LAJMI I FUNDIT:

Vlerësojeni jetën sipas buzëqeshjeve, jo sipas lotëve

Vlerësojeni jetën sipas buzëqeshjeve, jo sipas lotëve

Bota vërtet ka nevojë për një ditë plot buzëqeshje dhe prandaj Kombet e Bashkuara e shpallën Ditën ndërkombëtare të Lumturisë. Ajo ditë është 20 marsi, që është po ashtu edhe dita e parë e pranverës.

Për të festuar, njerëz në të gjithë botën organizohen dhe u sjellin lumturi të tjerëve. E, nëse diku në botë ekziston një njeri që do të ishte model lumturie, atëherë ai është Don Johnsonnga Niagara, një muzikant, i cili shpesh mund të gjendet duke argëtuar njerëz në ngjarje të ndryshme, spitale, e madje qendra përkujdesjeje shëndetësore, shkruan KP.


“Më pëlqen jeta dhe jam mirënjohës se tani jam 87 vjeç dhe gjithçka me mua është OK”, thotë Johnson, shtëpia e të cilit është e mbushur me certifikata dhe pllakate falënderimi nga organizata të shumta. “Muzika ka një kuptim të madh në jetën time. Kur shkoni në spital apo në qendër përkujdesjeje shëndetësore dhe e shihni ndonjë njeri që nuk është dhe aq mirë, atëherë filloj të luaj ndonjë këngë që ata e pëlqejnë, sikur kjo të ishte gjëja e fundit që mund të bëj për ta. Ndoshta i kam bërë të ndihen të lumtur vetëm për një ditë apo për të paktën disa minuta”.

Johnson megjithatë thotë se ka ditë kur nuk është dhe aq i disponuar, por e gjitha që i duhet të bënte është të merrte benxhon dhe përnjëherë shkon në një botë tjetër.

“Nuk mund ta blini lumturinë – duhet ta përjetoni”, shton ai.

Të gjithë ata që e njohin Wayne Pinen, e di se ai gjithmonë ka fjalë inkurajuese për ata që mund të jenë duke kaluar nëpër kohëra të vështira.

“Nuk ka shpërblim më të madh në jetë sesa të dish se e ke ndihmuar dikë përgjatë rrugës, që të ketë një të nesërme më të mirë”, ka thënë banori 67-vjeçar i Nigaras. “Lumturia ka të bëjë me dashurinë për familjen, njerëzit, besimin, flamurin dhe shtetin”.

Dhe,. çfarë nënkupton lumturia për njerëzit si Michael Busseri, profesor i psikologjisë në Universitetin Brock, i cili ka bërë studime në këtë fushë?

“Në pjesën më të madhe, lumturia varet nga vetë fakti se si njerëzit e definojnë atë”, ka thënë Busseri, i cili pranon se nuk e ka përgjigjen magjike. “Disa njerëz e imagjinojnë lumturinë si diçka që ndodh nga momenti në moment, nga minuta në minutë dhe në rastet kur ndihen pozitivisht apo negativisht. Të tjerët e imagjinojnë lumturinë më shumë si një veçori karakteri – është pjesë e personalitetit të tyre dhe e bartin atë me vete në çdo eksperiencë që përjetojnë”, thotë ai.

Në disa studime të tjera, të kryera gjatë viteve të fundit, lumturia është zhvilluar bazuar në idetë e vetë mënyrës së jetesës, nëse ajo është me kuptim dhe me qëllim. Por një përgjigje e vetme dhe definitive nuk është nxjerrë asnjëherë.

  • Të famshmit për Lumturinë:
  • “Numëroni moshën sipas miqve, jo sipas vjetëve. Vlerësoni jetën sipas buzëqeshjeve, jo sipas lotëve”. (John Lennon)
  • “Çdo minutë zemërimi ju shkakton humbjen e gjashtëdhjetë sekondave lumturi”. (Ralph Waldo Emerson)
  • “Lumturi është kur ajo që mendoni, ajo që thoni dhe ajo që bëni janë në harmoni”. (Mahatma Gandhi)
  • “Lumturia nuk është diçka që ju ofrohet si e gatshme. Ajo vjen nga vetë veprimet tuaja”. (Dalai Lama XIV)