“Donte një sfidë të re”, agjenti zbulon se Robert Lewandowski nuk e konsideroi fare qëndrimin te Barcelona

Agjenti i Robert Lewandowskit, Pini Zahavi, ka zbuluar se sulmuesi polak kishte vendosur të largohej nga FC Barcelona edhe para se klubi ta diskutonte zyrtarisht ofertën për rinovim.
Duke folur për “365scoresarabic”, Zahavi shpjegoi se Lewandowski nuk e kishte marrë seriozisht mundësinë për të zgjatur qëndrimin në “Camp Nou”, pavarësisht se Barcelona e kishte vendosur në tavolinë një propozim të ri kontrate.
“Robert Lewandowski nuk e refuzoi propozimin për ta zgjatur kontratën me FC Barcelonën, por ai donte të merrte një sfidë të re dhe kjo është ajo që ka bërë”, deklaroi Zahavi.
Zahavi, i cili përfaqëson gjithashtu Hansi Flickun dhe njihet për marrëdhënien e afërt me presidentin e Barcelonës, Joan Laporta, konfirmoi se interesimi për sulmuesin ka qenë i pranishëm prej muajsh.

“Klube nga Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite kanë shfaqur interes, ndërsa vendimi final do të merret në fund të sezonit”, shtoi ai.
Sipas Zahavit, lëvizja e ardhshme e Lewandowskit vështirë se do ta mbajë atë në Evropë, pavarësisht raportimeve për interesim nga klube italiane dhe nga FC Porto.
Edhe vetë sulmuesi ka pranuar së fundmi se do të ishte i hapur të luante në një ligë më pak konkurruese në të ardhmen, duke thënë se dëshiron të shijojë më shumë jetën dhe të ketë më shumë minuta në fushë.
Ndërkohë, raportimet në Poloni vazhdojnë ta lidhin Lewandowskin me një transferim në Arabinë Saudite, edhe pse destinacioni i saktë mbetet i paqartë. Al Hilal është përmendur si një opsion i mundshëm, por klubi saudit thuhet se duhet fillimisht të lirojë vende për lojtarët e huaj përpara se të bëjë lëvizjen./Telegrafi/
















































