LAJMI I FUNDIT:

Dëshmitarja tregon se babait të saj doganieri i akuzuar ia kërkoi 50 euro në kufi

Dëshmitarja tregon se babait të saj doganieri i akuzuar ia kërkoi 50 euro në kufi

Dëshmitarja V.G ka deklaruar se i pandehuri Veton Turjaka derisa ishte doganier ia kishte kërkuar babait të saj Shefqet Gusturanaj, 50 euro derisa po kalonin në kufi të Kosovës me veturë me rimorkio, duke ardhur nga Gjermania.

Një deklaratë të tillë dëshmitarja V.G, e cila njëherit është vajza e të pandehurit Shefqet Gusturanaj, e deklaroi në seancën e së enjtes në Gjykatën e Pejës, pasi e njëjta pranoi të dëshmonte, në rastin ku ish-doganieri akuzohet se nuk kishte marrë veprimet e duhura që malli t’i nënshtrohet kontrollit doganor dhe se për këtë kishte marrë 50 euro  ryshfet nga i pandehuri Shefqet Gusturanaj. Ky i fundit akuzohet për dhënie të ryshfetit.


“Kur kemi ardhur në kufi në Kullë u dal babai prej veturës dhe ka shkuar tek doganieri dhe kanë hyrë brenda dikun 15 minuta dhe tani është dal babai dhe ka ardhë tek ne dhe ka thënë se doganieri pi lyp 50 euro”, shpjegoi dëshmitarja.

Duke u përgjigjur në pyetjet e drejtpërdrejta të prokurorit Ersan Qavolli, dëshmitarja shtoi se ishte ajo e cila nga kuleta e saj, shumën prej 50 euro i kishte vendosur në pasaportë dhe ia kishte dhënë babait të saj, tani të pandehurit Shefqet Gusturanaj me qëllim që të njëjtat t’ia jepte të pandehurit Veton Turjakës.

“Babai ka shkuar më pas në kabinë të doganierit dhe u kthy në kerr dhe më pas jemi nisur rrugës”, shtoi dëshmitarja.

Ajo tha se pasi babai i saj ishte kthyer në veturë, nuk i kujtohej nëse i njëjti kishte deklaruar faktin se ia kishte dhënë të pandehurit shumën prej 50 euro të cilën, sipas dëshmitares, Turjaka e kishte kërkuar.

Dëshmitarja gjatë seancës shtoi se i kujtohet nga pamja doganierit dhe ajo e identifikoi në seancë se i pandehuri kishte qenë doganieri që kishte kërkuar paratë nga babai i saj.

“Unë e kam parë doganierin dhe ka qenë ky që është në sallë”, shtoi e njëjta.

Gjatë dhënies së përgjigjeve nga dëshmitarja, pati interferime nga ana e të pandehurit Shefqet Gusturanaj drejtuar dëshmitares, Me këtë rast, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Kujtim Kërveshi paraqiti vërejtjen e tij tek trupi gjykues, ku këta të fundit i tërhiqen vërejtjen të pandehurit Shefqet Gusturanaj.

Mirëpo i pandehuri Shefqet Gusturanaj në fund të seancës u sqarua se i kishte thënë në gjermanisht vajzës së tij-këtu dëshmitares të tregonte vetëm të vërtetën.

Avokati Kërveshi pyeti dëshmitaren nëse ishte në dijeni se dhënia e parave zyrtarëve doganorë ishte vepër penale, mirëpo kjo pyetje nuk u lejua nga trupi gjykues.

Duke qenë se dëshmitarja tha se i pandehuri nuk kishte kontrolluar rimorkion, avokati Kërveshi kërkoi të dinte nga dëshmitarja nëse i kishte parë të gjitha lëvizjet e të pandehurit Veton Turjaka pasiqë dëshmitarja kishte qenë e ulur në pjesën e pasme të veturës.

Ajo tha se kishte parë të pandehurin Veton Turjaka vetëm tek shkallët e kabinës.

Ky deklarim sipas avokatit Kërveshi ishte ndryshim i deklaratës, pasi sipas mbrojtjes dëshmitarja njëherë kishte thënë që i pandehuri nuk e kishte kontrolluar rimorkion ndërsa tani thoshte se e kishte parë vetëm tek shkallët e kabinës.

Kjo vërejtje e avokatit u kundërshtua nga prokurori Qavolli i cili tha se dëshmitarja nuk kishte kontradikta në deklarimet e saj dhe fakti se dëshmitarja e kishte  parë të pandehurin vetëm tek shkallët e kabinës nënkuptonte se i pandehuri nuk e kishte kontrolluar rimorkion.

Më pas dëshmitarja shtoi se i pandehuri nuk e kishte hapur rimorkion dhe këtë e kishte parë nga vetura.

Poashtu dëshmitarja u arsyetua se dhënia e shumës prej 50 euro ishte për faktin se kishte menduar se dhënia e shumës së tillë për doganierin ishte detyrim ligjor.

Ndryshe, në seancën e sotme u vazhdoi për një pjesë të mbetur të dëshmisë së tij edhe përfaqësuesi i doganës Blerim Behramaj. Ky i fundit tha se Dogana në këtë rast nuk kishte tani dëm pasiqë malli kontestues ishte konfiskuar dhe dëmi ishte realizuar në procedurë kundërvajtëse.

Kurse avokati Kërveshi kërkoi që dëshmia e Behramajt të ndahet nga shkresat e lëndës me arsyetimin se deklarimi i tij ishte paragjykues sepse i njëjti kishte qenë pjesë e komisionit të ankesave në procedurë disiplinore në të cilin kishin vërtetuar vendimin e shkallës së parë për ndërprerjen e marrëdhënies së punës të pandehurit Turjaka.

Seanca e radhës pritet të vazhdojë nesër në ora 10:00.

Ndryshe, trupi gjykues i kryesuar nga Sami Sharraxhiu gjatë seancës së sotme refuzoi propozimin e prokurorit që përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Doganës, Bekim Behramaj të cilësohet si dëshmitar, refuzoi poashtu propozimin që të thirret si dëshmitar ish-përfaqësuesi i Doganës,  Blerim Pruthi me arsyetimin se nuk kishte patur njohuri për rastin dhe në fund refuzoi propozimin e avokatit Kërveshi për të thirrur si dëshmitar anëtarët doganierë të cilët e kanë vlerësuar mallin, për të vërtetuar faktin se i pandehuri Shefqet Gusturanaj kishte përgojuar për këta anëtarë kur kishte deklaruar se të njëjtit i kishin kërkuar drekë, e që sipas tij,  i pandehuri Shefqet Gusturanaj kishte përgojuar edhe për të mbrojturin e tij për shumën prej 50 euro ryshfet.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit fillestar, i pandehuri Turjaka ishte deklaruar i pafajshëm, ndërsa i pandehuri Shefqet kishte pranuar fajësinë për dhënie ryshfeti, por që ishte refuzuar nga Gjykata e Pejës.

Kurse mbrojtësja e të pandehurit Shefqet, avokatja Shqipdona Mara tha se përkundër pranimi i fajësisë nga i mbrojturi i saj nuk ishte aprovuar nga Gjykata, megjithatë pas administrimit të provave do të provohej akuza për të cilën ngarkohej i pandehuri.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 7 shtator 2021 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Veton Turjaka akuzohet së më 8 mars 2020, në pikën kufitare në Kullë, Komuna e Pejës, në cilësinë e personit zyrtar, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim që personi tjetër të përfitojë dobi pasurore.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shefqet Gusturanaj po e drejtonte automjetin “Mercedes” dhe rimorkion, ku kishte të ngarkuara gjësende të ndryshme (motorrsharra, kositëse bari, biçikleta, etj). Lidhur me këtë, thuhet se i pandehuri Turjaka, si zyrtar doganor, nuk ndërmerr veprimet e duhura që malli në fjalë t’i nënshtrohet kontrollit doganor.

Me këtë, thuhet se i pandehuri Gusturanaj përfiton duke mos paguar tatimet reale dhe si rrjedhojë dëmtohet buxheti i shtetit, në vlerë prej 225 euro.

Më këtë, Veton Turjaka akuzohet ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi me burgim prej një deri në tetë vjet.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se me qëllim që malli që posedonte i pandehuri Gusturanaj të mos i nënshtrohej procedurave të kontrollit doganor, nga i njëjti i pandehuri Turjaka kërkon dhe merr shumën prej 50 euro, në zyrën e tij.

Më këtë, Turjaka akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

Kurse, në dispozitivin e tretë të aktakuzës thuhet se bankënotën prej 50 euro të cilën e kishte marrë ryshfet i pandehuri Turjaka, vajza e të pandehurit Gusturanaj që gjendej në automjet, me kërkesën e këtij të fundit, e vendosë në pasaportë dhe më pas ia jep të pandehurit të parë në zyrën e tij.

Me këtë, Shefqet Gusturanaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së, ku parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim deri në pesë vjet, raporton betimiperdrejtesi.

Në trend Lajme

Më shumë
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Lajme
BE-së i kërkohet largimi i masave sanksionuese ndaj Kosovës, analistët tregojnë se çfarë ndodhë pas procesit që dështoi në veri

BE-së i kërkohet largimi i masave sanksionuese ndaj Kosovës, analistët tregojnë se çfarë ndodhë pas procesit që dështoi në veri

Mirjeta Hajzeraj
Policia serbe ndalon për më shumë se një orë Duda Baljen në Merdar

Policia serbe ndalon për më shumë se një orë Duda Baljen në Merdar

Lajme
Momenti kur Osmani i thotë Vuçiqit

Momenti kur Osmani i thotë Vuçiqit "Shihi në sy dhe kërkoju falje katër viktimave të krimeve serbe"

Lajme

"S'ka më punësim të kunatave në MPJD", Gërvalla nënshkruan një vendim

Lajme
Kalo në kategori