LAJMI I FUNDIT:

Drejtori i Policisë: Çanta me bukën e Afrim Bunjakut u mor nga njerëzit e Radojçiqit

Drejtori i Policisë: Çanta me bukën e Afrim Bunjakut u mor nga njerëzit e Radojçiqit

Detaje të reja vazhdojnë të dalin në pah edhe pse kanë kaluar më shumë se një muaj që nga sulmi terrorist që u regjistrua në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit.

Ishin orët e para të datës 24 shtator kur, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të qon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.

Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy policë e kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.


Rreshteri Bunjaku ishte tërhequr nga kolegët e tij ndërsa Drejtori i Policisë Gazmend Hoxha në një intervistë në Kallxo Pernime tregoi momente kur një helmet e një polici e madje edhe një çantë me bukën të cilën e kishte me vete rreshteri ishin gjetur brenda Manastirit të Banjskës.

“Policët tanë, kur është vra rreshteri jonë, një çantë e rreshterit një helmet fatkeqësisht edhe ushqimin që e kanë pas atje kanë arrit me hjek prej atje, ne e kemi gjet një nga helmetën e policit tonë që është plagosur brenda manastirit”- tha drejtori Hoxha gjatë intervistës.

Për helmetën e Policisë, këta të fundit kishin treguar edhe më parë me anë të një komunikate me shkrim të publikuar për media.

Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulmin e 24 shtatorit në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa dy kolegët e tij njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.

Pas informatave për shpërthimin, e të shtënat me armë e me mjete tjera ndaj policëve, njësi të tjera reaguese ishin nisur drejtë Banjskës pas mesnatë më 24 shtator.

Pamje të ndryshme të publikuara nga Policia e Kosovës, tregojnë momente të kapura nga kamerat e vendosura në autoblindat e këtij institucioni deri sa grupi terrorist gjuante me armë të ndryshme drejt tyre.

Pamjet e luftimeve mes grupit terrorist dhe policisë ishin publikuar më 1 tetor ndërsa ora tregonte 4 e tutje të mëngjesit.

Në pamje shihej edhe vetura që ishte sulmuar fillimisht e policisë.

Deri më tani, përgjegjësinë për grupin dhe sulmin e po ashtu edhe logjistikën e ka marrë ish- nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiq.

Ai nuk e bëri këtë në mënyrë publike dhe vet por me anë të një letre që e lexoi avokati i tij. Madje në po të njëjtën letër ai tha se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

Radojçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i  lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetë atje.

Sulmin terrorist në Banjskë e dënuan akterë të shumtë ndërkombëtarë e vendor.

Përveç vrasjes së rreshterit Bunjaku, gjatë kundërsulmit nga ana e Policisë së Kosovës që u vendos në këtë fshat për të marrë kontrollin dhe situatën në dorë, u lënduan disa zyrtarë të tjerë policor.

Deri më tani zyrtarisht nga grupi terrorist janë të identifikuar tre persona si të vrarë.

Tre të tjerë janë të arrestuar. Policia ka arritur që të ketë në dorë mbi 300 mijë prova në lidhje me sulmin në Banjskë.

Këtë e tha vet Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.

Mediumi raportoi se edhe se ish-shefi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në regjionin e veriut, Uglesha Jarediq, është identifikuar në mesin e personave që ishte i përfshirë në rastin e Banjskës.

Në një dokument që Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka dorëzuar tek institucionet e Kosovës, emri i Jarediqit përmendet si i përfshirë në këtë rast.

Për të dokumentuar përfshirjen e tij Ministria ka përdorur një fotografi ku Jarediq shihet në një makinë bashkë me dy persona të tjerë.

Jarediq kishte udhëhequr njësinë speciale në Mitrovicën Veriore deri pak javësh, para se policët të ofronin dorëheqje masive.

Ai ishte suspenduar nga detyra edhe në shkurt të vitit të kaluar nën dyshimet për kryerje të veprës penale dhunë në familje.

Ish-bashkëshortja e tij e kishte raportuar për dhunë në familje Jarediqin e më pas i njëjti ishte suspenduar.

Lideri i specialëve të veriut ishte portretizuar si person me ndikim në veriun e Kosovës ndërsa në raste ishte shfaqur edhe duke udhëhequr njësitë speciale të policisë.

Drejtori Hoxha tha se roli i Jarediqit ishte edhe truproje e Millan Radojçiqit.

“Informacionet tona që i kemi, zotëria ish- kolegu jonë, ka qenë edhe truprojë dhe e ka lujt rolin e truprojës së Millan Radojçiqit dhe ka marrë pjesë në këtë operacion, tani ne jemi duke e hetu dhe hetimet do ta thonë punën e vet”- tha Hoxha.

Në trend Lajme

Më shumë
Gazmend Muhaxheri i falë personat që e sulmuan, ndërmjetësues u bë Xhavit Haliti

Gazmend Muhaxheri i falë personat që e sulmuan, ndërmjetësues u bë Xhavit Haliti

Lajme
Peshkaqeni “fantazmë” i zbuluar në brigjet e Shqipërisë, mahnit botën

Peshkaqeni “fantazmë” i zbuluar në brigjet e Shqipërisë, mahnit botën

Lajme
Gjendet 7-vjeçari që humbi në një mal të Novobërdës

Gjendet 7-vjeçari që humbi në një mal të Novobërdës

Lajme
“Nuk kam qenë e dashura e tij, më përndiqte” – rrëfehet gruaja e plagosur në Korçë

“Nuk kam qenë e dashura e tij, më përndiqte” – rrëfehet gruaja e plagosur në Korçë

Lajme
Haradinaj: S’kam dashni të madhe ndaj PDK-së e LDK-së, por duhet ta heqim Kurtin nga pushteti

Haradinaj: S’kam dashni të madhe ndaj PDK-së e LDK-së, por duhet ta heqim Kurtin nga pushteti

Politikë
Nga QKUK jepen detaje për personin e plagosur që raportohet se është zyrtar policor

Nga QKUK jepen detaje për personin e plagosur që raportohet se është zyrtar policor

Kronika e Zezë
Kalo në kategori