LAJMI I FUNDIT:

Donald Trumpi dhe Abazi i Bukovikut

Donald Trumpi dhe Abazi i Bukovikut

Në Betejën e Sutjeskës (Bosnje dhe Hercegovinë, qershor 1943), mes partizanëve jugosllavë dhe nazistëve gjermanë, një granatë bie pranë Josip Broz Titos. Por, aty ishte deltari gjerman i quajtur Luks, një qen tamam besnik, që kërcen dhe ia shpëton jetën pronarit të tij.

“Po të mos e shpëtonte qeni, do ta shpëtonte arusha”, e komentonte kështu këtë rrëfim, Ibrahim Selmani nga Glloxha e Tetovës.


Sidoqoftë, kur jemi te rrëfimet, para se ta shpëtonte qeni Titon, në Betejën e Neretvës (Bosnjë dhe Hercegovinë, shkurt-mars 1943), ai po ashtu e pa vdekjen me sy. Mirëpo, si fatlum që ishte, pranë i qëlloi një partizan trim, Abaz Ajeti – i njohur si Bukoviku. Në një betejë apokaliptike, ku plumbat fatalë fluturonin në çdo anë, Bukoviku heroik e mbante Titon e plagosur në krah, duke i dhënë edhe gajret: “Mbahu burrë, se nuk të lëshoj e nuk të lë kurrë në duar të gjermanit”!

Pa e ditur se po e mbante në shpinë fatin e një shteti të tërë, Abazi thuhet se e shpëtoi burrin më të madh të Jugosllavisë komuniste – Mareshalin Tito. Ky i fundit, katundarit nga Bukoviku i Gjilanit i premtoi se nuk do ta harrojë e se ka me u kujdes tërë jetën për të.

Kështu, Abazi, një personazh sa real e aq edhe mitik (por që dihet se ishte një çoban analfabet), pas Luftës së Dytë Botërore, “me dekret të Titos” u bë kryetar i Komunës së Gjilanit. Por, si i pashkollë që ishte, nuk dinte gjë tjetër të thoshte – kur “mbante” rregull, duke hapur dyert e zyrave – pos të fliste me “diskursin rural”: “Ngutuni burra, se po na zë zhegu”!

Për Abazin sot thuren shumë legjenda. Madje përmenden 60 medalje që ia ka dhënë Tito, i cili fort gëzohej sa herë që ia dëgjonte zërin shqiptarit kur i shkonte për vizitë në Dedinje të Beogradit. Sidoqoftë, gjilanasit sot kanë fjalë të mira për të, sepse ishte i sinqertë, nuk kishte dashnore, e nuk e shpenzonte buxhetin për nevoja personale – aq më pak për kurvëri…

Abazi ishte produkt i kohës ku ka jetuar, një kohë kur njerëzit kishin turp e kur modestia e ndershmëria ishin virtyte. Sot gjërat kanë ndryshuar. Këtë bile e kishte parashikuar një banor i Prishtinës, që në vitet ’80 të shekullit të kaluar, i cili me zemër të plastë kishte thënë: “Po vjen koha kur çdo gjë që është e turpshme dhe idiote, do të cilësohet moderne”. Këtë ai e tha teksa njerëzit i shkonin për ta parë, pas një “debati” për “modën moderne” që për pak nuk përfundoi me tragjedi në familjen e tij!

Në këtë aspekt duhet parë edhe kampanja e Donald Trumpit, i cili që nga janari i vitit 2017 do të njihet si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Trump që 10 vite ishte pjesë e “The Apprentice”, një reality-show i cili si çdo spektakël tjetër, është i destinuar për zbavitje të masave. Dhe, në një botë të manisë pas zbavitjes e me një elektorat që harron shpejtë, ai donte të dilte fitues. Bota sot është teatër absurd, e në këtë teatër katarsisi vjen nga personazhet ekscentrike e debile – siç e shfaqi ai veten këtë vit.

Trump në kampanjën e tij nuk ishte serioz, por llafazan i madh. Në fjalime nuk lodhej të ofronte zgjidhje, por projektonte burime të problemeve që ndërlidheshin me tërë establishmentin politik amerikan. Në fakt, ai ishte një aktor i mirë, i cili nga perandoria që i peshonte afro katër miliardë dollarë, nga “froni” i lakmisë për shumicën e amerikanëve, e ulte veten në pozitën e një amerikani mediokër, që flet me fjalor rrugësh, por të kapshëm për shumicën – përderisa shprehej për gjërat që populli thjeshtë donte t’i dëgjonte!

Një miliarder megjithatë nuk është aq budalla të mos e dijë se fjalamanët që nuk ofrojnë fakte, e aq më pak alternativa, po fitojnë kudo. Ata fituan në Kosovë, duke premtuar qindra-mijëra vende pune; fituan në Shqipëri, pa planprogram zhvillimi; e hoqën Britaninë e Madhe nga Unioni Evropian; dominojnë politikën italiane që 22 vite (Silvio Berlusconi dhe partia e tij); e djathta ekstreme veç po e shton ndikimin politik në Greqi, në Francë, Finlandë, Gjermani, Austri…

Trump pra nuk bëri gjë tjetër, pos që luajti me kartën fituese në epokën e triumfit të injorancës. “Në tokën e të verbërve, mbret është njeriu me një sy”, ka thënë moti Erazmusi i Roterdamit. Apo, siç thonë shqiptarët: “Si populli, ashtu Qeveria”!

Natyrisht, në shoqëritë e fuqishme, siç është ajo amerikane, presidentët e tillë “rehabilitohen”. Pra, Trumpi i kampanjës zgjedhore nuk do të jetë i njëjtë si presidenti Trump që jeton në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, fitorja e tij është alarm për tërë njerëzimin dhe rrugën që ka marrë, sepse dija, fjala dhe ndershmëria më nuk kanë vlerë.

Këto dy të fundit – fjalën dhe ndershmërinë – thonë se i kishte Abazi i Bukovikut. Ndaj, plotë gjilanas shprehen se po të kishte ai shkollimin e duhur, me këto virtyte do të linte vepra shumë të mëdha për vendin e tij!

Ndoshta dikur, por jo sot, apo jo?!