Departamenti Amerikan i Drejtësisë i kërkoi sot një gjyqtari që të bëjë publike urdhrin që autorizoi FBI-në të kontrollojë shtëpinë e Donald Trumpit në Florida, pasi ish-presidenti e karakterizoi kontrollin si një akt hakmarrjeje politike.

Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland konfirmoi për herë të parë se agjentët kontrolluan resortin Mar-a-Lago të ish-presidentit amerikan në Palm Beach. Kërkimi është pjesë e një hetimi nëse ai mori në mënyrë të paligjshme të dhënat nga Shtëpia e Bardhë ndërsa po largohej.


Garland, zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në shtet, tha se ai personalisht miratoi vendimin për të urdhëruar kontrollin.

Konfirmimi ishte shumë i pazakontë, pasi agjencitë e zbatimit të ligjit të SHBA-së zakonisht nuk diskutojnë hetimet në vazhdim. Por kjo erdhi pasi vetë Trumpi komentoi mbi kërkimin të hënën mbrëma, duke thënë se ishte një akt hakmarrjeje politike kundër presidentit Joe Biden.

Garland tha se Departamenti i Drejtësisë i kërkoi gjykatës të lëshonte urdhrin e vulosur të kontrollit "në dritën e konfirmimit publik të bastisjes nga ish-presidenti, rrethanave përreth dhe interesit të rëndësishëm publik për këtë çështje".

Nuk ishte e qartë nëse ekipi ligjor i Trumpit do ta kundërshtonte urdhrin, i cili mund të hedhë dritë mbi natyrën e hetimit. /Telegrafi/