Diçka për veten time dhe tuajën: Roli i idhullit në ngritje dikur, dhe a di kush sot diçka për Kallashin?
Në gjysmë finalen e Wimbledon-it të vitit 2006, tenistja belge Justine Hénin-Hardenne e filloi lojën pa asnjë shpresë për fitore. Luante dobët dhe ishte kafshatë e vogël e kundërshtares. Diku pas gjysmës së lojës ndodhi mrekullia. Hardenne e mori veten dhe shkëlqeu, e cila gjë ia siguroi fitoren për në finale.
Por, çka ndodhi që e shtyri Hardenne-n, këtë vajzë të re, që të këndellej, të merrte vullnet e fuqi dhe ta fitonte lojën? Në intervistën e saj, pas lojës, Hardenne e tregoi shkakun. Në një moment kur Hardenne po servonte i kishte shkuar shikimi në publik ku e kishte vërejtur një njeri të pazakonshëm. ‘Athua është ai?’ – e kishte pyetur veten. E kishte shikuar disa herë derisa ishte vërtetuar se njeriu ishte mu Ai që kjo mendonte.
Njeriu në publik ishte Peirce Brosnan, aktori i njohur britanik, i cili njihet më së shumti për rolin e James Bond-it. ’O Zot, a është e mundur që Brosnan ka ardhur të më shoh mua?’ e kishte pyetur vehten Hardenne e cila vazhdoi të deklaronte:’Brosnan është idoli im. Dhe, kur e pashë ate në tribunë, thashë me vete që unë kam vlerë dhe jam dikushi e cila gjë më dha zemër dhe forcë, dhe si rezultat, e fitova lojën.’
Justine Hénin-Hardenne vuri në pah një gjë shumë të rëndësishme: idolin. Idoli në jetën e njeriut ka rol shumë të rëndësishëm pasi që është caku ku dëshirojmë të arrijmë apo shembulli se kush dëshirojmë të jemi. Idoli është fuqia që na shtynë të lëvizim përpara dhe të arrijmë diçka në jetën tonë.
Gjatë dekadës së fundit mua më ka ndodhur shpesh që t’i pyes të rinjtë tanë se kush është idol i tyre. I kam pyetur studentët e aktrimit dhe aktorët, poetët, shkrimtarët, gazetarët, sportistët dhe një varg tjerësh. Në shumicën e rasteve kam marrë përgjegjen: askush. Me fjalë tjera, një pjesë e madhe e rinisë sonë, sipas përshtypjes sime, nuk ka cak. Udhëtojnë pa busollë. Pra, nuk dëshirojnë të bëhen si ‘dikush’ në profesionin e tyre.
Në rininë time ka qenë ndryshe. Të gjithë e kishim dikend që e kishim cilësuar si cak që dëshironim ta arrinim. E kishim dikend idol që na inspironte. Ata ose ato zakonisht ishin personalitete të mëdha botërore të artit apo kulturës. Unë për vete i kam pasë disa. I ndërroja varësisht nga mosha e rinisë. Ta zëmë, në moshën 16 deri 17 vjeçare idoli im ka qenë James Dean. Kjo është arsyeja që i kam postuar këto dy fotografi ku shihet pamja dhe inspirimi im i asaj kohe që janë nga viti 1976 apo 1977. Jam munduar të dukem dhe të sillem sikur ai. Dy gjëra kanë qenë, dhe vazhdojnë të jenë, karakteristikë e James Dean-it: Stili i flokëve dhe shikimi. Në këto dy fotografi jam munduar t’i kopjoj këto dy gjëra. Siq po e shihni kam dështuar plotësisht për shkak se unë nuk dukem aspak sikur James Daen. Më mungojnë që të dy karakteristikat. Megjithatë, e kam provuar dhe nuk pendohem. Kam edhe fotografi tjera të kësaj natyre ku dështimi im është edhe më transparent por nuk i postoj për shkak se nuk e shoh të arsyeshme që ju të argëtoheni me momentet e naivitetit tim adololoshent.
Ju nuk keni ide se sa shumë mundime është dashtë të bëhen në mënyrë që unë të dukem kështu. Për ta arrijtë këtë stil të flokëve, pra alla James Dean, i lidhja flokët me shami për të krijuar formën e dëshiruar. Me orë të tëra qëndroja para pasqyrës ku e ushtroja shikimin, po ashtu alla James Dean. E ushtroja edhe mënyrën e të folurit në anglisht duke u bazuar në filmat e tij. E folmja ka qenë e lehtë pasi që dialogjet e James Dean-it janë kryesisht të shkurta dhe shpesh të kota. Megjithatë, ai nuk flet shumë dhe kjo e lehtësonte këtë pjesën e të folurit. Këtë punë e bëja fshehtas në shtëpi se po të hetosha me siguri do të më qonin te hoxha apo ndonjë falltore për naj hajmali se atëherë psikiatri a neuropsikiatri nuk kanë qenë të popullarizuar sikur sot. Natyrisht që këtë veprim timin të imitimit sot e shikoj si akt qesharak të një adoleshenti mendjelehtë, dhe e kujtoj pak si me turp, por ky kam qenë unë në këtë moshë. Sot e kuptoj që sa guxim të madh apo vetëbesim duhet pasur për të aspiruar dukjen (imazhin) e dikujt që qëndron në majën e Hollivudit. Ky vetëbesim është pak frikësues sidomos kur vjen nga dikush që është nga një qytet tejet provincial dhe në fund të botës siq ka qenë atëherë (Gilani) dhe siq vazhdon të jetë edhe sot (Gjilani).
Natyrisht, me kalimin e kohës i kam ndërruar synimet dhe shembujt që mendoj se më kanë shtyrë përpara. Por, gjithmonë idoli im ka ekzistuar në letërsi, gazetari, filozofi, histori dhe shkenca juridike e politike të cilat i kam studiuar. Kam dashtë të bëhem si dikush në këto fusha. Nuk është fjala këtu për kopjim dhe e kanë shumë gabim ata që thonë: bëhu vetja jote. Në këtë aspekt ose dështojmë të bëhemi si dikush ose e arrijmë por ekziston mundësia që edhe ta tejkalojmë cakun. Por, ndikimeve nuk mund t’ju ikim kurrsesi. Ne, në fakt, kurrë nuk mund të bëhemi si dikush. Por, duke u munduar të bëhemi si dikush, e krijojmë veten tonë.
Unë edhe sot dëgjoj/lexoj aktorët, shkrimtarët apo shkencëtarët e mëdhenj botërorë që thonë se do të kishin shumë dëshirë ta kishin luajtur rolin sikur ai tjetri aktor apo ta kishin shkruar ndonjë punim shkencor ose roman sikur ai tjetri profesor apo novelist. Këto janë gjëra që nuk i dëgjoj kurrë në mesin tonë, sidomos te të rinjtë. Ma merr mendja që sot te shqiptarët edhe Zoti me zbritë nuk i bënë kujt përshtypje.
P.S. Allahile a di kush naj sen për Kallashin? Edhe ajo është goxha nifar idol i forte. Moti skemi ni për to dhe nëse i ka ba vaki naj sen, ma mirë mos um kallxoni.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëVajza tetë vjeçare nga Kosova humbi ndaj rivales serbe – sjellje e turpshme e trajnerit të Kosovës në teakwando pas mbylljes së meçit
Ylli i Realit shton zërat për largimin e tij – shihet duke ndjekur në stadium një ndeshje të ekipit rival
Moska u shënjestrua në sulmin më të madh me dronë që nga fillimi i agresionit mbi Ukrainë
Trajneri në Itali u çmend nga veprimet e futbollistit, e sulmoi në fushë
Gazmend Muhaxheri i falë personat që e sulmuan, ndërmjetësues u bë Xhavit Haliti
Sjellja e Mbappes kur Vinicius shënoi gol tregon më së miri se çfarë po ndodh mes dyshes te Reali
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Sjellja e Mbappes kur Vinicius shënoi gol tregon më së miri se çfarë po ndodh mes dyshes te Reali
Blerina Kllokoqi Rugova tregon se si poduksioni i BBVK ua hoqi me dhunë banorëve logon e brendit të saj në veshjet e tyre
NATO i përgjigjet vendosjes së trupave të Koresë së Veriut në Rusi
Emri i legjendës së Real Madridit është bërë trend në rrjetet sociale pas lëndimit të Militaos
Guti i kërkon Realit transferimin e lojtarit legjendar: "Ai është pa ekip, anësor dhe qendror, me kosto zero"
A mund Donald Trump të bëhet sërish president në vitin 2028?