LAJMI I FUNDIT:

Dren Abazi – Mbreti i Natës

Dren Abazi – Mbreti i Natës

Debutimin e tij artistik e ka bërë në një moshë fare të re, duke performuar si kitarist me grupe lokale të muzikës rok, duke u veçuar përmes sharmit artistik dhe stilit të pagabueshëm.

‘Elegance’


Dreni do të ishte një sensacion jo vetëm për moshën e re në të cilën filloi të performonte, por edhe për përzgjedhjen muzikore e njëkohësisht më vonë për atë që do ta diferenconte nga të tjerët, formimin e një grup-bande muzikore që do ta çonte famën dhe muzikën e tij jashtë kufijve të Kosovës.

Pikërisht 10- të vite më parë ai do të themelonte së bashku me miq muzikantë Zig-Zag Orchestra. Viti 2008 ishte një sukses i jashtëzakonshëm për djalin nga Prishtina, që shumë shpejt do të bëhej një portret i njohur edhe për publikun shqiptar.

Në rolin e një kantautori që kompozon me shumë pasion këngë të vetat, por propozon edhe pjesë të vjetra të repertorit të emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare.

Pikërisht në vitin 2011 ai do të vinte për publikun me një klip, në të cilin e pamë të interpretonte me një prej zërave më të mirë tanët, Anjeza Shahinin, me një këngë të realizuar nga Abazi, që mban titullin “Ti dhe Unë”, këngë që shumë shpejt u bë hit.

Viti 2014 do të shënonte një tjetër sukses për Drenin dhe Zig-Zag, kënga “Natën”, do të përfshihej në listën e këngëve që do të përdoreshin në filmin “Let’s be Cops”, një film ku luan Andy Garcia dhe Nina Dobrey.

“Natën” ishte pjesë e albumit me titull “Afterparty”, i publikuar në vitin 2012, vit kur u vlerësua me çmimin kult, si albumi më i mirë i vitit.

Dren Abazi vjen në këtë intervistë në mesin e një turi promovues të albumit të fundit. Ai rrëfen raportin me muzikën, publikun, skenën, të bukurën dhe jetën private.

Le të ndalemi pak tek “Mes Yjesh”, përkoi me 10 – vjetorin artistik, por na rrëfe pak më shumë rreth asaj mbrëmje, si erdhi tek ty, Ishte siç e kishe imagjinuar?

Gjithmonë ka vend për përmirësime dhe kjo mendoj se është shumë normale për një artist. Unë jam shumë i ngazëllyer me faktin që biletat ishin shitur të gjitha për të dy netët. Më bën shumë të lumtur fakti që njerëzit e kanë kulturë të vijnë dhe të shohin një koncert, meqenëse kjo është shumë atipike për mënyrën se si funksion këtu jeta artistike.

Nuk po flas për Shqipërinë, por po flas për shqiptarët. Ndaj, vetë fakti që njerëzit vijnë në koncert në një platformë ndryshe nga sa janë mësuar, se për hir të së vërtetës këtu nuk bëhen koncerte, në Prishtinë aq më pak, bëhen shumë rrallë dhe janë të paktë ata artistë që zgjedhin të vijnë me një koncert. Fakti që kanë ardhur t’i ndajnë ato dy orë të jetës me mua, më ka lumturuar shumë.

Dëshirojmë të të njohim pak më shumë, si është një ditë normale e jotja, çfarë bën, si nis dhe me çfarë merresh?

Nuk kam një jetë shumë të planifikuar, kjo është edhe ajo që më pëlqen më shumë nga profesioni që kam zgjedhur të bëj. Mund të zgjohem kur të dua, të lëviz kur të dua, të shijoj ditët i lirë. Sigurisht, me përjashtime, sepse shkoj edhe në studio, organizoj koncerte, evente, net live, por jam njeri shumë korrekt. Sepse më shijon të kem raporte të shëndetshme me njerëzit.

Cili është raporti që ke me të bukurën?

Nëse flasim për estetikën tek njeriu, sigurisht si të gjithë, e shijoj të bukurën që gjendet tek raporti i një portreti, apo tek i një trupi të bukur. E nëse flasim për estetikën dhe të bukurën si koncept, me siguri që ajo ndikon tek arti im, tek sjellja ime si një qenie krijuese.

E bukura është një koncept pa definicion dhe sigurisht, do të ishte e vështirë ta zgjidhnim edhe në të dy këtu, por jam i bindur se unë ndikohem kur ajo është prezente, në të gjitha format e saj. Ndikohem nga histori, nga imazhe, nga ngjyrat, nga muzika e bukur, dhe nga njerëzit e bukur.

Si e sheh Dren Abazi, skenën artistike shqiptare në tërësi?

Unë e kam thënë shumë herë, edhe pa marrë parasysh a ka rëndësi mendimi im apo jo! Megjithëse mendoj se idetë e mia nuk është se kanë ndonjë rëndësi, jo vetëm të miat, por të askujt. Gjithsesi, duhet thënë se kanë ndryshuar kohërat, kjo reflektohet domosdoshmërisht edhe në muzikë. Ne jetojmë në kohën e “fas t food”, njerëzit e marrin muzikën si një ushqim i shpejtë. Askush nuk e konsumon më muzikën si dikur, nuk kanë kohë, njerëzit nuk blejnë CD, nuk blejnë pllaka. Megjithëse vinili është kthyer në modë?

– Vinili, pra pllakat e gramafonit, janë kthyer në modë tek njerëz që janë dashamirës të muzikës, që kanë mundësi ta luajnë atë lloj muzike, por është gjithsesi e pamundur që të rikthehet në modën që ka patur si medium, si industri, pra nuk mund të shitet siç ndodhte para dyzetë viteve. Njerëzit nuk kanë më kohë për të dëgjuar muzikë, nuk e trajtojnë muzikën siç e kanë trajtuar më parë. Gjithkush dëgjon muzikë në telefon, ndërkohë që kthen një mesazh në Facebook, ndërsa bëhet muhabet, apo ha mëngjes. Muzika nuk ka më rëndësi, por ka ende disa “old school”, që ulen dhe dëgjojnë muzikë. Kjo reflektohet edhe tek skena shqiptare, që është shumë e brishtë dhe një kopje e keqe e skenave të mëdha botërore.

Ta bëra këtë pyetje, sepse ti ke patur shumë eksperienca jashtë vendit, që me koncertin në Paris, për “Nexhmije Pagarushën’, tek Jazz Festivalet nga më të famshme në botë, përse e kemi kaq të vështirë ne?

Ne jemi një vend i vogël, unë nuk po them që këtu nuk ka njerëz që bëjnë art të mirë, apo nuk po them se këtu nuk ka njerëz që nuk e njohin artin e bërë mirë, flas tani për pikturën, baletin, teatrin, patjetër që ka. Ai numër është më i vogël edhe kjo është shumë e natyrshme, sepse muzika e mirë është në përpjesëtim të zhdrejtë me inteligjencën e një shoqërie. Pastaj “Made in China”, shet më së shumti në botë, por gjithsesi është më e keqja, edhe këtu një pjesë e muzikës është një produkt i tillë.

Dua të rikthehem tek ty, ke 10 vite që mban të bashkuar një bend muzikor, sa e vështirë është të krijosh raportet e duhura për të mbajtur një grup për kaq shumë kohë?

Është një eksperiencë e bukur, por shumë e vështirë! Unë e mendoj shumë herë, po mos të kisha patur një bend, si fillim nuk do mundesha të realizoja muzikën që bëj, sepse ajo që bëj kërkon një numër të caktuar instrumentesh, është shumë e diversifikuar nga kjo pikëpamje. Gjithçka do të ishte më e lehtë sikur unë të isha vetëm, qoftë edhe teknikisht më e lehtë, mendo vetëm transportin e instrumenteve. Përgjegjësia do të ishte shumë më e vogël, sepse një bend funksionon si një ndërmarrje e vogël, ka shumë njerëz, shumë karaktere, me të cilat si drejtues duhet të merresh dhe është shumë e vështirë.

Sidoqoftë, unë mendoj se bukuria e muzikës është pikërisht tek njerëzit dhe tek lidhja që i bën muzika njerëzve. A ke parë dikë që vallëzon, e një tjetër jo, kur një DJ luan muzikë? Por kur luan një bend gjithçka ndryshon, njerëzit bashkohen. Për sa na përket ne, sigurisht që kemi patur momente të vështira, por jemi mirëkuptuar gjithmonë.

Po me familjen çfarë raporti ke?

Si çdo fëmijë shqiptar, ata janë gjithmonë shumë të preokupuar, vigjilentë, dhe sigurisht me idenë në kokë se kur merresh me art s’po bën asgjë, sepse kjo është qasja që ne si kulturë kemi ndaj artit dhe artistëve në tërësi. Ata kanë dashur të bëhem mjek, si gjithë bota. Në fakt unë kam studiuar drejtësi, por nuk kam punuar asnjë ditë në një zyrë juridike.

Do kishe provuar ndonjë përvojë si aktor, piktor, ke ndonjë pasion tjetër?

Unë kam qenë futbollist për një periudhë të gjatë kohe, dhe nëse nuk do isha bërë kantautor, do isha një sportist shumë i mirë. Mbase do kisha qenë i suksesshëm!

Si i jeton udhëtimet?

Janë pjesa më emirë e jetës, janë pjesa më emirë e punës sonë! Më pëlqen shumë të jetoj nëpër hotele dhe sigurisht që fle gjithmonë vetëm. Më pëlqen dhoma e hotelit pa personalitet, e zbrazët, më inspiron.

Tani ne duam të dimë kur do fejohesh, martohesh, dashurohesh?

Oh, kjo pyetja, që ju them mos ma bëni, të gjithë më pyesin! Më duket se prej të gjithë këngëtarëve meshkuj vetëm mua ma bëjnë këtë pyetje, nuk e kuptoj interesin. As kam ndonjë interes për martesë, të paktën tani. Kjo është gjëja për të cilën unë mendoj më së paku, edhe pse kam një moshë të madhe në datë 13 shkurt mbusha plot 23 vite (qesh).

Në fund rikthehemi tek muzika, ne e ndoqëm koncertin dhe pamë që ti ke një raport shumë të mirë me atë që përcjell tek njerëzit, ke një plan ta çosh më larg me një turmë të gjerë?

Unë luajta me 16 instrumentistë, që e përkthyer në para ka një kosto të lartë. Dhe idea për të çuar jashtë vendit është e bukur por e vështirë, unë kam interpretuar në festivale të rëndësishme, si “Fete dela Musique”, “Balkan Traffic”, dhe e di mirë sa e vështirë është të lëvizësh me formacione kaq komplekse, ndaj do ishte hipokrizi të thoja se e kam në plan, por muzika ime dhe e grupit është prezantuar në të tilla ambiente.

Sigurisht, që brenda trojeve ku ka shqiptarë do e çojmë këtë album, gjatë marsit jemi në Shkup në “Teatrin Kombëtar të Maqedonisë”, një super sallë, besoj më tutje edhe në Shkodër dhe për ta përmbyllur në Prishtinë.