LAJMI I FUNDIT:

E gjithë bota e Miriam Canit!

E gjithë bota e Miriam Canit!

Me fuqinë e zërit ajo depërton edhe në skutat më të errëta të shpirtit! Ka magjinë e fjalëve në tekstet që mësohen përmendësh, ka muzikën e ndjerë dhe interpretimin brilant. Gjithçka mund të përcaktosh në profilin e saj si artiste është doemos dimensioni i këngëtares që të gjithë e duan

Një emër i njohur i skenës muzikore shqiptare, që nuk i ndahet dëshirës së madhe për të bërë muzikë të mirë dhe mbi të gjitha, për të mos bërë kompromis me askënd dhe me asgjë kur flitet për art të vërtetë.


Miriam Cani është këngëtarja e zemrave, sepse e tillë është muzika që ajo bën, këngët që ajo promovon kohë pas kohe. Është rikthyer në muzikë, me dy videoklipe të reja që kanë rezultuar suksesi i saj i radhës.

Ndonëse në këtë intervistë i duhet të pranojë se stafetën ia ka lënë të shoqit, kantautorit dhe artistit Alban Skënderaj sepse ai është më shumë i pozicionuar tek kënga, dhe ajo më e tërhequr për shkak të angazhimit në televizion këto 10 vitet e fundit, sërish Miriam Cani mbetet një personalitet i muzikës shqiptare që grish.

U rikthye si një “Meteor” në muzikë, pas një shkëputje të ndjeshme për shkak të statusit të ri që fitoi në jetë… Ai nuk ka lidhje me artin (edhe pse në tharm tijin është një lloj arti më vete), ka lidhje me mëmësinë, me ardhjen në jetë të Amelisë, vajzës së parë të saj dhe Albanit. Të qenit nënë e ka ridimensionuar tërësisht për të qenë gruaja që është sot.

E dedikuar plotësisht ndaj më të voglës së familjes, Miriam Cani thotë se asnjë sukses në karrierë nuk matet me suksesin më të madh në jetën e një femre: të bërit nënë! Ndaj, Ameli është qendra e botës prej ditës së parë kur erdhi në jetë dhe e tillë do të jetë për të dy prindërit e saj artistë që shpesh vendosin të heqin dorë nga muzika, arti që bëjnë me aq pasion, për t’ju dedikuar pa kushte bijës së tyre. Sepse mbi gjithçka materiale, vjen dashuria me të cilën ata e rrisin çdo ditë.

Parajsa në tokë është për ta, vetëm bija e tyre! Ndonëse më shkëputje të vogla nga angazhimet në art, Miriam dhe Albani asnjëherë nuk e kanë kapërcyer rrugëtimin drejt të cilit kanë vendosur të ecin bashkarisht, herë me krijime të përbashkëta muzikore, dhe herë të tjera të ndarë.

Për çështjen e koncerteve, pjesëmarrjeve në kompeticione të ndryshme artistike, për të parën herë ndoshta Miriam Cani rrëfen arsyen e vërtetë se pse ajo nuk debuton në festivale të mëdha të muzikës që çdo vit organizohen në Shqipëri. Është koha ta mësoni edhe ju këtë të vërtetë, të rrëfyer me doza sinqeriteti, ashtu siç që në krye të herës së kësaj interviste ajo vendosi të flasë pa doreza për gjithçka të sajën. Për gjithë botën e saj! Nga kënga dhe muzika, tek e bija Ameli, bashkëshorti, televizioni, projektet e reja, etj. Mos e humbisni rrëfimin e saj!

Miriam, ti je rikthyer në muzikë. “Në parajsë” është hiti juaj i fundit që u mirëprit nga audienca dhe fansat e tu. Si e realizove këtë projekt muzikor?

Ka qenë një projekt shumë i dashur për mua. Si muzikalisht ashtu dhe si realizim artistik i videoklipit. Jam e lumtur dhe mirënjohëse që më jepet çdo herë mundësia të punoj me njerëz plot pasion, dedikim dhe artistë të vërtetë.

Çfarë të bën ty Miram të ndihesh vërtet si në parajsë?

Pa dyshim familja ime. Ata janë gjithçka që unë kam ëndërruar gjithmonë.  Edhe profesioni im më bën shumë të lumtur, por është gjithmonë dytësor. Parajsën dhe paqen e vërtetë e gjej gjithmonë në shtëpi pranë njerëzve të zemrës time që më duan pa kusht.

Ndërkohë, edhe “Meteor” është kënga që u përfol gjithashtu si një tjetër projekt i mbërritur nga ty si artiste. Por, të mos harrojmë kontributin e Ajola Xoxës në videoklipin e hitit. Si ishte përvoja e bashkëpunimit me Ajolën?

Bashkëpunimi me Ajolën ka qenë shumë i bukur dhe padyshim një nga projektet e mia më të veçanta në Shqipëri. Ajola është artiste në shpirt dhe në mendje dhe ka punuar me shumë pasion dhe frymëzim mbi këtë projekt. Më ka bërë si rrallë herë këtu në Shqipëri të bëj vetëm “punën e artistit”. Është marrë me çdo detaj dhe ka qenë super e përpiktë gjatë realizimit të klipit ndaj dhe rezultati ka qenë i shkëlqyer. Jam ndjerë shumë e qetë gjatë punës me të dhe për një artist kjo është një nga gjërat më të rëndësishme për të sjellë rezultatet maksimale në performancë. Do mbetet gjithmonë një nga projektet e mia më të veçanta.

Keni gjetur menjëherë gjuhën e përbashkët të bashkëpunimit profesional apo ka pasur momente kur edhe keni kundërshtuar njëra-tjetrën?

Jo, aspak. Kemi punuar në harmoni të plotë mbi këtë projekt.

Miriam dhe Albani ju jeni dy artistë brenda një familje. A ndihet konkurrenca mes jush?

Te ne të dy në fakt ndodh e kundërta. Mendojmë më shumë për njëri-tjetrin se sa për vete kur bëhet fjalë për projektet tona artistike. Unë marrë një kënaqësi të jashtëzakonshme kur përjetoj sukseset e Albanit. Duke ditur se çfarë fshihet ende brenda tij artistikisht, mundohem çdo ditë t’i dhuroj energjinë dhe frymëzimin e duhur për të punuar mbi projekte gjithmonë edhe më të mëdha, ashtu siç ai dhe arti i tij meritojnë.

Cilët këngë mendon se pëlqehen më shumë, të tuat apo të Albanit?

Jemi pak të ndryshëm në muzikë ndaj dhe nuk mund të bëjmë krahasime direkte. Ndryshe nga Albani unë jam shumë herë më pak aktive në tregun e muzikës shqiptare pasi i jam dedikuar më shumë televizionit në këto 10 vitet e fundit. Por, pavarësisht kësaj, Albani është kantautor dhe unik në gjithçka që bën. Për këtë u binda më shumë se kurrë kur ai e mbushi tre net Pallatin e Kongreseve si “Solo Artist”, si askush më parë në historinë e muzikës shqiptare!

Ju e merrni punën me vete në shtëpi, domethënë flisni për muzikën, për projektet artistike edhe kur jeni në shtëpi apo i lini pas derës sapo hyni brenda?

Natyrisht që flasim dhe në shtëpi. Nuk kemi rregulla fikse. Jemi ashtu si të ndihemi apo frymëzohemi për momentin. Por, që ndodh shpesh të rrimë deri natën vonë duke punuar. I vetmi problem është që në oren shtatë bie alarmi “Ameli” dhe natyrisht që mami duhet të zgjohet me të. Ndaj në krahasim me Albanin, pas orës 23:00 mami Miriamit çdo minutë i duket e shtrenjtë.

E dije që në krye të herës, në fillimet e muzikës, se kjo ishte gjithçka doje të bëje në aspektin profesional?

Bota e artit ka qenë që në fëmijëri ëndrra ime dhe gjithçka që më argëtonte si fëmijë kishte të bënte me artin. Këndimi, kërcimi, aktrimi, piktura, poezia etj. Ndihem me fat që mu dha mundësia të kthej pasionin tim në profesion.

Ju nuk jeni shumë intensive në publikimet në Instagram apo rrjete të tjera sociale, ama diçka është e sigurt: gjithçka ju postoni merr njëherë vëmendje nga mediet, fansat, etj. Të  interesojnë komentet, përshtypjet e fansave dhe ndjekësve të faqes tënde?

Pa diskutim që po! Është pasqyrë reflektimi për mua. I lumturohem çdo komenti pozitiv apo vlerësimi që më shprehin njerëzit, por edhe kritikave konstruktive. Më bën të ndihem mirë kur shoh që ndikoj pozitivisht në jetën e dikujt. Puna jone, duam apo s’duam ne është shembulli që marrin mijëra të rinj dhe për këtë jam shumë e vetëdijshme. Kemi një përgjegjësi shumë të madhe në shoqëri dhe këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë, përtej ambicieve tona personale.

Çfarë ndikimi kanë thashethemet tek ju dhe a të interferojnë ato në përditshmërinë e jetës tënde?

Aspak. Besoj se në momentin që ditën e ke të mbushur me gjëra produktive të cilat të mbushin ty si njeri dhe të jesh i rrethuar nga njerëz që ti i do vërtetë, nuk ke kohe t’i kushtosh vëmendje asgjëje tjetër. Pastaj varet dhe nga mentaliteti. Duke qenë se jetojmë në një vend që i ka shumë qejf thashethemet, duhen marrë me sportivitet.

Miriam, ndryshe nga Albani, ti ke zgjedhur që gjatë gjithë karrierës tënde të mos shfaqesh në skena festivalesh si “Kënga Magjike”, Festivali i fundvitit në RTSH, etj. Rastësi apo zgjedhje e mirëmenduar nga ana jote?

Ka qenë gjithmonë një vendim i imi personal. Ideja e garës është diçka që më krijon shumë siklet pasi gjatë rrugës mund të lindin shumë keqkuptime. Jam një njeri i ndjeshëm dhe mendoj se mund të mos e përjetoja shumë mirë. Kam dashur të shprehem në mënyrë të drejtpërdrejtë tek publiku me muzikën time apo projektet e mia artistike. Të kem një marrëdhënie direkte me publikun.

Ndërkohë, si po ecën angazhimi yt tek “The Voice Kids” në Top Channel?

Është si gjithmonë një super eksperiencë dhe argëtim pa fund të punosh me fëmijë kaq të talentuar të cilët të frymëzojnë pa fund për të sjellë gjëra të bukura në atë skenë të madhe.

Si është rrugëtimi drejt zbulimit të talenteve të reja në këngë dhe muzikë?

Është një eksperiencë shumë e bukur dhe fëmijët të bëjnë të harrosh që aty je duke punuar. The Voice KIDS është pa diskutim nga projektet më të bukura që kam bërë në këto 15 vite televizion. Nëse do mundesha do punoja gjatë gjithë jetës time vetëm me fëmijë. Nuk të mërzisin kurrë, janë gjithmonë të sinqertë, të pastër, të çiltër, punojnë plot dashuri dhe pasion dhe të bëjnë gjithmonë të qeshësh.

Le të flasim për një kapitull tjetër shumë të dashur dhe të ndjerë në jetën tënde, vajzën Ameli. Ajo festoi tre vjetorin para pak kohësh. Si ka ndikuar mëmësia tek ty?

Ka ndikuar vetëm pozitivisht. Më ka bërë të reflektoj shumë mbi jetën, mbi gjërat e thjeshta por esenciale të jetës dhe të vlerësoj çdo ditë të jetës time. Ameli është bekimi më i madh që më ka dhuruar Zoti. Më ka bërë të kuptoj që asgjë nuk ka vlerë para dashurisë që shkëmbejmë çdo ditë me njëri-tjetrin në familje. Unë përpiqem të kaloj sa më shumë kohë fizikisht me Amelin sepse e di që kjo ndikon shumë edhe në formimin e saj si njeri. Askush s’mund të zëvendësoj prindin ndaj dhe koha cilësore fizike që duhet të kalojmë me fëmijët tanë është më e shtrenjtë se gjithçka tjetër që mund t’i ofrojmë fëmijëve tanë. Unë mendoj që një nga arsyet kryesore përse brezi i ri mund të ketë probleme nga më të ndryshmet vjen nga mosprezenca e prindërve në jetën e tyre.

Je rritur bashkë me Amelinë? A është ajo që të dikton në disa zgjedhje që bën në jetë?

Ndikon në gjithçka që unë bëj dhe vendos pasi gjithçka duhet të jetë në radhë të parë për të mirën e saj dhe më pas për timen. Në kohën që jetojmë sot duhet të ndërgjegjësojmë veten çdo ditë që arritjet personale s’mund të jenë gjithmonë në plan të parë në momentin që vendosim të krijojmë një familje. Gjithçka duhet të eci paralelisht dhe në raport të shëndosh. Mirëqenia nuk e edukon fëmijën. As sukseset në karrierën tënde. Fëmija ka nevojë për prezencën e prindit që të rritet një fëmijë i shëndetshëm mendërisht dhe shpirtërisht. Duhet t’i rrisim fëmijët duke i dhënë fizikisht shembullin çdo ditë dhe jo vetëm moralisht. Ndaj gjithçka në jetë është balancë.

Albani duket shumë i lidhur me të bijën. Kur i sheh bashkë të dy, cili është mendimi i parë që të vjen ndërmend?

Çdo herë kur i shoh falënderoj Zotin që mi ka dhuruar në jetën time. Është familja që kam ëndërruar gjithmonë të kem.

Dashuria për ty është frymëzim apo gjendje?

Të dyja. Gjendjen e dashurisë e kam të përditshme dhe kjo më frymëzon për gjithçka që bëj.

A ka diçka që nuk do ta bënit kurrë apo diçka që e shihni si të pa arritshme nga ana juaj?

Kompromis për hir të suksesit.

Thuhet se femrat e bukura, kanë edhe personalitete të mahnitshme. Si e shikoni aspektin tuaj estetik, marrëdhënia jote me imazhin?

Mundohem të jem vetvetja dhe të mos ndikohem nga trendet që vijnë dhe ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme. Për mua është më e rëndësishme të ndihem komode me veten. Investoj shumë në mirëqenien dhe shëndetin tim të brendshëm. Në ushqim dhe në qetësi shpirtërore. Këto ndikojnë më pas dhe në gjithçka që ti reflekton si njeri.

Si do ta përshkruaje stilin tënd në pak fjalë?

E thjeshtë (pasi përtoj shumë të merrem gjatë me veten jashtë skenës).

Cila artiste femër është frymëzuese për ty?

Kam shumë që më pëlqejnë për atë që bëjnë, por dhe për stilin e jetesës që kanë. Njëra prej tyre është Jessica Alba. I adhuroj femrat që janë të suksesshme në karrierë, por po ashtu dhe në familje dhe e pasqyrojnë këtë çdo ditë. Janë frymëzim.

Cili është mësimi më i çmuar që ke marrë në jetë deri tani?

Kam mësuar që asgjë s’duhet marrë në jetë për e mirëqenë. As një ditë e jetës dhe askush që ti ke pranë.

Je feministe?

Me masë!

A je ti Miriam një femër e fortë?

Mund të them që i kam të dyja ekstremet brenda vetes, sidomos që kur jam bërë nënë. Di të jem shumë e fortë në gjërat e rëndësishme (si psh familja) apo qëllimet e mia profesionale, por njëkohësisht jam edhe shumë e ndjeshme dhe e brishtë. /revistaclass/

Në trend

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
E çuditur nga komentet negative, Era Istrefi reagon e revoltuar: Dikush qëllimshëm po mi shkruan

E çuditur nga komentet negative, Era Istrefi reagon e revoltuar: Dikush qëllimshëm po mi shkruan

Magazina
“Jam tifozi i tij më i madh” – Rakitic emëron ikonën e Barçës si lojtarin e tij të preferuar, nuk është Messi

“Jam tifozi i tij më i madh” – Rakitic emëron ikonën e Barçës si lojtarin e tij të preferuar, nuk është Messi

La Liga
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme
Aeroplani gjigant u “përplas” dy herë në pistën e aeroportit të Kalifornisë – rrotat nxirrnin tym – pastaj u ngrit përsëri

Aeroplani gjigant u “përplas” dy herë në pistën e aeroportit të Kalifornisë – rrotat nxirrnin tym – pastaj u ngrit përsëri

Amerika
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Kalo në kategori