LAJMI I FUNDIT:

Digjitalizimi i arsimit: 32 laptopë në shkollën me mbi 1.200 nxënës

Digjitalizimi i arsimit: 32 laptopë në shkollën me mbi 1.200 nxënës
Foto: Arkiv

Viti i ri shkollor në Kosovë, prej kohësh, nuk nis pa ndonjë sfidë – sivjet ishte sigurimi i teksteve shkollore, vjet ishte greva e mësimdhënësve.

Por, ajo që e përcjell vazhdimisht, është mungesa e digjitalizimit të shkollave në epokën e bumit digjital.

Të dhënat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit [MASHTI], të publikuara vitin e kaluar në Strategjinë e Arsimit 2022-2026, tregojnë se numri i kompjuterëve në shkollat publike të Kosovës është 9.138, apo mesatarisht 1 kompjuter për 35 nxënës.

MASHTI nuk i është përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë nëse këto statistika kanë ndryshuar.

Por, në një konferencë në muajin prill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka konfirmuar ato dhe ka thënë se Qeveria e tij ka ndarë një buxhet prej 18 milionë eurosh – për një periudhë trevjeçare – për blerjen e pajisjeve digjitale në shkolla.

REL-i pyeti Zyrën e Kurtit se sa shkolla janë pajisur, ndërkohë, me kompjuterë, por nuk mori përgjigje.

Përse është i rëndësishëm digjitalizimi i arsimit?

“Digjitalizimi e bën mësimdhënien dhe mësimnxënien më atraktive dhe është në përputhje me ‘modën e të rinjve’, të cilët janë gjithnjë e më shumë në internet. Atraktiviteti rrit, pastaj, përqendrimin dhe rezultatet e mësimnxënies”, thotë Jonuz Salihu, ekspert i çështjeve të arsimit, për Radion Evropa e Lirë.

REL-i vizitoi këtë javë Shkollën Fillore “Hilmi Rakovica” në Prishtinë, ku mësimi zhvillohet në mënyrë klasike, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të pajisjeve kompjuterike. Aty nuk ka pasur ndonjë investim së voni.

Drejtori Skënder Halimi tha se shkolla me 1.276 nxënës ka 32 laptopë në kabinetin e Teknologjisë Informative.

“Jo të gjithë laptopët janë funksionalë, pasi janë të modelit të vjetër – të viteve 2012-2013. Këto pajisje i shfrytëzojnë nxënësit për lëndën e Teknologjisë Informative, por edhe arsimtarët dhe mësuesit për nevoja të shkollës”, tha Halimi.

Valbona, e cila ka dy vajza që i ndjekin mësimet në këtë shkollë, thotë se digjitalizimi i teksteve shkollore do të ishte një ndihmesë e madhe për të.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se, për shkak të peshës së rëndë të librave në çantë, detyrohet që çdo ditë t’i dërgojë dhe t’i marrë vajzat nga shkolla – njëra në klasën e pestë në ndërrimin e paradites, tjetra në klasën e shtatë në ndërrimin e pasdites.

“Digjitalizimi do të ishte shpëtim edhe për vajzat, edhe për mua… Vajzat kalojnë shumë kohë me telefona… Ndoshta do të ishte edhe më atraktive për mësim dhe do ta lehtësonte shkuarjen në shkollë”, thotë Valbona.

Edhe në Këshillin e Prindërve të Kosovës thonë se digjitalizimi i arsimit është një proces i domosdoshëm, meqë mësimnxënia aktuale nuk përkon me epokën digjitale.

“Do të kishim përfitime të mëdha”, thotë kreu i këtij këshilli, Besnik Dragusha. “Do të rritej cilësia, pamja vizuale e teksteve, si dhe do të bëhej përditësimi i tyre me informacione të reja”.

Për më tepër, shton ai, do të rritej ndërveprueshmëria e nxënësve, si dhe bashkëpunimi i tyre me mësimdhënësit.

Rinor Qehaja, drejtor i Institutit EdGuard në Prishtinë, i cili merret me çështje të edukimit, shprehet ngjashëm, por shton se ky proces, njëherësh, është edhe “kompleks”.

“Digjitalizimi nuk nënkupton vetëm kalimin e librave nga të printuara në elektronike, mirëpo kërkon shumë zhvillim, përmirësim të materialeve që duhet të jenë më interaktive”, thotë ai.

Në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, mbi 94 për qind e ekonomive familjare kanë qasje në internet.

Digjitalizimi i arsimit është ndër pesë objektivat kryesore të Strategjisë së Arsimit 2022-2026, e cila është miratuar në fund të vitit të kaluar.

Në këtë dokument thuhet se gjatë një periudhe 5-vjeçare do të punohet, mes tjerash, në përgatitjen dhe prodhimin e materialeve mësimore digjitale për lëndë dhe klasë të ndryshme, si dhe në furnizimin e institucioneve edukative-arsimore me rrjet cilësor të internetit dhe me pajisje të nevojshme teknologjike.

Për këtë synim janë ndarë 52 milionë euro, nga rreth 323 milionë sa parashihet të jetë kostoja e përgjithshme e strategjisë.

Cilësia e arsimit

Sipas Agjencisë së Statistikave, Kosova ka mbi 300.000 nxënës që ndjekin shkollimin fillor dhe të mesëm në mbi 1.000 shkolla.

Cilësia e arsimit në sistemin parauniversitar të vendit është kritikuar shpesh nga institucionet ndërkombëtare.

Në një raport që ka publikuar Banka Botërore në vitin 2020, është thënë se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.

Në dy teste të PISA-s më 2015 dhe 2018 – program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve – Kosova ka dalë gati në fund të listës botërore.

PISA u mbajt edhe në vitin 2022, por rezultatet e këtij testi pritet të publikohen në dhjetor të këtij viti.

Në trend Lajme

Më shumë
Skulptori i shtatores së Blair-it pas kritikave të mediave britanike: Gjithkush ka dikë që i ngjanë

Skulptori i shtatores së Blair-it pas kritikave të mediave britanike: Gjithkush ka dikë që i ngjanë

Lajme
Shtatorja e Tony Blairit në Ferizaj shkakton polemika në Britani - ai më shumë i ngjan aktorit Donovan se kryeministri britanik

Shtatorja e Tony Blairit në Ferizaj shkakton polemika në Britani - ai më shumë i ngjan aktorit Donovan se kryeministri britanik

Lajme
Dënohen me mbi 28 vite burgim tetë të akuzuarit për hedhjen e granatave të dorës në dy lokale afariste në Prishtinë

Dënohen me mbi 28 vite burgim tetë të akuzuarit për hedhjen e granatave të dorës në dy lokale afariste në Prishtinë

Lajme
Berisha merr zyrtarisht vulën e PD-së, reagon Ambasada e SHBA-së në Tiranë

Berisha merr zyrtarisht vulën e PD-së, reagon Ambasada e SHBA-së në Tiranë

Lajme
Beleri flet nga burgu pasi u zgjodh eurodeputet: Pa dashur Edi Rama ka ndihmuar duke me bërë të njohur gjithëandej

Beleri flet nga burgu pasi u zgjodh eurodeputet: Pa dashur Edi Rama ka ndihmuar duke me bërë të njohur gjithëandej

Lajme
Prizren, babai në gjendje të dehur ther me thikë vajzën e tij 21 vjeçare

Prizren, babai në gjendje të dehur ther me thikë vajzën e tij 21 vjeçare

Kronika e Zezë
Kalo në kategori