Demonstrim simulues i “Mbrojtjes civile” në veri

Ushtrimi ka nisur në orën 11: 45 dhe ka zgjatur rreth 1 orë. Ndërkaq, ky organizim është zhvilluar nën përkujdesjen e Zyrës për Kosovë të Qeverisë Serbe, të cilën e drejton Aleksandar Vulin.
Pjesëtarët e kësaj organizate janë rreshtuar sipas komandës, duke brohoritur emrin e shtetit serb.
Gjatë ushtrimit, pjesëtarët e ekipeve të “Mbrojtjes civile” kanë demonstruar mundësitë, shkathtësitë dhe përgatitjen e tyre për shpëtimin e njerëzve në rast të rrezikut në objektet e përfshira nga zjarri.
I ashtuquajturi kryetar i komunës paralele të Mitrovicës, Krstimir Pantic, i cili ka theksuar se është njëkohësisht edhe komandant i organizatës “Mbrojtja civile e Mitrovicës”, u është drejtuar pjesëtarëve të “Mbrojtjes civile”, duke u thënë se ata janë njerëzit që do të përballen me situatat e vështira emergjente në veri të Mitrovicës.
“Ju do të jeni këtu në çdo moment dhe në çdo rrethanë do të jeni të parët që do t’i shpëtoni njerëzit, të mirat materiale dhe të kulturës, si dhe mjedisit jetësor nga fatkeqësitë elementare, nga pasojat e terrorizmit, fatkeqësive të luftës dhe të tjera”, ka thënë Pantic.
Ai ka shtuar se organizata “Mbrojtja civile” do të jetë në shërbimin e të gjithë qytetarëve në veri të Mitrovicës, pavarësisht nga përkatësia kombëtare dhe fetare e tyre.
Sipas tij, “Mbrojtja civile” është formuar bazuar në Konventën e Gjenevës, e cila e precizon se për çfarë qëllimesh mund të përdoret mbrojtja civile.
“Neni 65 (i Konventës së Gjenevës), madje e jep mundësinë që pjesëtarët e ‘Mbrojtjes civile’ mund të bartin armatim të lehtë për mbajtjen e rendit ose për vetëmbrojtje”, ka thënë ai.
Megjithatë, pjesëtarët e “Mbrojtjes civile” në demonstrimin e së dielës nuk kanë pasur ndonjë lloj të armatimit.
Në anën tjetër, zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë theksuar se nuk kanë marrë asnjë kërkesë për organizimin e këtij tubimi, por policia e ka përcjellë nga afër zhvillimin e aktivitetit të organizatës “Mbrojtja civile”.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se sipas informacioneve të policisë, organizata “Mbrojtja civile e Mitrovicës” ka demonstruar një simulim të reagimit në rast të emergjencave apo situatës së zjarrit.
“Policia e Kosovës nuk ka pasur zyrtarisht ndonjë informacion rreth organizatorëve të mundshëm të kësaj ngjarjeje. Mirëpo, në vendngjarje sigurisht që policia i ka përcjellë këto aktivitete edhe përkundër faktit që ne, sigurisht, nuk kemi qenë pjesë e këtij aktiviteti”, ka deklaruar Hoti. “Mirëpo, në kuadër të Ligjit për rendin publik, Policia e Kosovës ka obligime që të jetë e pranishme me qëllim të mbledhjes së informacioneve dhe sigurimit të tubimeve të tilla. Por, gjithçka ka përfunduar pa ndonjë incident të regjistruar nga policia”.
Ndryshe, “Mbrojtja civile e Mitrovicës” është organizatë, e cila nga institucionet e Kosovës konsiderohet si strukturë paralele që vepron në veri të vendit e financuar nga Serbia.
Ditë më parë, zyrtarët e komunës së Mitrovicë, patën reaguar për shkak të pranisë së pjesëtarëve të “Mbrojtjes civile” në pjesën veriore të Mitrovicës, duke shfaqur dyshimet se në këtë organizatë ka edhe pjesëtarë që janë të inkriminuar, të ashtuquajtur “roje të urave”, por edhe pjesëtarë të strukturave të sigurisë të shtetit serb.
“Rojat e Urës” kanë qenë një grupim i paligjshëm sigurie, i themeluar në përfundim të luftës në Kosovë, në përbërje të të cilit thuhej se kishte edhe pjesëtarë të pensionuar të forcave paramilitare serbe.
Zyrtarët e komunës së Mitrovicës patën kërkuar nga strukturat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë që ndaj “Mbrojtjes civile”, “të ndërmarrin masa dhe të mos lejojnë veprimtarinë e tyre, e cila paraqet ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë”. /Telegrafi/





















































