Dogana e Kosovës zbulon mall të padeklaruar në Vërmicë

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka zbuluar një sasi malli të padeklaruar gjatë procedurave të zhdoganimit në Zyrën e Brendshme Doganore në Vërmicë.
Sipas njoftimit, rasti është regjistruar më 3 qershor 2026, kur një ngarkesë e paraqitur për zhdoganim nga importuesi është përzgjedhur për kontroll të detajuar në bazë të kritereve të analizës së riskut.
“Mallrat ishin paraqitur për zhdoganim nga importuesi dhe, bazuar në kriteret e analizës së riskut, ngarkesa është përzgjedhur për kontroll të detajuar nga zyrtarët doganorë”, thuhet në njoftim.
Dogana ka bërë të ditur se gjatë verifikimit dhe krahasimit të dokumentacionit me gjendjen faktike të mallit, zyrtarët doganorë kanë konstatuar praninë e një sasie të padeklaruar të radarëve për sisteme kundër vjedhjes.
“Zyrtarët doganorë kanë konstatuar praninë e një sasie të padeklaruar të radarëve për sisteme kundër vjedhjes”, thuhet më tej.
Sipas Doganës, bazuar në të dhëna nga zhdoganime të mëhershme për mallra të ngjashme, vlera e përafërt e mallit të padeklaruar vlerësohet të jetë rreth 2,050 euro.
Në njoftim theksohet se, në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, mosdeklarimi i mallit përbën kundërvajtje doganore, pasi synon shmangien ose uljen e detyrimeve të importit të parashikuara me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme, mbrojtjen e tregtisë së ligjshme dhe garantimin e konkurrencës së drejtë për operatorët ekonomikë, duke kontribuar në sigurinë dhe integritetin e tregut të Kosovës. /Telegrafi/

































