LAJMI I FUNDIT:

E gjelbra nëpër histori

E gjelbra nëpër histori

Ngjyra e gjelbër është sinonim i natyrës dhe i lëvizjeve mjedisore, një ndërlidhje kjo që burimin e ka mijëra vjet më parë, shkruan James Fox për BBC. Shkrimin e tij, Telegrafi e sjellë të plotë, si më poshtë.

Në shkurt të vitit 1970, një grup i hipikëve dhe aktivistëve u mblodhën në Vankuver të Kanadasë, për të diskutuar për një test të planifikuar bërthamor në ishullin Amçitka të Alaskës. Ata u pajtuan të lundrojnë drejt vendit të testimit e të protestonin personalisht kundër këtij shpërthimi. Në fund të takimit, kryesuesi i ngriti dy gishtat dhe bërtit: “Paqe”! Pas një pauze të shkurtër, një pjesëmarrës i ri u përgjigj me këtë frazë – tashmë të pavdekshme: “Le ta bëjmë atë një paqe të gjelbër”. Grupi u mor aq shumë me këtë frazë saqë varkën e tyre të parë e quajtën “Paqja e Gjelbër”.

Gjatë 50 vjetëve të fundit, lëvizja mjedisore u lidh aq ngushtë me ngjyrën e gjelbër saqë është pothuajse e pamundur të shohësh një poster, ndonjë broshurë apo qese ricikluese të gjelbër pa menduar për të ardhmen e planetit tonë. Por, edhe pse kjo lidhje është produkt i një krize të kohëve të fundit, origjina e saj është shumë prapa. E kemi identifikuar gjelbërimin me natyrën dhe proceset e saj për mijëra vjet. Në të vërtetë, vetë fjala “gjelbër” (green – në anglisht) vjen nga fjala e lashtë proto-indoevropiane “ghre”, që do të thotë “rritje” (grow – në anglisht).

Specia njerëzore që u shfaq në pyjet e gjelbra dhe në savanat e Afrikës rreth 300 mijë vjet më parë, ka një lidhje të veçantë biologjike me gjelbërimin. Sytë tanë madje mund të kenë evoluar ashtu për ta parë klorofilin në bimë. Ndryshe nga shumica e gjitarëve të cilët janë të verbër ndaj ngjyrave kuq-gjelbër, ne dhe primatët e tjerë e zhvilluam qelizë e tretë retinore. Ky fotoreceptor shtesë ua mundësoi paraardhësve tanë të dallonin frutat e pjekura të kuqe e të verdha në sfondin e gjetheve të gjelbra, si dhe t’i dallonin gjethet e ndryshme të gjelbra nga njëra-tjetra. Në kushtet e dritës së ditës, sytë e njeriut janë më të ndjeshëm ndaj të gjelbrës se ndaj çdo nuance tjetër.

Egjiptianët e lashtë shpesh e portretizonin zotin e bujqësisë, Osirisin, si të gjelbër

Me zhvillimin e bujqësisë, filluam ta përdorim gjelbërimin si simbol për natyrën dhe për proceset e saj. Kohët e fundit arkeologët gjetën një grumbull të jashtëzakonshëm rruazash dhe varësesh të gjelbra në Levant, që datojnë rreth 10 mijë vjet më parë. Studiuesit besojnë se këto objekte – shumë prej të cilave kishin ardhur nga qindra milje distancë, me një kosto të madhe – u zgjodhën sepse u ngjanin gjetheve të reja dhe mund të përdoreshin nga fermerët e hershëm për të thirrur reshjet ose për shtimin e të korrave.

Egjiptianët e lashtë të cilët punonin në brigjet e Nilit që nga viti 8000 p.e.s., i identifikuan gjithashtu të korrat e tyre me gjelbërimin. Termi i tyre për këtë ngjyrë ishte “wadj”, që do të thoshte gjithashtu “lulëzim” dhe që përfaqësohej në hieroglif nga kërcelli i lulëzuar i një bime papirusi. Piktorët egjiptianë shpesh përshkruanin perëndinë e tyre të bujqësisë, Osirisin – i cili ishte përgjegjës për përmbytjen e brigjeve të Nilit, mbushjen e tokës me lëndë ushqyese dhe shtyrjen e fidanëve të parë të gjelbër nëpër fusha – si qenie të ndryshme të gjelbër.

Në gjithë botën, njerëzit komunikonin me natyrën përmes materialeve të gjelbra. Nefriti, për shembull, u përdor për të bërë objekte që garantonin korrje të suksesshme. Majat i varrosën udhëheqësit e tyre me maska vdekjeje nefriti, pikërisht për këtë arsye. Një objekt i tillë i bërë midis mes 660 dhe 750 në Meksikën e sotme, e përshkruan një sundimtar të panjohur të rrethuar nga simbolikat bimore. Fytyra e tij e frikshme është e rrethuar me dy lule, mbulesa e kokës së tij fryhet në një mal të gjelbër, ndërsa dy filiza misri bëjnë me dije të ardhmen. Maska nënkupton që mbajtësi i saj, si Osirisi, do ta mbushte tokën me pjellori, duke i siguruar banorët e tij të gjallë do të përparojnë.

Pak kultura e respektonin natyrën si ato të botës islame. Më shumë se një mijë vjet para nxitjes së lëvizjes mjedisore, Kurani i udhëzoi myslimanët që të kujdeseshin për mjediset e tyre. Me fjalë shumë parashikuese, i përshkruan njerëzit si kujdestarë të përkohshëm të ekosistemit, duke i këshilluar ata të mos e prishin ekuilibrin delikat të krijimit nga konsumimi i tepërt ose shkatërrimi i panevojshëm. Midis shekujve VIII-XIII, filozofët dhe shkencëtarët islamikë shkruan madje traktate mbi bujqësinë e qëndrueshme, për ndotjen dhe ruajtjen e kafshëve të egra, ndërsa përpiluan një projektligj të të drejtave të kafshëve.

Punimi persian i shekullit XVI ku heroi Rostam fle teksa kali i tij lufton me luanin, është i njohur për dominimin e ngjyrës së gjelbër

Nuk duhet të jetë çudi, pra, që myslimanët e donin të gjelbrën. Profeti Muhamed mendonte se ishte ngjyra më e bukur nga të gjitha, e ngjashme me një oazë pamore në një shkretëtirë kryesisht ngjyrë kafe të Lindjes së Mesme. “Tri gjëra të kësaj bote e largojnë trishtimin”, citohet të ketë thënë: “Uji, gjelbërimi dhe një fytyrë e bukur”. Kurani, ndërkohë, e përshkroi vetë Parajsën si kopsht të lulëzuar e të ujitur mirë, të dominuar nga frutat e pemëve të mbinatyrshme të gjelbra. Teksti përdorte një mbiemër unik për të treguar ngjyrën e tyre të veçantë: Madhamatan. Është e vetmja fjalë në vargun më të shkurtë të Kuranit.

Shoqërive perëndimore iu desh më shumë kohë për të përqafuar bukurinë e natyrës dhe, për rrjedhojë, edhe gjelbërimin. Por, kah fundi i Mesjetës, shkrimtarët evropianë po e shprehnin këtë ngjyrë me besimin e të ri për peizazhin, duke e lidhur atë me pjellorinë, rritjen, pranverën, shpresën dhe gëzimin. Në një tekst të shekullit XV, ushtaraku francez Jean Courtois nuk e fshihte dot entuziazmin e tij për ngjyrën e klorofilit: “Nuk ka asgjë më të këndshme në botë se gjelbërimi i bukur i fushave të lulëzuara, pemët me gjethe të gjera të mbuluara me gjelbërsi. brigjet e lumenjve ku dallëndyshet vijnë dhe lahen, gurët me ngjyrë të gjelbër si smerald të çmuar”, ka shkruar ai. “Çfarë është ajo që i bën prillin dhe majin muajt më të këndshëm të vitit? Është gjelbërimi i fushave që i shtyn zogjtë e vegjël të këndojnë dhe të lavdërojnë pranverën dhe ngjyrën e saj të mrekullueshme të gjallë të gjelbër”.

Kah fundi i shekullit XVII, poetët anglezë kishin filluar të kuptonin, si ne sot, se hapësirat e gjelbra mund të jenë goxha terapeutike. Poema shumë e dashur e Andrew Marvellit, “Kopshti”, është himn për aftësitë kuruese të ngjyrës. “Asnjë e bardhë apo e kuqe nuk është dukur ndonjëherë kaq e dashur sa kjo e gjelbra e bukur”, shkroi ai. Marvelli vazhdoi të përshkruajë kopshtin e tij të imagjinuar si vend paqeje dhe arratisjeje – një vend që mund të zëvendësojë shqetësimet tona të kësaj bote me, siç e tha ai në mënyrë të paharrueshme, një “mendim të gjelbër në një hije të gjelbër”.

Vitet e fundit – veçanërisht tani kur u mbajt Konferenca e OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Glasgou – shumica e “mendimeve tona të gjelbra” janë njollosur me frikën e katastrofës ekologjike. Që nga takimi i zhurmshëm në Vankuver në fillim të vitit 1970, kjo ngjyrë është etiketa zyrtare e lëvizjes mjedisore. Tash ka më shumë se njëqind parti të njohura “të gjelbra”, në mbarë botën, të cilat së bashku e kanë kthyer ngjyrën në një ideologji përcaktuese të kohës sonë – në një farë mënyre të krahasueshme me “konservatorizmin”, “socializmin” ose “liberalizmin”. E gjelbra nuk është më veç një nuancë; është një agjendë politike, një mënyrë jetese.

Lisat që mbolli Joseph Beuys

Personalitetet e kulturës e kanë udhëhequr këtë lëvizje që në fillim. Artisti Joseph Beuys ndihmoi në themelimin e “Partisë së Gjelbër”, të parën kombëtare në botë të quajtur “die Grünen” – në Gjermani, në janar 1980 – dhe luajti rol të madh në gjelbërimin fizik të botës duke mbjellë shtatë mijë lisa rreth qytetit gjerman të Kaselit, që nga viti 1982. Artisti britanik David Nash i ka kaluar katër dekadat e fundit duke bërë skulptura me bazë bimore, në Uellsin e Veriut. “Ash Dome” – hapësirë ​​rrethore me harqe nga 22 bimë frashri të trajtuara me kujdes – po rritet që nga viti 1977. Fillimisht u konceptua si akt optimizmi ekologjik. “Po e vrisnim planetin”, kujton Nash. “’Ash Dome’ ishte angazhim afatgjatë, një akt besimi”.

Jo gjithçka ishte shpresëdhënëse. Në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, artisti islandezo-danez, Olafur Eliasson, lëshoi sasi të mëdha uranini (ngjyrë fluoreshente mes të verdhës dhe gjelbrës) në rrugët ujore anembanë botës, pa paralajmërim, duke i kthyer lumenjtë dhe përrenjtë në një gjelbërsi të flakshme. “Lumi i gjelbër” u interpretua nga aspekti ekologjik. Kritikët nuk mund të mos kujtonin miliona tonelata të mbeturinave që hyjnë në ujërat e botës për çdo ditë, kështu që ngjyra ishte aludim kaustik për ambientet e gjelbra që ato i ndotin.

Artistët tjerë thjesht frymëzoheshin nga bukuria e natyrës, siç ishin paraardhësit e tyre. Kah fundi i jetës së tij, Howard Hodgkin e mbushi një furçë të trashë me ngjyrë smeraldi dhe, më pas, me një lëvizje të guximshme pikturonte në panel druri. Vepra e përfunduar në shikim të parë mund të duket abstrakte, por përshkruante diçka me të cilën të gjithë jemi shumë të njohur: një gjeth i ndritshëm, i freskët dhe i valëzuar nga jeta.

Teksa e ardhmja e planetit tonë mbetet e pasigurt, shumë shkencëtarë janë të bindur se gjethet dhe pigmenti i mrekullueshëm i gjelbër që fshihet brenda tyre, do të rezultojnë të jenë arma vendimtare në betejën tonë kundër ndryshimeve klimatike. Kështu duhet të jetë. Tekefundit, për fermerët e hershëm që shikonin frutat që dilnin nga toka, pastaj për myslimanët e shkretëtirës që ëndërrojnë për Parajsën, si dhe për aktivistët e ditëve moderne të përcaktuar për të realizuar një të ardhme të qëndrueshme, e gjelbra ishte dhe është mbetet ngjyrë shprese. Të shpresojmë që pas një dimri të gjatë e të ftohtë ose një vere të mbushur me thatësirë, ardhja e klorofilit do të lajmërojë fillimin e ri. /Telegrafi/

“Gjethi”, një nga veprat e fundit të Hodgkinit