Dikur ishin shërbëtorë, shërbenin në Gjenovë. Por, kohë më vonë u bënë zotër të këtij vendi të famshëm.

Ishin shqiptarë nga Durrësi. E kaluan detin në shekullin XVI dhe lanë pas Durrësin. Por, kur mbërritën në Republikën e Gjenovës, vendosën të mbajnë si mbiemër emrin e qytetit të tyre, Durazzo. Brez pas brezi u bënë njerëzit më të famshëm të Evropës. Ishin doxhë (drejtues), senatorë, kardinalë, diplomatë dhe këshilltarë.

Familja Durazzo ishte një nga familjet më fisnike e të mëdha në Gjenovën e shekujve XVI-XVIII, por edhe një nga familjet shqiptare më të njohura në të gjithë Evropën. Një nga ambasadorët më të famshëm të dinastisë nga Durrësi në Gjenovë, ishte padyshim Gio Agostino Durazzo (1632-1667), që do t’i hapte rrugën Republikës së Gjenovës drejt Orientit.

Gio shkoi me mision dy herë në Stamboll: në fillim më 1665 dhe më pas në vitin 1666. Agostino Durazzo ishte aristokrat që i pëlqenin shumë udhëtimet. Dikur kishte qenë kapiten anijesh dhe kishte rrahur detrat e botës. Idhull i tij ishte Kristofor Kolombi, një afresk i të cilit mbahej në Pallatin Durazzo.

Si kapiten kishte drejtuar më vonë flotën gjenoveze dhe ja ku papritmas joshet nga diplomacia. Kur niset ambasador në Stamboll, do t’i hipë anijes “Santa Maria”, të quajtur kështu në kujtim të Kristofor Kolombit, anije me të cilën ishte nisur në kërkim të së panjohurës. Portretin e këtij ambasadori na e ka dhënë plot ngjyra piktori Franz Luncx, ku Agostino Durazzo ka veshur një kostum oriental në ngjyra të kuqe dhe me një brez në mes. Të ngjan me një aventurier, edhe pse është ambasador.

Në mesin e shekullit XVII, Republika e Gjenovës po përpiqej të bënte për vete kardinalin Mazarin që Franca të mund të hapte rrugën dhe të ishte dakord që Gjenova të bënte tregti me Orientin. Mazarini më pas u bë ministër e kryeministër i Francës. Në kohën e regjencës së mbretëreshës Anne e Austrisë (nëna e Luigjit të ardhshëm Louis XIV), ai kishte simpati të veçantë për Republikën e veriut, pra gjenovezët, dhe ishte i gatshëm që të ndërhynte pranë Portës së Lartë. Por, mjerisht, më 9 mars të vitit 1661, Mazarini vdiq dhe Republikës së Gjenovës i duhej të dërgonte me shpejtësi njerëzit e vet pranë Portës së Lartë me kërkesën për lejimin e anijeve tregtare në portet e Orientit. Pikërisht atëherë, në oborrin e sulltanit Muhamet IV u dërgua në Stamboll Gio Agostino Durazzo. Shpejt ai do të bëhej një nga miqtë intimë të Vezirit të Madh me origjinë shqiptare, Qiprillit, dhe vetë sulltanit. Madje, arriti ta bindë sulltanin që të hapte një kishë të Urdhrit Françeskan në lagjen Gallata të Stambollit, ku dikur, që në kohën e Justinianit “kishte patur një koloni gjenoveze”.