LAJMI I FUNDIT:

A e shpëtoi Hiroshima Japoninë nga pushtimi sovjetik?

A e shpëtoi Hiroshima Japoninë nga pushtimi sovjetik?

Në orët e para të 24 gushtit 1945, bombarduesit me rreze të gjatë sovjetikë do të ishin ngritur nga baza e tyre jo larg prej portit të Lindjes së Largët të Vladivostokut dhe do të fluturonin për në lindje, përreth Detit të Japonisë, duke hedhur raketat e tyre shpërthyese mbi ishullin verior të Japonisë, Hokkaido.

Në orën 5 të atij mëngjesi, dy regjimente sovjetike do ta kishin rrugën e hapur në tokë, duke u ndjekur pas dy orësh nga një forcë më e madhe. Brenda disa ditësh, dy divizione të këmbësorisë do të gjendeshin përreth Hokkaidos Veriore, duke e ndarë ishullin përgjysmë.


Ky ishte plani i betejës i skicuar nga komandanti i flotës sovjetike në Paqësor, Admirali Ivan Yumashev, në fund të Luftës së Dytë Botërore për të pushtuar Hokkaidon.

Trupat ishin në gatishmëri. Nëndetëset ishin dërguar në brigjet e Hokkaidos për vrojtimin e terrenit, në përgatitje për pushtimin tokësor dhe madje kishin nisur të fundosnin anijet japoneze.

Më pas, sovjetikët do të pushtonin Sakhalinin Jugor dhe do të lëviznin për në pjesën tjetër të Japonisë nëpërmjet varg-ishujve Kuril, që shtrihen nga Hokkaido në gadishullin e Kamchatkas, në veri-lindjen e largët të Rusisë.

Edhe pse Ushtria e Kuqe nuk kishte aq përvojë sa amerikanët në operacionet e tokës, kjo “D’Day” sovjetike në Hokkaido do të kishte qenë një shëtitje – ushtria japoneze ishte shkërmoqur, dhe Perandori Hirohito sapo kishte shpallur kapitullimin.

Ishulli i dytë më i madh Japonez, Hokkaido, ishte i një rëndësie të madhe strategjike. Zotërimi i ishullit nga Jozef Stalini do ta kthente detin e madh të Okhotskut në një liqen sovjetik dhe do të rriste fuqinë detare sovjetike në Paqësor.

Stalini ia kishte vënë syrin një çmimi të madh.

Planet e detajuara operacionale sovjetike, u publikuan një vit më parë të përkthyera në anglisht nga Wilson Center për herë të parë dhe tregojnë të gjitha elementet që ishin menduar për një pushtim të shpejtë sovjetik.

Mungonte vetëm dhënia e pëlqimit përfundimtar, e Stalinit.

Më 16 gusht, udhëheqësit sovjetikë i kërkuan presidentit amerikan Harry S. Truman, ta pranonte këtë “dëshirë modeste” sepse përndryshe rrezikonte të “të fyente opinionin publik rus”.

Vetëm disa muaj më parë, Departamenti amerikan i Luftës kishte marrë në konsideratë që t’i linte sovjetikët që ta pushtonin Hokkaidon dhe madje edhe një pjesë të Honshut, ishullit më të madh të Japonisë, por Hiroshima i ndryshoi qartësisht gjërat për Trumanin.

Zotërimi i një arme të re të fuqishme i dha Trumanit vetëbesimin që t’i caktonte ai kushtet e marrëdhënies së tij me Stalinin.

Më 18 gusht, Truman e sprapsi troç Xhaxha Josefin.

Stalini shtyu gjithçka për më vonë, nisi të peshonte elementet pro dhe kundër. Dy ditë përpara zbarkimit të planifikuar për më 24 gusht në Hokkaido, ai e pezulloi operacionin.

Stalini nuk shquhej për oreks të përmbajtur. Përse u tërhoq ai nga shtënia në dorë e një copëz territori japonez, që do t’i kishte dhënë atij një gur më të fortë për të luajtur në Japoninë e pas-luftës, që do të shpinte ndoshta në krijimin e një sateliti të kontrolluar sovjetik në Hokkaido, njëfarë “Republike Demokratike Popullore të Japonisë”, si model koreano-verior?

Kjo nuk është një pyetje e kotë: Ajo prek mu në zemër atë që mendonim se dinim për Stalinin, Trumanin dhe rolin e deterrentit bërthamor.

Mundësia më e madhe është që Stalini u tremb nga përdorimi i bombës amerikane në Hiroshimë më 6 gusht 1945 dhe në Nagasaki tre ditë më pas, çka dëshmoi se edhe pse nuk donte t’ia dinte për logjikën e arsyes, Moska ishte “tepër e ndjeshme ndaj logjikës së forcës”.

Trumani besoi se me bombën e kishte fituar luftën ndaj Japonisë. Fill pas bombës, vinte arsenali ushtarak amerikan dhe më pas vinte edhe arsenali diplomatik amerikan. Me pak fjalë, Trumani nuk kishte pse ta kërcënonte Bashkimin Sovjetik: Zotërimi i bombës nga ana e amerikanëve e përfshinte vetë kërcënimin. Por si e shihte Stalini këtë?

Së pari, Hiroshima dhe Nagasaki nuk qenë ndonjë shokim i madh për Stalinin, sikurse mund të mendohet. Pavarësisht nga bindja e famshme e Trumanit se Stalini nuk e kuptoi atë kur ai e çoi në mënyrë enigmatike bombën bërthamore në Konferencën e Potsdamit në korrik 1945, Stalini kishte kohë që ishte në dijeni për kërkimet bërthamore të britanikëve dhe amerikanëve.

Duke nisur që nga 1941-shi, agjencitë sovjetike të spiunazhit – NKVD dhe GRU – kishin grumbulluar të dhëna të inteligjencës për bombën, dhe në shtator 1942, Komitetit Shtetëror Sovjetik i Mbrojtjes, i udhëhequr nga Stalini, autorizoi punën për projektin bërthamor sovjetik.

Kjo qe fillimisht një përpjekje e kufizuar: Moska nuk ia dilte dot që të bënte shpenzime masive për përfitime të pasigurta në pikun e luftës së saj me Gjermaninë naziste.

Por në dhjetor 1944, Stalini ngarkoi kreun e pamëshirshëm dhe të plotfuqishëm të Sigurimit, Lavrentiy Beria, që të mbikëqyrte projektin.

Duke shtrirë ombrellën dhe burimet e NKVD-së për kërkimin bërthamor, Stalinit ishte i vendosur që të mos i linte Shtetet e Bashkuara që të shkonin shumë përpara.

Pas Hiroshimës, Stalini i dyfishoi përpjekjet e tij. Ndërkohë që po matej lidhur me pushtimin e Hokkaidos, udhëheqësi sovjetik vendosi të krijonte një “Komitet të Posaçëm”, të drejtuar nga Beria, për një shtytje të plotë për të krijuar bombën bërthamore. Projekti i pagëzua me emrin “Projekti Numër Një”, dhe qe vërtet i tillë, në terma angazhimi burimesh industriale, forcës punëtore dhe ekspertizës shkencore. Skuadrat e shkencëtarëve (përfshi edhe ata gjermanë të kapur) u stimuluan me para dhe të mira të tjera; mijëra skllevër të Gulagëve nisën punën në ndërtim dhe miniera; mijëra gjeologë nisën të kërkonin për uranium që nga akujt e Siberisë, deri te malet e Azisë Qendrore, pa lënë pas dore edhe Europën Lindore të sapo pushtuar dhe Korenë e Veriut.

Gjatë takimit me kreun shkencor të projektit bërthamor sovjetik, Igor Kurchatov, më 25 janar 1946, Stalini hodhi idenë se mund të kishte një mënyrë “ruse” për ta bërë bombën dhe i kërkoi atij që “të punonte shpejt dhe në mënyrë të thjeshtë dhe bazike” – duke u mbështetur në informacionet e mbledhura nga spiunët sovjetikë.

Nuk kishte rëndësi se sa e sofistikuar do të ishte bomba.

Gjithçka që kishte rëndësi, ishte që të kishin diçka në dorë. “Të gjitha shpikjet e mëdha në fillim kanë qenë bazike” tha Stalini, “sikurse ndodhi me lokomotivën me avull”. Stalini e pati “lokomotivën” e tij në gusht 1949, vite më shpejt nga çfarë kishte përllogaritur inteligjenca amerikane.

Sidoqoftë, interesi i Stalinit për bombën nuk do të thotë se ai ishte i tmerruar nga fuqia e saj e jashtëzakonshme. Më tepër, Stalini e donte atë si një simbol prej fuqie të madhe. Ai ishte edhe më pak i goditur nga dobishmëria ushtarake e bombës.

Anëtarët e GRU-së dhe diplomatët sovjetikë në Japoni, bënë disa udhëtime në Hiroshima dhe Nagasaki pas bombave, duke filmuar dëmet dhe duke intervistuar të mbijetuarit. Në një raport të shtatorit 1945, ambasadori sovjetik në Japoni, Yakov Malik, përshkroi përmasën e shkatërrimit, duke argumentuar se “as tramvajet dhe as gjallesat nëntokësore nuk janë dëmtuar” dhe se gazetat japoneze i kishin mbivlerësuar efektet e bombës. /Foreign Policy/mapo.al/

Në trend Botë

Më shumë
E thotë kryeministri britanik: Nëse mposht Ukrainën, Putini nuk do të ndalet në kufirin me Poloninë

E thotë kryeministri britanik: Nëse mposht Ukrainën, Putini nuk do të ndalet në kufirin me Poloninë

Botë
Deklarata skandaloze e Millorad Dodikut nga Rusia: Nuk duam ta ndajmë ajrin me boshnjakët

Deklarata skandaloze e Millorad Dodikut nga Rusia: Nuk duam ta ndajmë ajrin me boshnjakët

Bosnja
Ukrainasit pretendojnë se shkatërruan 314 tanke dhe autoblinda ruse gjatë betejës gjashtëmujore për Novomykhailivkan

Ukrainasit pretendojnë se shkatërruan 314 tanke dhe autoblinda ruse gjatë betejës gjashtëmujore për Novomykhailivkan

Evropa
Rusia fillon tërheqjen e trupave nga Nagorno-Karabaku

Rusia fillon tërheqjen e trupave nga Nagorno-Karabaku

Botë
Pamje të Dubait nga hapësira – ja si dukej, para dhe pas përmbytjeve

Pamje të Dubait nga hapësira – ja si dukej, para dhe pas përmbytjeve

Botë
Sunak do të shpallë paketën më të madhe të ndihmës ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën

Sunak do të shpallë paketën më të madhe të ndihmës ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën

Botë
Kalo në kategori