon ofertën 56 miliardë dollarëshe të Game Stop

Kompania amerikane e tregtisë online eBay ka refuzuar ofertën e GameStop për ta blerë kompaninë për rreth 56 miliardë dollarë, duke e konsideruar propozimin si të papranueshëm dhe pa vlerë strategjike për aksionarët.
Sipas mediave amerikane, GameStop kishte ofruar 125 dollarë për aksion, përmes një kombinimi të parave të gatshme dhe aksioneve, me synimin për ta shndërruar eBay në një rival më të fortë të Amazonit në tregun global të shitjeve online.
Drejtori ekzekutiv i GameStop, Ryan Cohen, kishte deklaruar se kompania e tij tashmë zotëron rreth 5 për qind të aksioneve të eBay dhe kishte siguruar mbështetje financiare për realizimin e marrëveshjes. Ai e përshkroi blerjen si një hap strategjik që do të rriste ndikimin e GameStop përtej tregut të lojërave elektronike.
Megjithatë, bordi drejtues i eBay e hodhi poshtë ofertën, duke theksuar se kompania ka një strategji të qartë zhvillimi dhe se beson në rritjen afatgjatë të biznesit pa pasur nevojë për shitje apo bashkim me kompani të tjera.
Refuzimi i ofertës pritet të ndikojë edhe në tregjet financiare, pasi investitorët po ndjekin me interes lëvizjet e GameStop, kompani e cila viteve të fundit është bërë një nga emrat më të përfolur në Wall Street. /Telegrafi/



















































