Lazio pati një mbrëmje të madhe të martën, ku u rikthye pas 13 viteve në Ligën e Kampionëve, duke e mposhtur 3-1 Borussia Dortmundin. 

Akpa Akpro ishte një tjetër gjetje e Igli Tares, që mbrëmjen e djeshme shënoi për herë të parë me fanellën e Lazios.

Ai ishte pa ekip në sezonin 2017/2018, kur Salernitana, klub i afërt me Lazion e mori në gjirin e vetë, për ta përgatitur për skuadrën kryeqytetase.

Pak kush mund të besonte te 28-vjeçari pas së shkuarës së tij, por drejtori sportiv shqiptar besoi.

Për këtë ka marrë edhe duartrokitjet e një legjende si Alex Del Piero. Ish-kapiteni i Juventusit ka folur për “Sky Sport”, duke i dhënë merita Tares për afrimin e këtij lojtari.

“Goli i tij është një qershi e madhe mbi tortë, edhe për shkak të së kaluarës së tij disi të përvuajtur”.

“Merita i takon Lazios që besoi në të dhe Salernitana që pa diçka tek ky djalë. Ai është një nga lojtarët që Tare është mësuar të na bëjë t’i zbulojmë dhe tani do të shohim se si ai do të vazhdojë rrugën e tij”, ka thënë Del Piero.

Te Lazio ka debutuar edhe Vedat Muriqi në ndeshjen e mbrëmshme. /Telegrafi/