LAJMI I FUNDIT:

Dënimet e ulëta të gjykatave në Kosovë, një arsye shtesë për rritjen e numrit të trafikantëve

Dënimet e ulëta të gjykatave në Kosovë, një arsye shtesë për rritjen e numrit të trafikantëve

Emine Abdyli

Dita botërore për luftë kundër trafikimit me njerëz dhe dita evropiane kundër trafikimit me njerëz, vit pas viti po shënohet me aktivitete të zbehta në Kosovë, përkundër faktit që numri i viktimave që bien pre e rrjeteve të trafikantëve është shqetësues.


Trafikimi me njerëz në Kosovë është dukuri e cila ka filluar të shënojë rritje sidomos pas luftës së vitit 1999. Pavarësisht se vepra penale e trafikimit me njerëz konsiderohet të jetë një ndër krimet më serioze, si një formë bashkëkohore e skllavërisë, megjithatë ajo vazhdon mos ta ketë trajtimin e duhur në Kosovë.

Shkalla e vetëdijesimit të shoqërisë kundrejt rrezikut që paraqet trafikimi me njerëz, vazhdon të ngelet e ultë. Ndonëse nuk kanë munguar iniciativat nga institucionet vendore, së bashku me ato ndërkombëtare, për vetëdijesimin e shoqërisë, megjithatë numri i viktimave vazhdon të jetë i lartë.

Trafikimi me njerëz, si formë e krimit të organizuar, shtrihet në të gjitha shtetet pa dallim, ndonëse më i shprehur është në shtetet transitore dhe me shkallë të lartë të varfërisë si dhe me ekonomi të pazhvilluar.

Pavarësisht nga fakti që në Kodin Penal të Kosovës dhe në ligjin përkatës është përcaktuar qartë mënyra e parandalimit dhe ndëshkimi i atyre që e kryejnë këtë vepër penale, në praktikë numri i tyre çdo ditë vetëm sa vjen e rritet, gjë që vë në dyshim nëse organet kompetente janë duke bërë sa duhet për parandalimin e kësaj dukurie, apo ndëshkimet ndaj kryerësve të kësaj vepre penale të shqiptuara nga gjykatat vendore janë jashtëzakonisht të ulëta.

Pa dyshim se njëra prej formave më të rëndësishme për zvogëlimin dhe eliminimin e trafikimit me njerëz është politika ndëshkimore ndaj kryerësve të kësaj vepre penale. Nëse politika ndëshkimore dhe format e saj të zbatimit në praktikë janë efikase, atëherë mund të flasim për parandalim dhe luftim të kriminalitetit në një shoqëri. Por, një gjë e tillë, deri më tani, nuk është duke ndodhur në Kosovë. Kjo për faktin se vetëm për veprën penale trafikimi me njerëz për periudhën dhjetëvjeçare (2005-2014), në territorin e gjykatave themelore dhe të Apelit në Kosovë më së shpeshti është shqiptuar dënimi prej 1-2 vjet burgim për gjithsej 33 persona ose 24.6 për qind, pasuar nga dënimi në kohëzgjatje prej 2-5 vjet dhe në kuadër të saj janë dënuar 32 persona ose 23.8 për qind.

Po ashtu, nëse i referohemi të dhënave të Departamentit të Shtetit, i publikuar në qershor të këtij viti, raportohet se Policia e Kosovës gjatë vitit 2018 ka arrestuar 22 të dyshuar për trafikim dhe shtatë të dyshuar të tjerë për “shfrytëzim të shërbimeve seksuale nga viktima e trafikimit”. Penalisht u ndoqën 34 persona për trafikim. Gjykatat i dënuan nëntë trafikantë dhe dënuan pesë persona për “shfrytëzim të shërbimeve seksuale nga viktima e trafikimit”.

Edhe në vitin 2018 vazhdoi shprehia e dënimeve minimale prej pesë vjetësh burg. Pesë trafikantë u dënuan me burg prej dy deri në katër vjet dhe me gjobë prej 200 euro deri në 4,000 euro; një trafikant u dënua me gjashtë muaj burg dhe ajo që është akoma më tragjike, për një vepër si trafikimi që është shkatërrimtare për njeriun në përgjithësi dhe gratë në veçanti; ndaj tre trafikantëve gjykatat shqiptojnë dënime me kusht. Pesë persona që i “shfrytëzuan shërbimet seksuale nga një viktimë e trafikimit” u dënuan me burg prej katër deri në gjashtë muaj dhe një gjobë mes 1,800 euro deri në 3,600 euro.

Në mbarë globin për çdo vit rrezikohen të rekrutohen dhe të shfrytëzohen në mënyra të ndryshme rreth 2.5 milionë viktima të trafikimit, shumica gra dhe fëmijë. Në këtë numër përfshihen edhe rastet e trafikimit me njerëz në Kosovë. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara dhe të Këshillit të Evropës, pas trafikimit me drogë dhe me armë, trafikimi me njerëz është i treti me radhë për nga forma dhe përhapje e tij, duke e përfshirë shumën jo më pak se 32 miliardë euro të qarkullimit vjetor. Andaj, kjo vepër penale e cila zë një vend të rëndësishëm në të gjitha legjislacionet penale bashkëkohore, si dhe në një numër të madh të konventave dhe akteve të tjera me karakter ndërkombëtar, kërkon një qasje dhe trajtim më serioz edhe nga ana e institucioneve të Kosovës, veçanërisht nga prokuroria dhe gjykatat të cilat jo vetëm që duhet të përshpejtojnë procedurat, por edhe duhet që të ndërmarrin masa më të ashpra ndëshkuese ndaj kryerësve të kësaj vepre penale.

Fatkeqësisht, Kosova vazhdon të jetë e rrezikuar nga dukuria e trafikimit me njerëz. Një prej arsyeve kryesore vazhdon të mbetet vëmendja jo e duhur për këtë dukuri e cila çdo vit shkatërron jetën e miliona njerëzve, në veçanti të grave dhe fëmijëve. Zvarritja e rasteve të proceduara, ndëshkimet minimale dhe jo adekuate të gjykatave tona, si dhe mos identifikimi i viktimave te trafikimit me njerëz, janë faktorë që po ndikojnë në përhapjen e mëtutjeshme të saj si dhe në stimulimin e autorëve të kësaj vepre të rëndë penale në Kosovë.

(Autorja është doktor i shkencave penalo-juridike dhe mësimdhënëse në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”)

Në trend

Më shumë

"Dhëmbët, flokët e veshët" - Gani Gërmia me ndryshime drastike në pamje

Magazina
Palestinezët festojnë

Palestinezët festojnë "pranimin e marrëveshjes" nga Hamasi, ndërsa izraelitët protestojnë për kthimin e pengjeve

Botë
Tre sulmuesit që Xavi i do për të përforcuar sulmin e Barcelonës këtë verë

Tre sulmuesit që Xavi i do për të përforcuar sulmin e Barcelonës këtë verë

La Liga
Zhduket një 28-vjeçare në Ferizaj, familja kërkon ndihmën e policisë dhe qytetarëve për gjetjen e saj

Zhduket një 28-vjeçare në Ferizaj, familja kërkon ndihmën e policisë dhe qytetarëve për gjetjen e saj

Kronika e Zezë
DASH hedh poshtë pretendimet për Escobarin: Nuk është shkarkuar, do të emërohet në një pozitë tjetër sipas rrotacionit

DASH hedh poshtë pretendimet për Escobarin: Nuk është shkarkuar, do të emërohet në një pozitë tjetër sipas rrotacionit

Lajme
Reagojnë zyrtarët e lartë të SHBA-së pas lajmit se Hamasi e ka

Reagojnë zyrtarët e lartë të SHBA-së pas lajmit se Hamasi e ka "pranuar marrëveshjen"

Botë
Kalo në kategori