LAJMI I FUNDIT:

Duhet ta kemi vizionin realist, që e sheh të mirën e AI-së

Duhet ta kemi vizionin realist, që e sheh të mirën e AI-së
Ilustrim

Nga: Ivana Bartoletti / The Guardian (titulli origjinal: Another warning about the AI apocalypse? I don’t buy it)
Përkthimi: Telegrafi.com

Kudo janë mjetet e AI-së [inteligjencës artificiale], si ChatGPT. Është kombinimi i fuqisë llogaritëse dhe i sasisë së të dhënave që ka çuar në rritjen e teknologjisë së AI-së, por arsyeja se pse modelet si ChatGPT dhe Bard kanë bërë zhurmë kaq spektakolare, është se ato kanë prekur shtëpitë tona, me rreth 100 milionë njerëz që aktualisht janë duke i përdorur ato.


Kjo çoi në një debat shumë të ashpër publik. Parashikohet se një e katërta e të gjitha vendeve të punës do të preken – në një mënyrë ose një tjetër – nga AI-ja dhe se disa kompani po e pengojnë rekrutimin për të parë se cilat punë mund të automatizohen. Frika rreth AI-së mund t’i lëvizë tregjet, siç e pamë dje kur aksionet e Pearson-it [shtëpia botuese që merret me tekstet shkollore në Britani të Madhe] ranë për shkak të shqetësimeve se AI-ja do ta prishte biznesin e saj. Dhe, përvijimet mbi debatin e përditshëm janë paralajmërimet – ndonjëherë apokaliptike – për rreziqet afatgjata të teknologjive të AI-së, shpeshherë të thëna zëshëm dhe ndoshta nga autoritetet që u përkasin udhëheqësve dhe studiuesve që i zhvilluan këto teknologji.

Muajin e kaluar, udhëheqësit e shkencës, teknologjisë dhe biznesit e nënshkruan një letër që kërkonte një pauzë për zhvillimin e AI-së. Dhe, këtë javë, studiuesi pionier i AI-së, Geoffrey Hinton, tha se kishte frikë se AI-ja shpejt mund të bëhet më i zgjuar se njerëzimi dhe se lehtësisht mund të vihet në përdorim keqdashës.

Pra, a kanë të drejtë njerëzit kur e shtrojnë spektrin e shkatërrimit apokaliptik, të udhëhequr nga AI-ja? Sipas mendimit tim, jo. Jam dakord se ka disa rreziqe serioze. Por, njerëzit kanë filluar të kuptojnë se këto janë sisteme socio-teknike. Kjo do të thotë, jo vetëm mjete neutrale, por një grup i koklavitur i kodeve, i të dhënave, parametrave subjektivë dhe njerëzve. Në fund të fundit, nuk është i pashmangshëm përdorimi i AI-së dhe drejtimi që ai po zhvillon. Ndërkaq, adresimi i rreziqeve të AI-së nuk është thjesht një çështje “ndalu” ose “vazhdo”.

Studiuesit si Joy Buolamwini, Ruha Benjamin dhe Timnit Gebru, prej kohësh kanë theksuar se konteksti në të cilin po prodhohen dhe po përdoren teknologjitë e AI-së, mund të ndikojë në atë që ne marrim. Shpjegimi ka të bëjë me atë se pse sistemet e AI-së mund të prodhojnë rezultate diskriminuese, të tillat si dhënia e më pak meritave për gratë, dështimi për të njohur fytyrat e zeza, përcaktimi i gabuar se familjet emigrante paraqesin rrezik më të lartë për të mashtruar. Këto janë problemet shoqërore që ne tashmë i njohim dhe që e shfaqin nevojën se shoqëria duhet të arrijë konsensus për drejtimin e duhur për inovacionin teknik, për përdorimin e përgjegjshëm të këtyre teknologjive dhe kufizimet që duhet të vendosen mbi to.

Për fat të mirë, vendet në mbarë botën tashmë po përballen me këto çështje. ShBA-ja, BE-ja, India, Kina dhe të tjerët po vendosin kontrolle dhe po i rishikojnë qasjet rregullatore. Ndërkohë, po shfaqen standardet globale. Presidenti Joe Biden dëshiron një projektligj të të drejtave, për t’u kujdesur për të drejtat e njerëzve në epokën e inteligjencës artificiale, ndërsa OKB-ja ka shpallur një marrëveshje globale digjitale për t’u siguruar se të drejtat ekzistuese të njeriut mund të mbështeten në epokën digjitale. Fushatat globale, si AUDRi, po ndihmojnë që Marrëveshja Digjitale të jetë efektive në mbarë botën.

Kompanitë janë të vetëdijshme për këto çështje, derisa po punojnë në sistemet e reja. OpenAI, kompania pas ChatGPT-së, goxha mirë i përmbledh ato. [Kompania] Pranon se ndërkohë që është bërë shumë për të çrrënjosur racizmin dhe format e tjera të urrejtjes nga përgjigjet e ChatGPT-së, manipulimi dhe halucinacioni (që do të thotë prodhimi i përmbajtjes që është i pakuptimtë ose i pavërtetë, në thelb duke i krijuar gjërat) ende po ndodh. Jam e bindur se do të ndihmojnë prova dhe gabimi, plus kërkimet e shtuara në këtë fushë.

Gjithashtu, duhet të adresohen problemet e reja specifike dhe shqetësuese që dalin nga teknologjitë e AI-së. Rreziku më i madh me të cilin po përballemi është erozioni i mundshëm i demokracisë dhe “i së vërtetës që nuk mund të kontestohet”, me të cilën mund të përballemi me përhapjen e falsifikimeve të mëdha dhe dezinformatave të tjera të gjeneruara nga AI-ja. Çfarë do të ndodhë me diskursin tonë publik nëse nuk jemi në gjendje t’i besojmë asnjë burimi, fytyre dhe fakti?

Sidoqoftë, në mënyrë jo të duhur, mbikëqyrësi italian i privatësisë kishte arsye të mira për të ngulur këmbë dhe për ta ndaluar përkohësisht ChatGPT-in. Ishte një përpjekje për ta bërë të qartë se edhe teknologjitë novatore duhet t’ju nënshtrohet rregullave, si të gjitha produktet e tjera. Derisa kërkojmë ligje të reja, ne gjithashtu mund të fillojmë duke i zbatuar ato që tashmë i kemi. Një prej tyre është Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), shpeshherë ashpër e gjykuar, por i vetmi mjet që ka mbrojtur të drejtat e qytetarëve – si dhe të punëtorëve – në epokën e AI-së, si dhe menaxhimin algoritmik të punësimit dhe të largimit nga puna. Ligji i privatësisë mund të ketë nevojë të përditësohet, por roli i tij e vërteton rëndësinë e rregullimit. OpenAI bëri disa ndryshime në mënyrë që ndalimi të hiqet.

Duhet të kujtojmë se edhe AI-ja paraqet mundësi të mëdha. Për shembull, një mjet i AI-së mund të identifikojë nëse janë kanceroze rritjet anormale të gjetura në skanimet e CT-së. Vitin e kaluar, DeepMind parashikoi strukturën e pothuajse çdo proteine të kataloguar deri sot nga shkenca, duke zgjidhur një nga sfidat e mëdha të biologjisë që kishte hutuar botën për gati 50 vjet.

Ka edhe eksitim edhe frikë për këtë teknologji. Skenarët apokaliptikë të AI-së, të ngjashme me ato të përshkruara në filmat e Terminatorit, nuk duhet të na verbojnë ndaj një vizioni më realist dhe pragmatik që e sheh të mirën e AI-së dhe që i adreson rreziqet reale. Rregullat e lojës janë të nevojshme dhe marrëveshjet globale janë jetike nëse duam të kalojmë nga zhvillimi disi i pamend i AI-së, drejt adoptimit të përgjegjshëm dhe të demokratizuar të kësaj fuqie të re. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Kulture
KATËR GJËRA

KATËR GJËRA

Poezi
EZRA POUND

EZRA POUND

Poezi
DREJTËSIA!

DREJTËSIA!

Fjala+
DUART E NËNËS

DUART E NËNËS

Poezi
Kalo në kategori