eksperti ad

Maqedonia e Veriut ka filluar procesin e vaksinimit kundër coronavirusit, me vaksinat "Pfizer" të cilat para disa ditësh i mori si donacion nga Serbia.

Autoritetet në vend, siç janë Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, që nga viti i kaluar kanë pasur deklarata të ndryshme rreth arritjes së vaksinave dhe fillimin e vaksinimit. Ndërsa ajo që shihet është se ka vonesa të shumta, përkundër asaj që kanë deklaruar fillimisht.


Më poshtë ju rikujtojmë deklaratat e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Shëndetësisë, në lidhje me arritjen e vaksinave dhe fillimin e procesit të vaksinimit:

30 dhjetor - "Sot pasdite është arritur marrëveshje e drejtpërdrejtë me "Pfizer". 04 janar - "Marrëveshja është definuar mëngjesin e sotëm". 16 janar - "Për kohë të shkurtë do ta arrijmë marrëveshjen". 19 janar - "Marrëveshja me Pfizer është në fazën përfundimtare". 27 janar - "Jemi në fazën përfundimtare nga bisedimet e drejtpërdrejta me Pfizer". 03 shkurt - "Presim që Pfizer ta precizojë marrëveshjen". 11 shkurt - "Draft marrëveshja duhet të arrijë javën e ardhshme". 21 shkurt - "Akoma e presim marrëveshje e drejtpërdrejtë". 26 shkurt - "Po finalizohen çështjet në marrëveshje".

Dhe si përfundim, përkundër të gjitha këtyre deklaratave, Maqedonia e Veriut akoma nuk ka marrë vaksina drejtpërdrejtë nga kompania "Pfizer", por vetëm rreth 4 mijë të cilat i ka si donacion nga Serbia.

Ndryshe, dje Ministria e Shëndetësisë informoi se me kërkesë të MPJ-së së Kinës, ka tërhequr paradhënien për vaksinat kineze.

Kurse, Venko Filipçe ditë më parë njoftoi se ai është autorizuar nga Qeveria, për të arrituar marrëveshje për blerjen e vaksinës ruse "Sputnik V"./Telegrafi/