Nga: Virion Graçi

Për romanin “Extra Time” të Durim Taçit (Botimet “Fishta”, 2019)

“Extra Time” si titull do të tingëllonte si anglicizmat acaruese që kanë zëvendësuar padrejtësisht fjalët përkatëse shqip në çdo cep ekrani televiziv të Shqipërisë inferiore, në çdo markë spektakli zbavitës e zvarritës, por si emër i romanit të ri të shkrimtarit Durim Taçi qëndron natyrshëm. Protagonisti i romanit autobiografik – futbollisti 20 vjeçar Atis Taçi, vizatuar si mungesë tragjike në familjen e tij biologjike dhe në shoqërinë e tij sportive në Bergamo – ka dalë aksidentalisht nga loja e paparashikushme e jetës, para shtatë vitesh. I ati, shkrimtari-rrëfimtar, në kohën shtesë të ekzistencës së tij si dimension universal i qenies, shpërfill afatet rrethanore, zgjat lojën deri aty ku asnjë lloj force e rregulli tokësor nuk mund ta ndalojë. Vendosmëria e atit-rrëfimtar për të mos i vendosur epilog ekzistencës shumëpërmasore birit të tij ish-futbollist, kontekstualisht e risemantizon togfjalëshin anglisht, e shqipëron duke e lënë si etiketë të gjuhës globale, e antropologjizon si kohë kujtimi e amëshimi. Dhe, romani mban jo më kot nëntitullin Vetja jote e dytë.

Ambicia profesionale krijuese e nxit Durim Taçin të dalë nga ferri i përjetimeve të veta për të hyrë në rrëfim – sikurse shprehet literarisht – dhe hyn me sigurinë e shkrimtarit me përvojë (qysh nga fundi i viteve 1980 Taçi ka debutuar me sukses në disa zhanre letrare; ka treguar zhdërvjellësi në shkrim skenari për film artistik; ka botuar romane, reportazhe, kronika kulturore, ka sjell në shqip mjaft vepra të zgjedhura nga letërsi të tjera). Çdo gjë me peshë e ndikim në jetën e këtushme bashkëkohore, kaluar nëpër sheshpamjen e tij është shndërruar me mprehtësi, ndjeshmëri e ndershmëri intelektuale në vlerë letrare, në përkujtimore verbale, në kronikë.

Qasja teorike ndaj një libri të porsadalë, nuk është përparësi, por mund t’i shohim disa aspekte që bien lehtë në sy. Si fillim tipi i rrëfimit. Sa i përket marrëdhënies së autorit me personazhet, ky roman shkon përkrah disa romaneve nga letërsia jonë bashkëkohore nga autorë të dalluar, si A. Tufa, R. Dibra, të cilët bëhen autorë-personazhe në veprat e tyre, flasin mbi mundësitë/pamundësitë autoriale për ta thënë në gjuhë artistike besimin e lëkundur te vetja e shpërfaqur në rrëfim romanor: je autor/nuk mund të jesh autor; je i përfshirë konvencionalisht/je i përfshirë në mënyrë bindëse-organike e të tjera dilema krijuese-teorizuese si këto. Për nga veta (e dytë) rrëfimtare, D. Taçi me “Extra Time” ka edhe më pak të ngjashëm në letërsinë tonë; roman cilësor, realizuar mbi rrëfimin në vetë të dytë kemi nga shkrimtari i ri prishtinas Adil Olluri; në mënyrë fragmentare e kemi këtë tip rrëfimi edhe te S. Ҫapaliku e ndonjë autor tjetër. Kulturalisht Durim Taçi është riformuar e pasuruar më tej në Itali e në italishte, në letërsi e në filozofi, në kulturën kristiane dhe atë laike, ndaj mund të pohojmë me siguri se në atë hapësirë të begatë kulturore, letrare e filozofike, modele të tilla shkrimi letrar-rrëfimtar duhet të ketë bollshëm.

Ngjashëm me A. Tufën te “Dueli” e “Fabula Rassa”, e R. Dibrën te “@mail” dhe “Gjumi mbi borë”, D. Taçi në pragun e epilogut të “Extra Time” përpiqet ta demistifikoje veten dhe procesin e tij shkrimor, nis të komentojë romanin që ende nuk e ka nxjerrë duarsh duke treguar si e ka konceptuar e përse. Ky sinqeritet i parakohshëm duket mjaft i arsyetuar, prekës, madje ai na tregon një sekret të dhimbshëm, një fakt intim tragjik: nga amëshimi ka marrë sytë, zemrën, urtësinë e përtejvarrit të të birit e me to e nëpërmjet tyre rishikon, shkruan, rindërton mikrobotën e vogël tokësore, familjare, shoqërore.

“Në këto pak çaste, Atisi arrin të shikojë gjithë jetën e tij, por jo vetëm të tijën, edhe tënden, të vëren se si t’i çohesh dhe bën përpara drejt fatit tënd të ri. Ai ekziston vrenda kësaj mungese kohe, është jashtë trupit të tij, në një moment kur zbulon i mrekulluar se perceptimi i kohës që rrjedh ka qenë thjesht një lojë e jetës. Këndshikimin e tij e ke prijës në këtë rrugëtim ferri drejt biografisë tënde. Është fjala për të tashmen e përjetshme. Në këto çaste të fundit, për tët bir nuk ekziston e shkuara, ai e shikon jetën e tij që fëmijë, sikur e gjitha të ndodhte në këtë çast… Nga ky pozicion komod, jashtë kohës, shikon me ironi njerëz që e kanë me ngut e i vjen për të qeshur.” (f.233)

Edhe shënimi i pak mëposhtëm duket i domosdoshëm për ta sjellë vetëdijen e lexuesit te pozita modeste e romancierit; ai nuk mund të shkëputet dot nga kanonet e shkrimit artistik sikurse nuk mund të shkëputet nga barra e shenjtë e zisë dhe e urtësisë, ardhur nga bota e përtejme nga i ndjeri djalë i tij atë-krijues: “Në këtë përpjekje për të treguar, ti nuk mund ta braktisësh dot atë rrëfimin tënd klasik të ndodhive, në formë kronologjike e sekuenciale, sepse ti bart perceptimin human të kohës. Je njeri si gjithë të tjerët dhe të duhet ta përdorësh në këtë mënyrë.” (f.233)

Parë në traditën e pasur të romanit evropian, “Extra Time” mund të shënojë përgjigjen e parë në skenën tonë romanore të realizmit objektiv, të atij lloj realizmi fort të kërkuar e të synuar nga përfaqësues të romanit të ri francez si Michel Butor, Jean Ricardou e pjesërisht Natali Sarrot, Marguerite Duras e Claude Simon; pra, minimizmi i subjektit rrëfimtar, minimizimi i patosit vetjak dhe botës së brendshme individuale, lënia dorë të lirë objekteve, dekoreve, sendeve për të zbuluar ato dramën, tragjedinë, natyrën e marrëdhënieve e konflikteve ndërnjerëzore të personazheve veprues.

Shkrimtari D. Taçi edhe këtu nuk paraqitet zbatues e një praktike krijuese të dalë prej kohësh nga moda: ai me origjinalitet e efektshmëri e mbyll zërin e tij të brendshëm, subjektiv dhe i lë hapësirë botë materiale, sendeve, skenës natyrore nëpër të cilën kanë ecur akrepat e orëve vendimtare të jetës së tij. Në vend të bisedave e ngjarjeve të së shkuarës së afërme ai kërkon e fotografon me kamera vendet ku ka qenë me familjen e tij, me të afërmit, me djalin, me miqtë e çmuar – Stefan, Eli, Sara, Robi etj. Të njëjtin procedim krijues ndjek për aksidentin fatal: një trup i mbuluar me beze, një triko e ngelur në makinë, një këpucë atletike e dalë nga bezja që mbulon trupin e dashur, pa jetë tashma; nuk rindërton dialogë a episode përmbajtjesore me sozinë e vet shpirtërore-mendore, me Atisin, por mjaftohet, përmbahet përherë me një të dhënë të zakonshme: dy tingëllima të shkurtra të ziles së derës dhe një tingëllimë më e gjatë, ky është Djali, ky është kthimi i tij nga përditshmëria dhe nga amshimi.

Romani është i mirëfilltë autobiografik-familjar; romani ka njëherësh shenja të fuqishme të realitetit social-historik shqiptar të tridhjetë viteve të fundit; përvoja prej gazetari e veprimtari politik e kuadron “Extra Times” si dëshmi e kujtesë e përbashkët-kolektive; romani ka ngjyresa të gjalla të etnosit shqiptar e fëmijërisë së autorit; përrallat burimore shqiptare të treguara fjalë për fjalshëm, fëmijëria e adoleshenca e tij me ndodhitë e peripecitë rurale e plotësojnë tablonë, e mitologjizojnë biografinë e tij, sikurse ndodh nga ana tjetër edhe me ndodhitë e rëndomta në përditshmërinë e jetës nëpër vende evropiane: vështirësitë nëpër parkime, nëpër korridore të përbashkëta ku ekonomizohet konsumi i energjisë elektrike dhe duhet gjetur çelësi e çasti i rrufeshëm i hapjes së dyerve.

Sa na lejon koha e vendi, nën pushtetin e këndshëm të kënaqësive estetike që të fal leximi i përnjëhershëm i këtij libri të porsaardhur në duart tona, i lejojmë vetes ta përmendim në fund virtytin kryesor-njerëzor të shkrimtarit D. Taçi: nuk e ka bërë veten dhe fatin e tij të veçantë qendër të gjithësisë, provë ontologjike e masë të vlerësimit të ekzistencës universale, por, përkundrazi, përvojën e vet jetësore e ka inkuadruar mjeshtërisht në mozaikun gjigant, spektakolar të botës së madhe, përplot drama, iluzione, hare, joshje, marramendje, fatkeqësi e gëzime të përmasave e të natyrshme të ndryshme.