LAJMI I FUNDIT:

Dyqind arsimtarët e Ernest Koliqit në Kosovë dhe ministrat e Kosovës sot në Tiranë

Dyqind arsimtarët e Ernest Koliqit në Kosovë dhe ministrat e Kosovës sot në Tiranë

Ende sot, mbasi kanë kaluar tetëdhjetë vjet, han prap hamendësime pjesmarrja e Ernest Koliqit në qeverinë e Shevqet Vërlacit (21 prill 1939 – 3 dhjetor 1941). Koliqi, njëri prej shkrimtarëve dhe intelektualëve më në zë të Shqipërisë së kohës u përfshi në një qeveri “të përbërë nga njerëz pa vlera të veçanta”, siç pohon studiuesi dhe historiani Berndt Fischer (R. Gurakuqi: Shqipëria dhe tokat e lirueme 1939- 1946, fq.177). Sikurse ende përmendet si e dhënë gojore edhe një bisedë e Koliqit , rrethanë e momentit kur ai ftohet në Tiranë për t’i propozuar postin e ministrit.

Është viti 1939 ai kishte pak kohë që ishte emëruar titullar i Katedrës së Gjuhës dhe letërsisë Shqipe në Universitetin “La Sapienza” në Romë. Sipas gojëdhënës, Koliqi nuk e jep përnjiherë pëlqimin, por kërkon pak ditë kohë. Prej atje kthen në Shkoder e takon… At Gjergj Fishten.

– Më kanë propozue me u ba ministër i arsimit, pader…

– Me u ba ministër – ia kthen pader Gjergji, pa prit spjegime më të gjata prej bashkëfolësit.

– Po, unë s’kam mujt me e dhanë fjalën, për pa u pá e me fol me ty, pader – kërkon të shtjellojë kërkesen e vet Koliqi më parë se t’ia merrte mendimin atij që e çmonte aq shumë.

– Po pra po, me u bá ministër – ia kthen me këmbëngulje pader Gjergji e i thotë prerë argumentin e vet – se të tanë tjerët e bajnë ma keq se ti… ( O Zot ç’farë kut vlerësmi për vlerat kishin njerëzit si ata. Me një ekzigjencë shembullore për dijet e për punët në dobi të saj e të kombit).

Dhe, Ernest Koliqi kështu u bë ministër i shtetit për Arsimin. Ministri me gjurmën më të dukëshme e të dobishme në arsimin e shqiptarëve…

Sapo filloi punën në këtë detyrë, ai mblodhi rreth vetes njerëzit e kulturës, shkrimtarët më të shquar dhe filloi përpilimin dhe botimin e teksteve shkollore. Si ministër i Arsimit, në shtatorin e vitit 1941 mundësoi me një vendim që mbi 200 arsimtarë normalistë të shkonin në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Pa u caktuar ende formula me të cilën Kosova do t’i kthehej Shqipërisë dhe pa ardhur ende udhëzimet nga Roma, nën përgjegjësinë personale, ministri i Arsimit, profesori Ernest Koliqi nisi drejt “tokave të lirueme” 200 mësues e profesorë me synimin e qartë të vendosjes së themeleve të arsimit shqiptar.  Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht një nga aktet më sublime sepse ai dha frutet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në rrënjosjen e dëshirës për të mësuar shqipen në të gjithë trojet shqiptare.

Prej shtetit të brishtë shqiptar, ende pa u formësuar mirë si i tillë shkoi ndër mend dhe e bëri punë të kryer dërgimin te vëllezërit e nji gjaku atë për atë çfarë ishte më e nevojëshme atje. Dërgoi mësues për të dhënë dije, duke plotësuar kështu të nxënit e të mësuarit shqip si nevojë jetikë për ruajtjen e idenditetit kombëtar, të shqiptarëve të atjeshëm që historia e padrejtë i kishte shkëputë prej trungut të kombit e dheut amë.

Në vijim të asaj ç’ka nisi ministri Koliqi, “në vitin 1943, pa u mbushur dy vjet, në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi u hapën dhe punonin 511 shkolla fillore shqipe me 19 121 nxënës, të cilët i mësonin dhe edukonin drejt kombëtarisht 487 mësues (prej tyre 78 mësuese)… Ernest Koliqi kontribuoi edhe në hapjen e Normales së plotë në Prishtinë, në hapjen e Liceut në Prizren dhe Tetovë, në hapjen e Shkollës Normale në Gjakovë, të institutit Teknik Bujqësor dhe Gjimnazit në Pejë (Abdylaziz Veseli, Shkollat dhe Arsimi Shqip në Prefekturën e Prishtinës gjatë periudhës 1941- 1944, II, Gjilan 2003, fq 101.) (Romeo Gurakuqi : Gazeta Metropol).

Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i Arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare, Ernest Koliqi konsullit shqiptar Kolë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar Norbert Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari… Edhe si arsye madhore për ta shpëtuar albanologun e shkëlqyer hebre nga kthetrat e nazistëve.

Qeveria e Shqipërisë sot ministren e Arsimit e ka nga Kosova. Nuk e di se për ç’potenciale publike e punë të mirë mund të përmendet zonja. Përveçse si përzgjedhje kinse patriotike e kryeministrit, zotit Rama në sinkron me mbledhjet e përbashkëta të paradokohëshme të dy qeverive në Prizren, tashmë të harruara, vendimet e të cilave u “shkruan në akull”. Dhe po të sjellësh ndër mend “spektaklin” e atëhershëm ndjen neveri prej fallsitetit. Si për shumë gjëra të tjera të shpeshta, këso dore… Për traun e Rrugës së Kombit a për a për taksën e shtrenjtë të mallrave që qarkullojnë nëpër të ndërmjet dy popullatave shqiptare andej e këndej. Apo për taksën e shtrenjtë të librave (gjashtë për qind, edhe të librit shqip, sigurisht) më të shtrenjtën në rajon.

Kurse po t’i krahasosh punët e ministres së sotme të vitit 2019 me ministrin Ernest Koliqi të vitit 1941… fyen rëndë historinë.

Po marrim si shembull vetëm bibliotekat. Nga fondi modest i qeverise prej rreth 20 milionë lekësh për bibliotekat e shkollave për vitin 2018 (në postin e zv. ministres atëbotë) vetëm tre milion prej tyre i kthei në libra për bibliotekat. Të tjerat i dogji. Për asnjë shkak të arsyeshëm përveçse… hajde merre vesh se për çfarë !

Kurse sa i takon ministrit të Jashtëm në detyrë, një prurje “vezulluese” e këshillonjësit të kryeministrit, zotit Baton Haxhiu (vetëm këtu ndër ne ministra mund të vihen e mund të vënë njerëz të pavotuar askund), nisur vetëm prej artikulimit publik, do t’i lutesha të më lejonte t’i rekomandoja përveç “Fjalorit të Gjuhës së sotme shqipe (2006)” edhe dy fjalorë të tjerë – “Fjalor i Gjuhës shqipe” të M. Elezit dhe “Fjalor etimologjik i Gjuhës shqipe” të K. Topallit. Thjesht si një mundësi më shumë për të pasuruar leksikun e shqipes.

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori