Kjo javë është vendimtare për tregjet dhe gjithë sytë janë të drejtuar nga Banka Qendrore Europiane. Mario Draghi do të provojë të fitojë betejën epike tashmë me deflacionin në raundin e 11-të.

Bordi drejtues i Bankës Qendrore ka vendosur për stimuj të rinj në 10 nga 47 takimet nën presidencën Draghi, me një qëllim të vetëm: Luftën kundër deflacionit. Kaq nuk kanë mjaftuar aspak, pasi Eurozona është zhytur sërish në deflacion.

Ekonomistët janë të gjithë të bindur se në datat 9-10 Mars, Mario Draghi do të njoftojë stimujt e rinj. Lajmi i mirë është se, tregjet janë të bindura se këto stimuj do të mjaftojnë. Në rast se do të ndodhë e kundërta të paktën supermario nuk rrezikon të zhgënjejë tregjet, siç bëri në muajin Nëntor të vitit të kaluar.

“Draghi nuk do të dojë aspak të zgjënjejë sërish tregjet”- theksojnë analistët. Gjithsesi, shqetësimi kryesor i Bankës Qendrore Europiane është të parandalojë një spirale deflacioniste.

Pjesa dërrmuese e ekonomistëve, mbi ¾-at theksojnë se më 10 Mars Draghi do të njoftojë zgjerimin e bazës monetare të lehtësimit sasior në shkallë të gjerë, në 75 miliardë euro në muaj, nga 60 miliardë që është aktualisht.

Një rritje e tillë përkthehet në 200 miliardë euro shtesë në programin prej 1.5 trilionë eurosh, që parashikohet të zgjasë deri në muajin Mars të vitit të ardhshëm. Ekziston edhe mundësia që Draghi të mjaftohet vetëm me shtyrjen në kohë të programit, por kjo do të sillte zhgënjim të tregjeve, njësoj siç ndodhi në muajin Nëntor. Ekonomistët janë të sigurt edhe në një pikë tjetër: norma mbi depozutat do të shkurtohet me 10 pikë bazë, në -0.4%. /Telegrafi/