Nga: Luan Rama

Më kujtohet kur shumë vite më parë, aktori i mirënjohur Mirush Kabashi, nga Tirana më telefononte për përkthimin në frëngjisht të tekstit të tij për shfaqjen e “Apologjisë së Sokratit”. Kjo shfaqje më entuziazmoi, pasi kjo pjesë dramatike, ky monolog i shkrimtarit modern grek Varnalis, bazuar në Apologjinë e Sokratit të Platonit kishte një aktualitet të jashtëzakonshëm. Filozofi i madh i fliste kështu të gjitha kohërave. Dhe, shfaqja në një teatër të madh të Parisit u prit me një entuziazëm të madh jo vetëm nga loja aktoriale e Kabashit, por dhe të aktualitetit dhe ngërçit të shoqërisë shqiptare të kapur nga korrupsioni i elitës politike, i gjyqtarëve grabitës të paskrupullt, nga mungesa e lirisë, dhuna ndaj fjalës së lirë dhe krijimi i një oligarkie të re në një shoqëri demokratike, por që në të vërtetë ishte një “demokraturë”, pra një bashkim kontradiktor i demokracisë me diktaturën. Padyshim, “Apologjia e Sokratit” duhet rishfaqur sërish dhe duhet shfaqur madje në mjediset më popullore, ashtu siç duhet të shfaqet ajo në të gjithë botën, pasi demokracia është një proces i vazhdueshëm.

Reklama
Reklama

Sokrati nuk e kishte menduar se një njeri, dikush, një i zakonshëm si unë, i pasionuar pas historisë dhe letërsisë, hipur në një avion në linjën Paris-Tiranë do të shkruante diçka për të dy mijë vjet më vonë. Nuk di ç’kishte menduar realisht Sokrati për qiejt, për fluturimin një ditë të njeriut mbi tokë. Por, me siguri, kureshtar siç ishte, për njeriun, shoqërinë njerëzore dhe botën, qiejt dhe enigmat e galaksisë, gjithë kjo do ta ketë bërë të mendojë gjatë padyshim. Njohjen e qiejve ua kishte lënë njerëzve të shkencës, fizikës, të cilën e adhuronte, por Greqia jetonte atëherë veçse me artin, politikën dhe fenë. Ishte shekulli i Perikliut. Shkruaj për të, pasi jo vetëm jeta kaotike shqiptare, historia e oligarkëve të rinj dhe e njerëzve të varfëruar së tepërmi të bën të mendosh gjithnjë për Sokratin, por edhe pse ai mbetet një referencë e jashtëzakonshme e botës moderne, ndërkohë që kanë kaluar më shumë se dymijë vjet.

Reklama
Reklama

Ç’pamje kishte Sokrati?… Në tregimet pas vdekjes së tij thoshin se ai kishte një pamje të shëmtuar, ashtu me një shtat të shkurtër dhe që nuk kujdesej fare për veten, si të ishte një njeri i rëndomtë i rrugëve të Athinës që endej gjithë ditën i ndjekur nga ithtarët e tij dhe të rinj që donin të dëgjonin plakun e mençur e hokatar. Sipas fjalëve të Alcibeiades në “Dialogjet” e Platonit, “edhe pse i shëmtuar, fjalët e tij, burrat dhe gratë, i bënin të kishin admirim për të”. Alcibeiade, mik i tij, kujtonte se “ai ishte i shëmtuar, por fshihte në vetvete shpirtin më të bukur dhe moralin më të pastër”. Menon kujtonte në shkrimet e tij se “një ditë tek po dëgjonte Sokratin që fliste, ai i kishte thënë Platonit: Duke e dëgjuar m’u duk se u drogova; aq shumë më magjepsi, saqë tani nuk di se çfarë mendoj”.

Reklama
Reklama

Sokrati kishte një sharmë të jashtëzakonshëm. Ishte një lloj shamani i ditëve tona. A nuk thoshte Sokrati se “ai shëronte shpirtrat e njerëzve nga dhimbjet”? A nuk thoshte Fedon se “ai na shëroi”? Ksenofoni shkruante se “Sokrati jetonte jashtë, i pëlqente të flinte më shumë në natyrë”. Mëngjeseve shëtiste dhe shkonte gjimnazeve apo në vende ku kishte shumë njerëz. E gjeje në “agora” dhe qëndronte në të njëjtin vend që njerëzit ta dëgjonin. Të tjerë shkrimtarë dhe filozofë të kohës e paraqesin nëpër rrugët e Athinës, tek shëtiste buzë lumit Ilisos apo në sheshin e Akademisë. Në një shtëpi të pasur shkonte dhe takohej me sofistët e bisedonte me ata si Protagoras, Hipias, Prodikos etj. Rrallë pranonte të shkonte nëpër banketet e fisnikëve athinas.

Reklama
Reklama

Në veprën e tij “Retë”, Aristofani e paraqet atë të rrethuar nga nxënësit e tij dhe “me kokën nëpër re”. Bashkëqytetarët e Sokratit shkruanin se ai ishte biri i Sofroniskosit, një skulptor i njohur dhe i Finaretes, e cila ishte mami. Siç thoshte Sokrati, “nëna ime pret lindjen e fëmijëve dhe unë bëj të njëjtën gjë me shpirtrat”. Ai lindi në vitin 469-470 para erës sonë në Athinë. Në rini Sokrati donte të bëhej skulptor apo artizan si i ati, madje disa thonë se kishte krijuar në skulpturë “Tri hiret” për zbukurimin e Parthenonit, por shpejt e braktisi këtë profesion meqë pëlqente më shumë fizikën dhe shkencat e natyrës. Lexonte shumë, por më së fundi u pasionua pas meditimeve dhe filozofimeve për njeriun, botën dhe shoqërinë humane. Më pas u martua me Ksanthipin, një vajzë shumë më të re se ai dhe pati dy djem. Tregohet gjithashtu se ai shpesh e ngacmonte atë dhe u tregonte shokëve qyfyret me të, meqë ajo ishte disi gjaknxehtë dhe tridhjetë vjeçe më e re. Jetonte thjeshtë. Ndodhte që dilte zbathur, me këmbët e palara dhe me rrobat që kishte fjetur një natë më parë. Të tjerët thoshin për të se “madje asnjë skllav nuk e mban veten të lënë pas dore si ai”.

Reklama
Reklama

Platoni dhe Ksenofoni në shkrimet e tyre lenë të kuptosh se në këtë kohë ai ishte i varfër, pasi edhe pse u jepte mësime të rinjve, ai nuk u merrte para. Madje nuk e dëshiron paranë, kamjen, pasi marrjen e parave të tjerëve e quante një lloj prostitucioni dhe nuk donte të paguhej për konferencat e tij. Në të kundërt, kishte dëshirë t’i dëgjonte të tjerët e atëherë fillonin refleksionet e tij mbi thelbin e bisedës. Një nga periudhat që do të linte gjurmë në jetën e tij ishte koha kur shkoi të luftonte me ushtrinë athinase në luftën e Peloponezit kundër Spartës, ku provoi urinë, të ftohtit dhe egërsinë e luftës. Por, natyra e kishte bërë atë të duruar dhe me shumë kurajo. Në një nga betejat ai u kishte shpëtuar jetën, Alcibeadit në Betejën e Potides, 430 p.e.s. dhe Ksenofonit në Betejën e Delionit 424 p.e.s., që të dy ata të plagosur, por trimëria e tij i shpëtoi ata. Një herë, oligarkët, siç i quante ai, i kërkuan që bashkë me katër të tjerë të shkonte dhe të vrisnin dikë pa e gjykuar më parë. Kur ata shkuan dhe e morën për ta vrarë, Sokrati nuk pranoi ta vriste, pasi si mund të vritej një njeri pa e ditur fajin që ka bërë? Dhe, kështu ai u largua. Këtë gjë në fakt ia kishte kërkuar “Këshilli i të Tridhjetëve” të qytetit. “Këtë gjë do ta pagoja sigurisht me jetën time”, kujtonte Sokrati, “ por lumturisht, ‘Të Tridhjetët’ u rrëzuan shpejt nga pushteti”.

Reklama
Reklama

Vit pas viti, duke studiuar shoqërinë athinase, duke vëzhguar jetën e njerëzve dhe dramat e tyre, ai zbuloi fenomenet negative të kësaj shoqërie dhe jepte mendimet e tij se si duhej të rregulloheshin këto “Ja pse kundër meje”, kujtonte ai, “u ngritën plot shpifje dhe fisnikët e qytetit më urrenin”. Dhe, vërtet, Sokrati ngulmonte gjithnjë: “Nuk mund ta jetoni siç duhet këtë jetë nëse nuk luftoni padrejtësinë në ‘cité’ (qytet)”. Megjithatë ai e kërkonte ekzistencën e shtetit, ruajtjen e sistemit të demokracisë. Sokrati ishte një mik i popullit, i “demos”-it, por siç shtonte ai, “çështja ishte tek funksionimi i ligjeve, institucioneve, i demokracisë reale, jo në letër, por në praktikë, në jetën e gjallë të popullit”. Duke kritikuar Alcibeiden, i cili pa u arsimuar mirë iu fut politikës për të bërë emër dhe fituar pushtet, ai e porosiste: “Përse je futur në politikë para se të marrësh arësimin e duhur. Por ti nuk je i vetëm. Shumica e atyre që merren me menaxhimin dhe administrimin e çështjeve të qytetit janë të tillë”.

Reklama
Reklama

Në veprën e Ksenofonit, “Memorables”, ka një dialog të Sokratit me vëllain e Platonit, Glaukon, një djalosh që ëndërronte karrierën, i cili donte t’i futej politikës dhe ku Sokrati e këshillon: “Si mund të bëjë karrierë e të drejtojë jetën dhe zhvillimin e qytetit, kur ai nuk njeh asgjë nga të ardhurat, financat e qytetit, shpenzimet, mbi forcat ushtarake, shfrytëzimin e minierave, problemet e prodhimit apo furnizimit të qytetit me dritë?…” Në fjalimet e tij për moralin dhe vendosjen e paqes sociale ai merrte shembull Spartën dhe sistemin e saj, duke bërë thirrje që atë sistem të vendosnin dhe athinasit. Sigurisht, që të arrinte në formulime të tilla, ai kishte bërë si të thuash të tijën shprehjen e famshme të orakujve në tempujt e Delfit: “Gnothi seaton! Njih vetveten!”. Kështu i kishte thënë Pithia kur shkoi në Delf ? Dhe ai këtë shprehje e bëri të vetën.

Reklama
Reklama

Ai kurrë nuk botoi një vepër, pasi pasioni i tij ishte të meditonte, të deklaronte mendimet e tij, të ironizonte të metat, të bënte humor me hyjnitë dhe pushtetet. Filozofia e tij shprehej në oratorinë e tij, në idetë mbi shoqërinë dhe të ardhmen e saj, për përsosjen gjithnjë të demokracisë së vendosur në Greqinë antike, pasi ai e kuptonte se demokracia ishte ende e brishtë se ajo nuk ishte e përsosur dhe se së pari duheshin ndërtuar raportet e drejta të njeriut me pushtetin, me pasurinë, pronën, kontributin shoqëror, etj. Ata që kanë shkruar për të kanë qenë së pari Platoni, më i ri se ai dhe një nxënës i flaktë që e adhuronte mjeshtrin e tij. Ishte ai që shkroi “Apologjinë e Sokratit”. Po kështu, autorë të tjerë ishin Kritoni, për kohën e proçesit dhe burgut, Fedoni për çastet e fundit të jetës së tij etj.

Sidoqoftë, Platoni ishte ai që shkroi më shumë dhe më bukur për të. Kur Sokrati vdiq, Platoni ishte 24 vjeç dhe ai do ta shikonte më pas dekadencën e demokracisë greke. Edhe pse në fillim ëndërronte të merrej me politikë, të bëhej filozof si mjeshtri i tij, shpejt Platoni e kuptoi se politika ishte kthyer në një lloj fushëbeteje të egër. Kështu, ai iu drejtua letërsisë. Filloi të shkruajë dhe të botojë librat e tij.

Në vitin 399 para erës sonë, në Athinë zhvillohej gjyqi kundër Sokratit në praninë e 501 gjyqtarëve, të një gjyqi popullor. Melotos, Anitos dhe Likon, fisnikë dhe njerëz të tjerë të pushtetit, e akuzojnë Sokratin se “ndryshe nga të tjerët, pra nga ata, ai nuk i njeh hyjnitë e qytezës, dhe se “kërkon të fusë hyjni të reja dhe të korruptojë rininë”. Në kor ata deklaronin se “Sokrati është një faktor i madh se nuk i beson hyjnitë që njeh shteti. Ai është fajtor se ka korruptuar rininë!”… Meletos ishte një poet i ri dështak dhe i panjohur, por ai ishte vegël e Anitos, një pronari të madh dhe i afërt i pushtetit.

Athina në atë kohë kishte 30 vjet që ishte në krizë si pasojë e luftërave, shpartallimeve të saj apo e pushtimeve, si pasojë e murtajës dhe luftërave civile, ku qytetarët e saj kishin rënë në një dëshpërim të plotë. Pra, duhej gjetur një fajtor, një shkaktar për gjithë këtë rrënim dhe ai duhej dënuar. Por, para akuzatorëve dhe gjyqtarëve, siç tregonte Hermogjen (sipas Ksenofonit), i cili ishte në sallën e gjyqit “Sokrati nuk kërkoi të justifikohej dhe as që ta mëshironin gjyqtarët”. “Një gjyqtar”, tha ai, “nuk është në tribunën e gjyqit për ta përdorur ligjin që të favorizojë dikë, por që të vendosë drejtësinë. Ai është betuar jo që të favorizojë ata që do, por të gjykojë sipas ligjeve.”

Meletos kërkoi vdekjen e Sokratit, por siç shkruan Platoni, Sokrati bëri aty apologjinë mbi moralin dhe të drejtën. Gjyqi i Sokratit ishte një nga spektaklet më te bujshme të kësaj epoke: një filozof para 501 gjyqtarëve. “Po”, thoshte atë ditë ai (siç shkruan Platoni), “është e vërtetë që sot po më nxjerrin para gjyqit në moshën 70-vjeçare”. Pasaniku Anitos, taneur foli përsëri: “Sokrati është fajtor se po bën kërkime të papërshtatshme për atë që ndodh nën tokë dhe në qiell, duke bërë argumentin më të parëndësishëm, të rëndësishëm e duke ua mësuar këtë të tjerëve. Ai është fajtor se ka korruptuar rininë që ajo të njohë jo hyjnitë e shtetit, por hyjni të tjera.”

Kur dëgjoi akuzën me vdekje kundër tij dhe ku sipas votimit 280 ishin për vdekjen e tij dhe 221 për ta liruar atë si të pafajshëm, Sokrati foli përsëri: “Më mirë të vdes me fjalët e mbrojtjes time se sa të kem faljen e këtyre njerëzve të ulët”. Dhe, më pas ai vazhdoi se “Vdekja e tij nuk do ti japë fund ankthit të tyre, sepse të tjerë do ta vazhdojnë veprën e tij”. Ksenofoni që përshkruan dënimin e filozofit, tregon se kur Sokratin e morën për ta çuar në qeli, “gruaja e tij nisi të qante me klithje e ta vajtojë, por Sokrati i kërkoi që të qetësohej “.

Më së fundi vendimi ishte dhënë: Sokrati dënohej me vdekje!

Meqë ishte koha e pelegrinazheve në Delos dhe anija e shenjtë ishte nisur në det të hapur, që qyteti të mos njollosej nga krimet e ndëshkimet, atëherë duhej që dënimet të zbatoheshin pas festave. Askush nuk mund të ekzekutohej. Kështu, Sokrati shkoi dhe u mbyll në qeli. Kjo zgjati rreth një muaj në kodrinën e quajtur Filopapu, në një guvë gëlqerore me plot dhoma të sajuara që sot ndodhet pranë kishës Aghios Dimitrios. Një nga fjalimet e fundit të Sokratit ishte ai rreth raporteve të trupit dhe shpirtit. Sokrati kishte vendosur të vdiste si një filozof i vërtetë. Më kot miqtë e tij shkonin ta bindnin që të pranonte alternativën tjetër, të mërgonte dhe të linte menjëherë Athinën. Por si mund ta pranonte ta linte vendin ku kishte lindur dhe ku kishte luftuar për të? Si mund t’i linte ato rrugë dhe sheshe ku kishte folur aq shumë për të drejtën dhe lirinë. Kjo do të thoshte se ishte një frikacak, se i mohonte pohimet e tij dhe se nuk i njihte hyjnitë e vendit. Në fund të fundit, vdekja në Greqi ishte diçka e respektuar, madje i vdekuri adhurohej. Bardët e hershëm i kishin kënduar gjithnjë vdekjes.

A nuk kishin kënduar kështu vargjet e Homerit tek “Iliada” dhe “Odisea”? Të vdisje do të thoshte që shpirti të shkëputet nga trupi që mbetet vetëm. Pra, ai donte që ky shpirt mos të mbetej në burg apo në ndonjë varr, por të jetonte tek njerëzit. Ai besonte se kështu shpirti do të jetonte… Madje po të ikte nga qelia, ai do të dilte para të tjerëve si fajtor dhe të mbante turpin mbi shpinë, pasi e dinte se e drejta ishte në anën e tij. Përpara tij, edhe njerëz të tjerë filozofë dhe të mençur, njerëz të dijes dhe të së drejtës ishin çuar para gjyqit të qytetit siç kishte qenë Anaksagor apo Diagoras. Po kështu ishte dënuar Melos, se gjoja shpërndante frymën e mistereve, apo Protagoras, i cili u dënua si ateist dhe veprat e tij u hodhën të gjitha në zjarr.

Kështu do kalonin ditët gjersa më së fundi festimet mbaruan. Siç shkruhet dhe në fjalët e fundit të “Apologjisë” së Platonit, Sokrati u kishte thënë miqve të tij që kishin ardhur ta takonin para se ta merrnin: “Ja pra, erdhi çasti të ndahemi: ju për të jetuar dhe unë për të vdekur. Cila pra është më mirë, ajo ku do të shkoj unë apo ju?!” Para se ta pinte kupën e helmit ai kërkoi të bënte një banjë. Pastaj takoi fëmijët dhe Ksanthipin. “Pse qan”, i tha gruas së tij, “ne të gjithë jemi të dënuar padrejtësisht! Do ishte mirë po të më kishin dënuar me të drejtë…” Kur do kthente kupën, skllavi i tha se duhej pritur që helmin ta pinte në të perënduar. “E ç’rëndësi ka”, i tha Sokrati dhe papritur e ktheu… E megjithatë në gjithë historinë që lidhet me Sokratin, kishte qenë turma ajo që kishte mbështetur idenë e dënimit me vdekje të filozofit. Në librin e tij, Kriton kujton se pasi piu helmin dhe bëri disa hapa, ai tha se këmbët po i mpiheshin. U shtri në shpinë dhe skllavi e pyeti nëse ndjente ndonjë gjë. “ Jo”, iu përgjigj Sokrati, dhe skllavi e pickoi edhe më lart. Por, ai përsëri nuk ndjeu gjë. Kur mpirja e pushtoi të tërin, atëherë ai vdiq, kishte thënë skllavi.

Para se të vdiste, ai i kishte thënë Kritonit: “Kriton, Asklepsios i detyrohem një gjel. Mos harro ta paguash!” Dhe, ai kishte vdekur. Kritoni i kishte mbyllur sytë. Sipas Platonit, në librin e tij “Kritoni” ai shkruan se “Sokrati e qortoi Kritonin se e kishte paguar gardianin e burgut që t’ia linte derën hapur nga ku ai mund të largohej dhe të shpëtonte. Por Sokrati kishte qenë gjithnjë një qytetar i bindur dhe meqë u dënua ai duhej ta pësonte dënimin dhe jo ti shmangej!”

Kur Sokrati vdiq, athinasit u revoltuan. Ata i mbyllën portat e gjimnazeve dhe iu vërsulën gjithë zemërim akuzuesve të filozofit. Një kaos i vërtetë ndodhi. Disa prej tyre ata i detyruan të merrnin udhën e mërgimit dhe mos ta shikonin më qytetin e tyre, të tjerë si poeti dështak Meletos, u dënuan me vdekje për poshtërsitë e tyre. Sidoqoftë ai la gjurmë të mëdha në jetën e Athinës dhe influenca e tij ishte vendimtare tek Platoni, Epikuri, sofistët që frekuentonte që më parë, etj. Mësimi i Sokratit se “vetëm një njeri i ditur mund ta njihte padijen e tij”, dhe se “vënia e vetes vazhdimisht në pikëpyetje i lejon njeriut të zbulojë të vërtetën”, ishin porosi të çmuara.

Mithi i Sokratit do të vazhdonte për një kohë të gjatë në qytetërimin antik grek dhe romak, por më vonë në mesjetë ai u harrua. Vetëm Renesanca italiane dhe evropiane u kujtuan për të dhe nisën ti referohen kurajos së tij. Pinjollë të Sokratit tashmë do të ishin figura të ndritura si Xhordano Bruno apo Galilei. Në shkrimet e tyre, Volter, Diderot, Ruso e të tjerë i ngritën himne Sokratit të mënçur. Në artikullin e tij “Socratiques” Diderot shkruante ndër të tjera: “Ah si të ngjaj kaq pak, por të paktën, ti më bën të qaj nga gëzimi…” (Libri “Enciklopedia”) Kur Diderot e mbyllën në kështjellën e Vincennes, ai e ndjeu veten shumë të afërt me fatin e Sokratit. Shumë filozofë modernë kanë shkruar gjatë për Sokratin, totalitarizmin e “cite”-së apo dhunën e turmës.

Ky ishte përfundimisht thelbi i figurës së filozofit të madh të antikitetit, mendimtari më i shquar i asaj kohe të cilin padyshim mund ta quash filozofin e pare të botës. Qëllimi i tij ishte e vërteta! E tillë është mënyra ime për të parë botën thoshte ai, dhe më pas shtonte: “Të vërtetën, një Zot e di!” Jo, ai nuk i fyente hyjnitë, ai i linte aty ku kishin qenë shumë e shumë kohëra para tij, gjatë shekujve. Për të kishte rëndësi se ç’ndodhte në “agora”, në gjirin e “demos”-it. /Konica/