LAJMI I FUNDIT:

Dita e Çlirimit dhe e mirënjohjes së Kosovës ndaj ShBA-së dhe NATO-s

Dita e Çlirimit dhe e mirënjohjes së Kosovës ndaj ShBA-së dhe NATO-s

12 qershori 1999, dita kur nisi zbarkimi në terren i trupave tokësore të NATO-s, është skalitur me meritë në memorien e historisë sonë kombëtare, si data e çlirimit të Kosovës.

Paraprakisht dhe mbi të gjitha, si edhe për çdo vit, dëshiroj t’u përcjell bashkëkombësve, urimet vëllazërore për 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës.


12 qershori mbetet pa asnjë mëdyshje edhe një datë e përuljes kombëtare ndaj të rënëve/dëshmorëve të Atdheut si dhe e nderimit më të thellë ndaj luftëtarëve të Kosovës për sakrificat për liri dhe pavarësi në shekuj. Thënë këtë, besoj fort se në koshiencën institucionale dhe opinionin mbarëkombëtar, do të mbetet përjetësisht e kthjellet si kristal që çlirimi i Kosovës dhe realiteti i ri gjeopolitik nuk erdhën brenda një date të vetme (12 qershori 1999), ashtu siç edhe dihet që çlirimi nga pushtimi serb nuk u arrit vetëm nga luftërat, qëndresa, si dhe sakrificat në shekuj të popullit të Kosovës martire. Në të kundërt, për shkak të së vërtetave, shpresoj të mbetet përjetësisht e mirënjohur se para datës 12 qershor, pra mbas dështimit të diplomacisë për të shmangur luftën, më 24 mars deri në 10 qershor 1999 (datë kur sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, urdhëroi ndalimin e bombardimeve ndaj Serbisë), ShBA-ja dhe NATO u angazhuan për herë të parë në një fushatë ajrore ose në luftë jashtë artikullit 5 (pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së), por duke e legjitimuar dhe faktorizuar NATO-n si Aleancën e lirisë dhe të besimit te vlerat demokratike në mbarë botën.

Së dyti, po pse data 12 qershor 1999 është zyrtarizuar si data e çlirimit të Kosovës nga pushtuesit serbe? Tri ditë më parë, pra më 9 qershor, në Kumanovë u nënshkrua Marrëveshja Teknike Ushtarake ndërmjet palës fituese, NATO-s, dhe palës humbëse, RFJ-së, e cila hyri në fuqi më 11 qershor 1999. Kështu, me Marrëveshjen e Kumanovës (MK), NATO ndaloi bombardimet, ndërsa Serbia detyrohej të tërhiqte të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova. Marrëveshja e Kumanovës u nënshkrua nga gjenerali mirënjohur anglez, Mike Jackson, komandanti i parë i KFOR, ndërsa nga Serbia ish-shefi i Shtatmadhorisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, më vonë i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid.

Për hatër të së vërtetës, duhet të shtojmë se në Kumanovë nuk kishte as palë nënshkruese dhe as prezente, përfaqësues ushtarakë të UÇK-së. Përkundër, MK-ja vendosi shkrirjen e UÇK dhe shndërrimin në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. E thënë më shkurt, më 12 qershor 1999 nisi zbarkimi i trupave të këmbësorisë së NATO-s në Kosovë, ndërsa dy ditë më parë (10 qershor), Këshilli i Sigurisë së OKB-së kishte miratuar Rezolutën 1244, sipas së cilës në Kosovë u dërguan 37 200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. E parë nga ky këndvështrim, 12 qershori jo vetëm simbolizon datën e çlirimit të Kosovës nga pushtuesit serbë, por gjithashtu meriton të skalitet përjetësisht në memorien historike edhe si data e mirënjohjes kombëtare ndaj fuqisë ushtarake të Aleancës Transatlantike si dhe vlerave perëndimore.

Së treti, pse “partneritetin special” të Beogradit zyrtar me Rusinë, e gjej si rrezik ndaj, paqes dhe stabilitetit demokratik në vendet e rajonit, si dhe interesave të NATO-s, ShBA-së dhe BE-së, por dhe si një oportunitet strategjik ndaj interesave kombëtare të Shqipërisë? Pavarësisht përpjekjeve të Kremlinit, duhet thënë se Rusia putiniste dështoi për të ndezur një front të ri lufte, duke frymëzuar grupet kriminale, agjendën e politikanëve të diskretituar, interesat e zyrtarëve të korruptuar si dhe ekstremistët anti-perëndimorë për të ricikluar oscilacionet e Beogradit zyrtar, duke kërcënuar deri me agresion ushtarak nën inspektimin e Ambasadorit rus në Serbi, jo vetëm sovranitetin territorial të Kosovës, por edhe prezencën e shtuar të NATO-s me mision në terren. Po ashtu edhe trimërimi mbas lufte të Aleksandar Vuçiqit mbi kufijtë e rinj shtetëror në Ballkan dhe mos njohjen e Kosovës, kurrsesi nuk mundet ta trembin fuqinë e sprovuar të NATO-s, por vetëm minojnë dialogun dhe rrezikojnë agjendën e integrimit të Serbisë drejt BE-së.

Prandaj, më duhet ta përsëris fort: Për sa kohë të ketë prezencë të ShBA-së në terren, agresioni ushtarak kundër tërësisë territoriale të Kosovës, e cila në të njëjtën kohë është nën përgjegjësinë e NATO-s, përveçse aventurë vetëvrasëse e Serbisë mbetet një mision tërësisht i pamundur. Ndërsa, po ashtu, për riciklimin e rrënjëve të destabilitetit në veri të Kosovës dhe përqasjen e pakonsultuar me aleatët strategjikë të qeverisë së Albin Kurti, nuk mund të mos e shpreh keqardhjen dhe shqetësimin për mungesën e sensit të mirënjohjes dhe të intuitës së konsultimit dhe bashkëpunimit euroatlantik si dhe, fatkeqësisht, për riciklimin e populizmit, patriotizmave dhe sovranizmave folklorike të Kurtit si dhe të akterëve tjerë të Prishtinës Zyrtare.

Së katërti, duhet thënë se përkundër përpjekjeve dhe progresit në 24 vjet, mbetet ende shumë për të bërë nga të dy vendet sovrane (Serbia dhe Kosova). Gjithsesi, përkundër riciklimit të klimës të konfliktit, besoj edhe më fort se paqja mbetet opsion dhe misioni i vetëm, në mënyrë që siguria të perceptohet dhe konsumohet përtej historisë së përgjakshme, në interes të sigurisë së jetës, pronës, prosperitetit të qytetareve, interesave të shoqërive edhe në gjashtë vendet e Ballkanit ende të paintegruara në BE. Nga ana tjetër, historia botërore e mbas-konflikteve na ka mësuar se marrëveshjet e paqes dhe stabilitetit (me çdo lloj emërtimi) nuk kanë për të funksionuar, pa shtruar themelet e mirëbesimit reciprok. Krimea  është shembull i gjallë, ku arritjet nga Marrëveshja e Paqes më 2014 po shpaguhen me gjakun e qytetarëve ukrainas dhe rusë.

Së pesti, me kapacitetin e një eksperti me eksperiencë në çështjet e sigurisë kombëtare, rajonit, NATO-s etj., do sugjeroja akterët dhe kolegët në Uashington dhe Bruksel, që perspektivën e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës ta parakushtëzojnë me vetëm dy masa të mirëbesimit reciprok, nëpërmjet të cilave Beogradi dhe Prishtina të imponohen nga ShBA-ja, NATO dhe BE se: (1) do të ruajnë balancat e fuqisë ushtarake deri në nivelin që reciprokisht të mos kërcënojnë integritetin territorial); (2) nuk do të vendosin instalime dhe aktivitete ushtarake (25 kilometra distancë ajrore dhe pesë tokësore), në kufijtë shtetërore mes dy vendeve sovrane, si dhe këto dy kushte të monitorohen nga NATO të cilat mbeten faktor kritik për paqen dhe agjendën e integrimit të rajonit.

Nga ana tjetër, do t’i këshilloja vëllazërisht faktorët politikë dhe shtetërorë të Prishtinës që marrëzinë e kërcënimeve ushtarake të Beogradit ndaj integritetit të Kosovës, ndaj prezencës së NATO-s, ShBA-së dhe vlerave perëndimore, kurrsesi të mos i konsiderojnë vetëm si rrethanë e favorshme, por një sfidë shtetërore dhe përgjegjësi zyrtare për të zhvilluar masat e mirëbesimit reciprok në Kosovën moderne (përtej prezencës së NATO-s që sigurisht nuk do të jetë e përjetshme), ku mbi të gjitha qytetarët, pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike, të garantohen si të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin e Kosovës nga konsumatore në kontribuuese për paqen, stabilitetin demokratik dhe për integrimin në NATO dhe BE!

Në të njëjtën kohë, do të sugjeroja faktorët institucionalë në Tiranë dhe në Prishtinë, që për interesa jetike kombëtare të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore duke jetësuar një platforme strategjike: Dy shtete një komb dhe atij të mençur mbi sovranitetin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare, duke garantuar ShBA-në dhe NATO-n se kjo “qasje e vonuar” nuk kërcënon, por do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjatë ndërmjet vendeve të rajonit. Në përmbledhje, 12 qershori mbetet jo vetëm një ngjarje e lavdishme e çlirimit të Kosovës nga pushtuesit serbë, por edhe një datë për të na kujtuar neve si komb që Aleanca Transatlantike e meritojnë mirënjohjen në përjetësi nga mbarë shqiptarët. Me këtë rast, rikonfirmoj se si edhe në mbi 35 vjet në fushën e sigurisë kombëtare dhe NATO-s: mbetem ushtar i përkushtuar dhe i përulur i atdheut, për mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare në rajon, Mesdhe dhe më gjerë.