LAJMI I FUNDIT:

E kam zili kur dikush në “banesën e fundit” përcillet me: “Për nder ka qenë burrë shumë i mirë”!

E kam zili kur dikush në “banesën e fundit” përcillet me: “Për nder ka qenë burrë shumë i mirë”!

– Shkrim i publikuar në tri vazhdime në Javoren Politike Shqiptare “Zëri” (shtojcën “Jeta”), në vitin 2003, ku Mirush Kabashi (17 prill 1948 – 5 dhjetor 2023) rrëfeu për jetën, familjen, problemet dhe sukseset –

Nga: Antigona Uka


Jeta e tij është tregim i veçantë, përplot labirinte, përplot sfida, të cilat e kanë përcjellë edhe krahas sukseseve.

“Jam biri i familjes së një emigranti kosovar –  më vjen keq që duhet të përdor këtë term ‘emigranti kosovar në Shqipëri’, por realisht kështu jemi mbiquajtur nga ai mentalitet krejtësisht i mbrapshtë i regjimit komunist”, fillon Mirushi rrëfimin e jetës që nga prejardhja.

“Im atë e ka kaluar kufirin Kosovë-Shqipëri në moshën 13-vjeçare, me dëshirën e familjes që të shkollohej në gjuhën shqipe. Ai nuk ka pasur fatin të shohë babanë e vet, sepse në moshë shumë të re ia kanë vrarë serbët. Është rritur vetëm me të ëmën dhe motrën që ka pasur në Gjakovë. Pasi kanë kaluar në Shqipëri, babai është regjistruar në një shkollë amerikane, që në Shqipëri konsiderohet si shkolla e Fulsit, e një prej personaliteteve të arsimit amerikan i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me hapjen e kësaj shkolle. Pas mbarimit të kësaj shkolle, babanë e kanë caktuar të punojë në Kavajë, si drejtues të centralit elektrik. Aty është njohur me time ëmë, e cila rridhte nga një familje durrsake; kanë bërë lidhjen bashkëshortore, fryt i të cilës jemi ne, katër djem”.

Lindi në Shkodër u rrit në Durrës

Vëllai i madh i Mirushit ka trashëguar emrin e gjyshit. “Im atë, në pamundësi për ta parë babanë, e përjetoi me emrin e të birit. Kishte dëshirë të përtërinte edhe emrin e të ëmës, Mirushes, por përsëri fëmija i dytë i doli djalë dhe i vuri emrin Kujtim. Fëmija i tretë ishte Mirushi, të cilin në pamundësi që të jetë vajzë dhe ta përjetësojë me emrin e së ëmës, atëherë bëri një modifikim dhe nga Mirushe dhe mua më vuri emrin Mirush. Unë jam nga të paktët meshkuj që përkujtoj emrin e gjyshes. Edhe fëmija i katër në familjen tonë ishte prapë djalë, ky është Gëzimi”.

Dy vëllezërit e mëdhenj lindën në Kavajë, pastaj familja Kabashi ka kaluar në Durrës, por në vitin 1948 babai i Mirushit, bashkë me familje, detyrohet të shkojë në Shkodër, si drejtor teknik i centralit elektrik. Po në këtë vit lindi Mirushi…

Babai i Mirushit kishte përjetuar edhe një periudhë burgimi, prej rreth dy vjetëve. Por, jo vetëm babai i tij, por edhe vetë Mirushi kishte hasur në sfida të rënda nga sistemi komunist i asaj kohe, vetëm pse ishte me prejardhje kosovare.

“Më 1952 ne u rikthyem në qytetin e Durrësit. Nëna ime ka punuar si teknike rrobaqepësie, një punë e vështirë, me pak të ardhura, por që të katër fëmijët na shkolluan. Salihu mbaroi shkëlqyeshëm fakultetin për kimi industriale, tashti është në pension; Kujtimi po ashtu mbaroi universitetin në fakultetin e matematikës dhe është doktor i shkencave të pedagogjisë – tashti është në Toronto, si mësues matematike, në një prej gjimnazeve më të evidentuara”.

Ndërsa, Mirushi ishte i detyruar të ndërrojë orinetimin e shkollimit.

Absurditetet e sistemit

“Nga sistemi komunist ka pasur shumë absurditete. Nuk lejohej që fëmija i tretë të shkonte në drejtime të njëjta me dy të parët. Meqë isha pjesëmarrës në disa konkurrime si aktor, të cilat bëheshin në shkollën fillore dhe në gjimnaz dhe isha i evidentuar paksa nga opinioni durrsak, që ky djalë ka talent, u la vetëm kjo alternativë që ose të konkurroja në degën e arteve, ose nuk do të më jepej e drejta e studimit”.

Mirushi kishte marrë pjesë në konkurs dhe ishte pranuar. Fatbardhësisht, ishte edhe dëshirë e tij të ndjek rrugën e artit, edhe pse kjo ishte mundësia e vetme për të.

“Gjatë asaj kohe dëshira ime për të parë shfaqje teatrore, ose për të parë filma, ka qenë e jashtëzakonshme. P.sh., ndonjë film, siç ka qenë ‘Hamleti’, mund ta kem parë 12-13 herë, apo ndonjë shfaqje teatrore. Vetëm të gjeja mundësitë ekonomike për të blerë biletën, ose ndonjëherë edhe për të hyrë vjedhurazi në teatër. Kisha kënaqësi të jashtëzakonshme kur i shikoja aktorët durrsakë të cilët kanë qenë të një niveli shumë të lartë”, përshkruan me pak fjalë dashurinë që atëbotë ushqente për artin Mirushi.

“Akademinë e arteve e kishte mbaruar si një student i mesëm, për të vazhduar punën e aktorit në Teatrin e Durrësit.

Nga aktivitetet artistike Mirushi kujton dy momente si më të veçanta.

“Në shkollën shtatëvjeçare kam qenë angazhuar falë një profesori, në skeçet ose në pjesët e vogla teatrore që gjithmonë kishin karakterin e konkurrimit mes shkollave shtatëvjeçare. Pastaj, në gjimnaz, pas dy vjetëve të para, krejt rastësisht nga seksioni i arsimit thonë që do të ketë një konkurrim midis gjimnazeve. Atëherë grumbullohet edhe grupi artistik i gjimnazit tonë, ku kam marrë pjesë edhe unë. Shfaqja me të cilën morëm pjesë ishte ‘Qielli i kuq’ i Tefik Çaushit, në të cilën unë luaja rolin e një kuestori italian. E mbaj mend sepse ky rol u evidentua në atmosferën e kësaj olimpiade dhe u shkrua edhe në gazetat lokale, që ky djalosh gjimnazist e luajti mirë rolin. Kjo i shtyri edhe profesorët e mi që të ngulin këmbë që unë patjetër të vazhdoja rrugën e artit.”

“Roli i parë në teatër ka qenë një rol jashtëzakonisht i madh. Fillova punën në teatër duke m’u besuar roli i Klestakovit nga komedia ‘Revizori’ i Gogolit.”

“Ishte një thikë me dy presa: në qoftë se unë do ta kaloja me sukses këtë provë shumë të madhe dhe të vështirë, atëherë do të më hapej rruga edhe për role të tjera; por, nëse nuk do të arrija, ndoshta do të ishte fundi i karrierës – do të zvarritesha në teatër në rolet e treta apo të katërta. Kam punuar me një përgjegjësi të jashtëzakonshme; roli kërkonte moshë të re, por një eksperiencë të vjetër. Atë kohë isha 24-vjeçar, aq sa ishte edhe personazhi, por këtë rol gjithnjë e kishin luajtur aktorë që ishin dyzetvjeçarë. Nuk them se arrita në nivelet e rolit, sepse ai është një rol i stërmadh, ku kërkohet eksperiencë dhe ke se çfarë t`i japësh. Por, një gjë mund ta them me siguri: në teatër ai u evidentua dhe kolegët e vjetër më pranuan me shumë dashamirësi dhe me besim në krahët e tyre. Pas disa shfaqjeve fillova të kem kërkesa edhe nga regjisorët e filmave artistikë …”

Një fjalë e Enver Hoxhës ma hapi një rrugë të re …

Por, për fat të keq, Mirushi nuk lejohej që të luajë në film për shkak të historisë së babait, pastaj për shkak edhe të një daje që e kishte të pushkatuar dhe të një daje tjetër që ishte intelektual, i cili fliste 5-6 gjuhë të huaja, por kryesisht pse ishte djalë i një emigranti kosovar. Dhe, jo vetëm që nuk i lejohej të marrë pjesë në filma, por në ’75-tën e kishin larguar nga teatri vetëm për shkak të biografisë.

“Atëbotë u detyrova të shkoj të punoj si punëtor në ndërmarrjen e hekurudhës në Durrës, me ato iluzionet që kisha ngritur për karrierën në aktrim …”.

Për një moment, Mirushi kishte gjykuar se mori fund karriera e aktorit. Kjo kishte ndikuar që të regjistrohet në një shkollë teknike dhe të ngrihet një kategori më lart, në mënyrë që të ketë një pagë paksa më të mirë.

“Po, hoqa shpresë që unë mund të vazhdoj me teatër. Por, anëtarët e atij kolektivi që pata në ndërmarrjen e hekurudhës ishin djem me të vërtet të hareshëm dhe më ndihmuan goxha shumë që unë ta kapërcej këtë situatë të vështirë dhe të inkuadrohem e ta pranoj fatin ashtu siç është. Gjykova që unë nuk jam as më i mirë as më i keq se këta djem që punonin këtë punë”, thotë me modesti Mirushi.

Pas dy vjetëve, më 1977, falë dashamirësisë së një sekretari të parë që ishte vënë në Durrës, i cili kishte ndjekur më herët shfaqjet ku luante Mirushi, ky i fundit i ishte rikthyer teatrit. Një vit më vonë Mirushi pati një kërkesë nga Ylli Pepo, regjisor, që të luajë në filmin “Emblema e dikurshme”. “Po atë vit mora pjesë në filmin ‘Koncert në vitin 1936’. Roli im atëbotë tërhoqi vëmendjen e kritikës, por për fatin tim të mirë edhe vëmendjen e udhëheqjes së partisë. Në një nga këto plenume që flitej për artin, në Komitetin Qendror, Enver Hoxhës i bëjnë përshtypje dhe i përmend dy aktorë: mua dhe Robert Ndrenikën që, për analogji, edhe ai kishte shumë probleme biografike. U desh vetëm kjo shprehje e Enver Hoxhës që mua të më hapet një rrugë, ose të kem një frymëmarrje krejt tjetër në lëmin e kinematografisë, teatrit, por edhe në lëmin e koncerteve”.

Kujdesi për vëllain

Pasi Mirushin e kishte shquar Enver Hoxha, si njërin ndër aktorët më të mirë, ai kishte filluar të marrë frymë më lirshëm. Rruga për xhirime të filmave të rinj ishte hapur.

“Atëkohë aktrova në filmat ‘Kohë e largët’, ‘Karnavalet e Korçës’, ‘Dora e ngrohtë’ ‘Edhe ashtu edhe kështu’ etj. U ftova të prezantoj dhjeta koncerte të Vitit të Ri në TVSh”.

Por, krahas këtyre angazhimeve të ngjeshura, çfarë e karakterizonte jetën private të Mirushit, a kishte ndonjë dashuri të paharruar nga ajo kohë, ndonjë takim të veçantë?!

“Para se të përgjigjem në këtë pyetje, më thoni a shkon revista juaj në Tiranë, a mund t`i bjerë në dorë time shoqeje?! Ajo punon në Bibliotekën Kombëtare, më mirë të mos rrezikoj”, bën humor Mirushi, për të vazhduar t’i përgjigjet pyetjes me sinqeritet. “Nuk ka njeri të mos ketë historitë e tij, historitë e profesionit, por edhe ato intime. Edhe unë kam pasur historitë e mia të kësaj natyre. Por, për arsyeja të një martese të vonshme, sepse unë jam martuar në moshën 39-vjeçare, ka qenë një problem i karakterit shëndetësor-familjar. Në familjen tonë, vëllait të vogël, i cili mbaroi shkollën me rezultate të shkëlqyeshme, nuk iu dha e drejta e shkollimit përkundër faktit që kishte të gjitha dhjeta. Ai u detyrua që të kryejë ushtrinë dhe pastaj të kryejë punë të rëndomta. Kjo i krijoi një depresion shpirtëror goxha të thellë. Kjo situatë, kjo fatkeqësi, për fatin tonë të mirë, nuk përfundoi keq. Unë u angazhova të ndjek mbarëvajtjen e shëndetit të vëllait. Dhe për 10 vjet nuk ka qenë profesioni, por mbarëvajtja e shëndetit të tij që përcaktonte drejtimin kryesor të përkushtimit tim”.

Sot, Gëzimi, vëllai i Mirushit, është mirë me shëndet, ka familjen e tij dhe me profesion është gazetar.

Natyra e turpshme e Lolës!

Në vitet 1986-’87, Mirushi thirret si pedagog i jashtëm i aktrimit në Akademinë e Arteve të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe ai njihet me një vajzë të cilën e kishte studente. “Ajo nuk shquhej shumë. Ishte natyrë e turpshme, goxha e tërhequr, jo e hedhur në profesionin e saj. Por, mbase këto cilësi tërhoqën vëmendjen time; ajo ishte edhe një vajzë me goxha edukatë. Atëherë preferova që me atë vajzë të shikoj mundësinë për krijimin e një lidhjeje bashkëshortore”.

Pas dy vjetësh mësimi të ‘nuses’, Mirushi dhe Lola u martuan.

“Martesën e bëmë në një periudhë kur unë xhiroja një film ‘Zëvëndësi i grave’. Nuk kisha mundësinë për të pasur traditën e muajit të mjaltit, madje kinostudioja me mikrobusin e tyre më dërgoi për të marrë nusen e cila ishte nga Korça. Me atë makinë e kam marrë nusen, kemi ardhur në Durrës ku kemi bërë një dasmë shumë të madhe që e kujtojnë gjithë kolegët e mi”.

Por, menjëherë pas dasmës, Mirushi ishte obliguar që të shkojë drejt e në xhirim. Në këtë kohë, me ngulmimin e babait të tij, ai ishte vendosur në një banesë të vogël në Durrës, bashkë me gruan. “Mbi bazën e kësaj lidhjeje bashkëshortore, Zoti më fali dy vajza: Mendin e cila kujton emrin e nënës sime, Menduhije, dhe Eni që kujton emrin e nënës së gruas sime”.

Lidhja bashkëshortore e çiftit Kabashi nuk i takon të njëjtit besim fetar. Megjithëse për ta nuk përbën asnjë lloj shqetësimi: gruaja e Mirushit është ortodokse, ndërsa Mirushi bektashian. “Nuk jam besimtar fanatik, por e respektoj shumë besimin e të gjitha feve. Vajzat nuk i kam kufizuar, mund të shkojnë të falen në xhami, në kishë katolike, ne kishë ortodokse. Por, të gjykojnë vetë dhe të marrin një edukatë fetare dhe ta mëshirojnë në veten e tyre, në psikologjinë e tyre, ngase parimet kryesore të fesë janë shumë të nevojshme për ndërtimin e një shoqërie të civilizuar”.

Viti 1987 përbën një moment trishtues në jetën e Mirushit dhe familjes së tij. Në kohën kur Mirushi kishte titullin si artist i merituar, ai gjithmonë, pa dashje, vlerësonte më shumë anën biografike sesa atë artistike. “Thosha: ja po më japin dhe tituj, tashti kanë besim, nuk më ngacmojnë më … Sepse, tërë kjo përbente një shqetësim të vazhdueshëm dhe një perlë psikologjike shumë të rëndë që na linte gjithmonë të kërrusur dhe të frikësuar … Çuditërisht, tim atë e thërrasin në degën e Punëve të Brendshme, një muaj pas vdekjes së Enver Hoxhës, të cilin e izolojnë dhe e lëshojnë pas një jave. Atëkohë kishte 75 vjet. Pasi e kishin akuzuar për diçka që nuk kishte bërë, në fund fare i kishin thënë ‘ti shko, por atyre djemve tuaj do t’ua ulim hundët’. Se çfarë kishim bërë ne, unë as sot nuk e kam të qartë, mbase vetë përparimi ynë i pengonte”.

Por, në bazën e asaj edukate që kishin marrë, të katër vëllezërit punën e merrnin shumë seriozisht. Siç shprehet edhe Mirushi, e para dhe e fundit këshillë e prindërve të tij ka qenë kjo: “Në punë të jeni sa më të devotshëm, në marrëdhënie me njerëzit t’u krijoni sa më shumë të mira – edhe nëse u bien në qafë, mos ua ktheni në të njëjtën mënyrë, por përpiquni që nëpërmjet punës t’u tregoni se kanë gabuar”.

POEM KOSOVAR: Dhe këndova kosovarin, njerinë që banon n’atë vend ‘prej qindra vjet- prej mijra vjet- rrënjë pas rrënje’
Lexo po ashtu POEM KOSOVAR: Dhe këndova kosovarin, njerinë që banon n’atë vend ‘prej qindra vjet- prej mijra vjet- rrënjë pas rrënje’

“Poem kosovar” – monument i kombit shqiptar

Peripeci pas peripecive, Mirushi kishte arritur edhe sukseset e veta. Ai tashmë ishte i njohur ngado. Kishte filluar të ushtrojë edhe recitimin, krejt rastësisht më 1986, nga miku i tij Gjergj Blashi – regjisor i estradës së Durrësit – të cilit i kishte rënë në dorë “Poemi kosovar” i Mitrush Kutelit. “Gjergji më tha: ‘Lexoje se ka diçka shumë të bukur edhe për ty, por, të lutem, kujdes se është botim i ndaluar’. Unë e mora, e lexova, e përpiva, u përlota disa herë. ‘Poem kosovar’ për mua është një monument i kombit shqiptar, sepse në një poemë e cila zgjat jo më shumë se 7-8 minuta, vetëm një njëri i madh si Mitrush Kuteli mund të përmbledh gjithë historinë, gjithë tragjizmin e kësaj treve të Shqipërisë, tragjizmin e kosovarit i cili ka pasur absurditetin të mos gëzojë tokën e tij, me gjithë kontributet e jashtëzakonshme, me gjithë lashtësinë”.

Një nga gjërat që Mirushit i kishte bërë përshtypje në poemë dhe që e kishte pyetur Gjergjin, ishte pse në këngën e tretë shkruhet:

Ta shemba shkjah kufinë
që ngrite ti
në Vendin tim
e përmbi varr
të Babës tim.

Ta shemba
ta dogja;
me zjarrin e shpirtit
të vajtjes
dhe të urrejtjes.

Gjergji i kishte treguar që poema është shkruar në vitin 1943. Ndërsa, Mirushi e recitonte kështu: “Do ta shëmb, shkja, kufirin …”! Sepse, siç shprehet Mirushi, “konkretisht në Kosovë, shkjau ishte ende sundues, për ironi të fatit”.

Vizita e parë Kosovës ishte më 1992 dhe atë për një rast vdekjeje. “Më vdiq halla, i vetmi njeri i afërm i babës. Bashkë me të atin erdha për herë të parë në Kosovë. Pas ca ditësh u ftova të marr pjesë në një manifestim në Pejë. Aty edhe recitova ‘Poemin kosovar’. Nuk e harroj kurrë atë ditë, pritjen dhe ngrohtësinë e publikut kosovar”. Por, kishte ardhur dhe dita kur Mirushi kishte recituar këtë poemë – ashtu siç ishte origjinali. Kjo kishte ndodhur menjëherë pas çlirimit të Kosovës në koncerte të ndryshme, ku Mirushi i bënte me lot spektatorët kosovarë.

Ofertat politike

Koha e ndërrimeve të mëdha në Shqipëri ishte edhe kohë e ofrimeve të pozitave të ndryshme për personalitetet e vendit. Edhe Mirushit i ishin ofruar pozita të ndryshme partiake, por që të gjitha i kishte refuzuar, duke mbetur vetëm aktor.

“Edhe sot ia di për faleminderit qëndresës sime që nuk u bëra pre e ofertave të partive të ndryshme politike, që më ofronin për të qenë deputet, për të marrë ndonjë post, por që qëndrova në pozicionin që artisti duhet të jetë mbi partitë, sepse partitë janë part, pra pjesë, ndërsa ne i takojmë gjithë popullit”, thotë ai.

Sipas tij, partitë, pavarësisht nga demagogjitë që thonë, dihet se tendencën e kanë për të përfituar karriget, benefitet. “Dhe, e them me gojën hapur”, shprehet Mirushi, “se një pjesë e mirë e militantëve të partisë janë njerëz me aftësi të kufizuara, të cilët në pamundësi për të çarë mbi bazat e profesionit të tyre, kërkojnë beneficione në politikë. Nuk dua të mohoj faktin që ka edhe personalitete të vërteta që gjykojnë të kontribuojnë në rrugë më të mirë”.

Apologjia e Sokratit, një thirrje e përhershme
Lexo po ashtu Apologjia e Sokratit, një thirrje e përhershme

Nostalgjia për publikun e Kosovës

Më 1993 Mirushi ishte zgjedhur drejtor i teatrit të Durrësit, madje këtë zgjedhje ai e quan fatkeqësi, meqë ishte në dijeni se duke qenë një shpirt artisti nuk mund të futej në administratë. Pastaj, Mirushin e pengonte fakti që mendësia politike në Shqipëri ishte po e njëjta me atë që kishte qenë.

“Pata shumë konflikte me administratën. Me këtë zhgënjim kam ikur nga Durrësi dhe kam filluar punën në TVSh, për pesë vjet rresht. Kam bërë emisione të cilat tërhoqën vëmendjen e publikut … Më 1998, erdhi si drejtor i televizionit një njeri i paskrupullt, Edi Mazi, që sot është i akuzuar dhe i penalizuar, e i cili atëbotë më largoi nga puna”, thotë ai, i zhgënjyer.

Si shumë krijues, edhe Mirushi kishte keqbërës të cilëve ai vetë thotë se “në njëfarë mënyre u falënderohem që më kanë motivuar që të punoj dhe t’i kapërcej ato pengesa”. Ai e ka zili kur në “banesën e fundit” përcillet dikush dhe për të thuhet “për nder ka qenë burrë shumë i mirë”. Kjo, sipas tij, është një pasuri e jashtëzakonshme, që i lë jo vetëm vetvetes, por edhe familjes. “Pasuria më e madhe është pasuria e moralit, pasuria e mbiemrit, si e merr dhe si e len”.

“Herën e parë kur erdha në Kosovë me ‘Apologjinë e Sokratit’ [maj 2002], kishte politikanë të nivelit të lartë; ishte edhe administratori i Kosovës, Michael Steiner, të cilit i përkthente afër nusja e tij”.

Por, çfarë mendon vetë Mirushi për shfaqjen, a i diskrediton politikanët që kanë rastin ta shohin?!

“Unë nuk gjykoj që ajo shfaqje i diskrediton politikanët. Sigurisht ajo është pasqyrë e madhe ku secili nga politikanët e shikon vetveten dhe në qoftë se kanë qenë gabim, atëherë kjo lloj pasqyre ua zmadhon, ua bën më të dukshëm gabimin dhe i bën që t`u vijë turp. Por, unë nuk e konsideroj këtë si një tendencë diskreditimi, unë e konsideroj si një ndihmë të madhe që letërsia dhe arti u japin këtyre njerëzve që gjithmonë t`i gjykojnë gjërat me përgjegjësi dhe të gabojnë sa më pak në jetën e tyre. Të kuptojnë që absolutisht asnjë gabim i tyre në këtë profesion që kanë, në profesionin e politikanit, nuk është i fshehur dhe as nuk mund të fshihet”.  /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
VETMI

VETMI

Fjala+
Tedi Papavrami: Krijimtaria e lartë, fryt i vuajtjes njerëzore

Tedi Papavrami: Krijimtaria e lartë, fryt i vuajtjes njerëzore

Kulture
TI MË GJETE

TI MË GJETE

Poezi
ZEMRA IME

ZEMRA IME

Poezi
“Njeri i madh”, si shaka …

“Njeri i madh”, si shaka …

Kulture
Mendja e robëruar

Mendja e robëruar

Fjala+
Kalo në kategori