E PORTOKALLTA


Poezi nga: Odysseas Elytis
Përktheu: Lefter Shomo
Aq shumë e kishin dehur lëngjet e diellit saqë ngadalë-ngadalë ajo ktheu kokën e saj dhe pranoi të bëhej vogëlushja e Portokalltë.
Dhe sikundër të shtatë qiejt vezullonin, ashtu siç e prekte një zjarr i kristaltë i vetëtinin bishta dallëndyshesh.
Lart u stepën ëngjejt e poshtë vajzat.
Lart u shastisën lejlekët dhe nën to pallonjtë..
Dhe u grumbulluan të gjithë së bashku, të gjithë së bashku e panë dhe thirrën: e Portokallta.
Dehet hardhia dhe akrepi, dehet bota mbarë.
Veçse thumbimi i ditës lëndimin s'e ka lënë.
Dëfton për të lauresha xhuxhe në mes të krimbthave .
Tregon për të pulsi i ujit në çaste të artë, e thotë freskia e veriut të mirë në buzën e sipërme:
Çohu o vogëlushja e Portokalltë..
Ashtu si të njihkërka puthja, nuk të njeh asnjeri , as e buzëqeshura Perëndi nuk të njeh, që me dorën e hapur përkundrejt diellit të tregon aq lakuriq mes tridhjetedy erërash.


































