Mbrojtësi i Inter Porto Alegre, Victor Gabriel, është suspenduar nga futbolli brazilian deri në momentin kur sulmuesi i Cruzeiros, Gabriel Pec, të rikthehet në stërvitje pas dëmtimit të rëndë që pësoi në këmbë.

Vendimi është marrë këtë javë nga Gjykata e Lartë e Drejtësisë Sportive të Brazilit (STJD), institucioni më i lartë disiplinor në vend për çështjet sportive.


Gjykata e ka cilësuar dënimin si një masë standarde, duke marrë parasysh seriozitetin e ndërhyrjes dhe pasojat e saj.

Pec pësoi një frakturë në këmbën e majtë pas një ndërhyrjeje nga Victor Gabriel gjatë një ndeshjeje kampionati më 22 korrik.

Pezullimi i mbrojtësit është vendosur me një afat maksimal prej 180 ditësh, por mund të përfundojë më herët nëse sulmuesi i Cruzeiros merr miratimin e stafit mjekësor për t’u rikthyer në stërvitje para përfundimit të kësaj periudhe.

Victor Gabriel tashmë ka kërkuar falje për ndërhyrjen që shkaktoi dëmtimin e rëndë të kundërshtarit.

Sipas Kodit Brazilian të Drejtësisë Sportive, në rastet kur një ndërhyrje konsiderohet e rrezikshme dhe shkakton dëmtime serioze, lojtari përgjegjës mund të dënohet me një periudhë pezullimi që përputhet me kohën e rikuperimit të futbollistit të dëmtuar.

Ky rast ka shkaktuar reagime të shumta në Brazil, pasi dënimi i Victor Gabriel lidhet drejtpërdrejt me kohën që do t’i duhet Gabriel Pec për t’u rikthyer në fushë./Telegrafi/

telegrafi sport app