LAJMI I FUNDIT:

Donacioni amerikan i vaksinave anti-COVID, Kurti: Përjetësisht mirënjohës SHBA-së

Donacioni amerikan i vaksinave anti-COVID, Kurti: Përjetësisht mirënjohës SHBA-së

Kosova sot ka pranuar 515,970 doza të vaksinës kundër COVID-19, Pfizer/BioNTech, donacion ky i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në ceremoninë e pranimit të këtyre vaksinave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe iniciativën COVAX për kontributin e tyre si dhe të gjithë atyre që kanë dhuruar dhe po vazhdojnë të dhurojnë në këtë iniciativë.


“Pandemia COVID-19 është një krizë botërore, e cila mund të adresohet në mënyrë efikase vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar. Dhe nuk ka asnjë fushë ku ky bashkëpunim ndërkombëtar është më i rëndësishëm, më jetik, sesa në përpjekjet për të siguruar shpërndarjen sa më të gjerë, sa më të barabartë, të vaksinave në mbarë botën. Kosova ka qenë përfituese e madhe e këtyre përpjekjeve”, është shprehu Kurti në ceremoni.

Teksa fliste për pandeminë me COVID-19, kryeministri Kurti theksoi se gati çdo vend i botës, përfshirë edhe Kosovën, është përballur me pasoja jo të lehta për jetën dhe shëndetin njerëzor.

Megjithatë, shtoi ndër tjera ai, gjatë dy valëve më të fundit të virusit Corona, atyre të variantit Delta dhe të variantit Omicron, Kosova ka arritur t’i mbajë në minimum kostot njerëzore.

“Gjatë valës së variantit Delta, kemi pasur shkallë dukshëm më të ulët të humbjeve të jetës sesa vendet e tjera të Ballkanit, përkatësisht gati 2.5 herë më të ulët, për kokë banori, se sa mesatarja e këtyre vendeve. Ndërkaq, gjatë valës së variantit Omicron, e cila nuk ka përfunduar ende, vendi ynë përsëri po arrin ta minimizojë numrin e vdekjeve prej COVID-19, i cili numër, deri më tani, qëndron pothuajse gjashtë herë më i ulët, për kokë banori, sesa mesatarja e vendeve të tjera të rajonit”, tha ai.

Donacioni i vaksinave, Osmani: SHBA në 1999 na shpëtoi nga lufta, ndërsa tani nga COVID-19
Lexo po ashtu Donacioni i vaksinave, Osmani: SHBA në 1999 na shpëtoi nga lufta, ndërsa tani nga COVID-19

Suksesi i Kosovës përballë varianteve Delta dhe Omicron, ka ardhur si rezultat i një fushate tejet të suksesshme të vaksinimit në masë, deklaroi më tej kryeministri, derisa veçoi se suksesin e fushatës së vaksinimit, Kosova nuk e ka arritur pa ndihmën e aleatëve të saj.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti, duke kujtuar përvojat nga valët e mëparshme nga COVID-19, tha se dëshmojnë qartë se vaksinimi në masë është shumë më efikas nëse ndodh para ardhjes së një vale të re të infektimeve dhe se për t’u përgatitur, për valën e ardhshme të virusit, është e domosdoshme që të vazhdojmë të vaksinohemi sa më masivisht.

“Donacioni i sotëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes iniciativës COVAX, e bën të mundur vazhdimin e kësaj fushate. Dhe për këtë, jemi përjetësisht mirënjohës”, tha Kurti.

E ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier u shpreh se kjo është hera e tretë që po dhurojnë vaksina. Më tej shtoi se në luftën kundër pandemisë kanë ndihmuar edhe me 10 milionë dollarë.

“Ky është dorëzimi i tretë i donacionit të vaksinave kundër Covid-19. Kjo e çon numrin e përgjithshëm të vaksinave të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për miqtë tanë në Kosovë në mbi 1 milion doza. Kjo i bën Shtetet e Bashkuara, donatorin më të madh bilateral në Kosovë të vaksinave kundër COVID-19 që nga fillimi i kësaj pandemie, dhe me këtë dorëzim shtesë tani, donacioni i Shteteve të Bashkuara është i mjaftueshëm për të vaksinuar 30% të gjithë popullsisë së Kosovës me të dyja dozat… Qeveria e Shteteve të Bashkuara gjithashtu ka dhuruar afro 10 milionë dollarë dhe ndihma të tjera për të mbështetur luftën e Kosovës kundër COVID-19. Përveç vaksinave, ne kemi kontribuar me pajisje mjekësore, asistencë teknike dhe mbështetje të tjera, duke përfshirë përpjekjet për të luftuar dezinformimin dhe për të rritur marrjen e vaksinave”, ka theksuar ai.

Shefja për Zhvillim të Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson u zotua se mbështetja për Kosovën do të vazhdojë.

“Mbështetja jonë do të vazhdojë në të gjitha aspektet e ndryshme të luftës kundër COVID. Ne kemi pasur udhëheqje të mirë për sa i përket ekspertizës teknike nga OBSh dhe gjithashtu nga UNICEF-i që janë këtu me ne sot, dhe ne gjithashtu besojmë se Kosova ka përfituar nga solidariteti i madh, dhe kjo në fakt ka qenë çelësi për suksesin e Kosovës në luftimin apo suksesin në ndihmën për të luftuar COVID-in. Nuk kemi mbaruar ende, por bëjmë thirrje për rritje të solidaritetit sepse COVID në fakt mund të mbarojë. Ky vit mund të jetë fundi i COVID-it, por vetëm nëse përshpejtojmë solidaritetin”, ka përfunduar ajo.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi theksoi se mbi 57 përqind e qytetarëve në Kosovë janë të vaksinuar me të dy dozat.

“Për dhjetë muaj, prej fillimit të vaksinimit në Kosovë janë dhënë mbi 1,8 milionë vaksina. Rreth 63 për qind e popullatës tonë e moshës mbi 12-vjeçare kanë marrë nga një dozë të vaksinës kundër COVID-19. Dhe 57 përqind të dy dozat. Ky është një numër jashtëzakonisht i madh. Doza e tretë është shumë inkurajuese dhe duhet të shtohet edhe më shumë. E gjithë kjo punë e madhe është bërë falë përkrahjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partnerëve evropianë, familjes së Kombeve të Bashkuara duke futur këtu UNICEF-in dhe OBSh-në e të tjerët”, ka thënë ai.

Edhe Latifi u ka bërë thirrje prindërve për vaksinim të fëmijëve, nënave shtatzëna dhe gjidhënëse.

Në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin dhënë Kosovës edhe një donacion prej 538,200 doza të vaksinave përmes iniciativës COVAX. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Lajme
“Ju kemi njohur para lufte...ju njohim edhe tash”, Haxhiu, opozitës: Milionerë nuk ishit, jeni bërë vetëm duke qenë në qeveri

“Ju kemi njohur para lufte...ju njohim edhe tash”, Haxhiu, opozitës: Milionerë nuk ishit, jeni bërë vetëm duke qenë në qeveri

Lajme
Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Drejtësi
Siljanovska: Nuk do t'i largojë tabelat Maqedonia e Veriut, dhe do ta përdor vetëm Maqedonia

Siljanovska: Nuk do t'i largojë tabelat Maqedonia e Veriut, dhe do ta përdor vetëm Maqedonia

Politikë
Murati i përgjigjet opozitës: Në raportin e DASH-it ka përgjysmim të korrupsionit me këtë Qeveri

Murati i përgjigjet opozitës: Në raportin e DASH-it ka përgjysmim të korrupsionit me këtë Qeveri

Lajme
Britania e Madhe kërkon t’i kushtohet më shumë vëmendje rreziqeve të konfliktit në Ballkan

Britania e Madhe kërkon t’i kushtohet më shumë vëmendje rreziqeve të konfliktit në Ballkan

Lajme
Kalo në kategori